foto nga CFP
Në konferencën e rregullt për shtypin të të martës të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, gazetari i agjencisë franceze të lajmeve pyeti nëse ka ndonjë bazë shkencore kundërshtimi nga pala kineze i planit japonez për lëshimin e ujërave të ndotura bërthamore në det. Sipas tij, ka ekspertë që thonë se përqindja e elementit radioaktiv tritium në ujërat e ndotura që do të lëshohen nga Japonia në det, është më e ulët se standardi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndërkohë që edhe media japoneze njoftoi se përqindja e tritiumit në ujërat e mbetura nga centralet bërthamore kineze, sipas të dhënave të vitit 2021, është më e lartë se niveli maksimal i përmbajtjes së tritiumit në ujërat e ndotura bërthamore të Japonisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin u përgjigj se ujërat e ndotura bërthamore në centralin Fukushima janë nga zemra e reaktorit të tejnxehur dhe janë krejtësisht të ndryshme nga ujërat e mbetura normale nga centralet bërthamore. Ato kanë karakter të ndryshëm, burim të ndryshëm e duhet të trajtohen në mënyrë të ndryshme. Pala japoneze i ngatërron me qëllim këto dy gjëra, gjë që pasqyron pikërisht mënyrën joshkencore të trajtimit prej saj të këtij problemi, si dhe synimin e saj për të mashtruar bashkësinë ndërkombëtare.
foto nga CFP
Wang-u theksoi se gjatë mbi dy vjetëve, ligjshmëria, arsyeshmëria dhe siguria e planit të Japonisë për lëshimin e ujërave të ndotura në det janë vënë në dyshim nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa pala japoneze nuk i është përgjigjur ende shqetësimit të bashkësisë ndërkombëtare për besueshmërinë afatgjatë të pajisjeve filtruese të ujërave të ndotura bërthamore, për vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave të ujërave të ndotura, si edhe për efektshmërinë e monitorimit të lëshimit të ujërave. Palët e interesuara, përfshirë palën kineze, kanë vënë në dukje më se një herë që, nëse ujërat e ndotura bërthamore janë të sigurta, ato s'ka nevojë të lëshohen në det, ndërsa nëse janë të pasigurta, nuk duhet të lëshohen në det.
"Zbatimi arbitrar nga Japonia i planit të lëshimit të ujërave të ndotura në det është i padrejtë, paarsyeshëm dhe i panevojshëm. E këshillojmë palën japoneze që të mos ia kalojë rrezikun e ndotjes bërthamore të gjithë njerëzimit, duke u nisur nga interesat vetjake," shtoi zëdhënësi i diplomacisë kineze. (Wang Lei/ Artan)
foto nga CFP