Kanceri i gjirit, studiuesit: Inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë radiologët
2023-08-23 15:50:19

Foto nga VCG

Inteligjenca artificiale mund të përdoret në ekzaminimet për kancerin e gjirit për të përmirësuar diagnozën dhe për të lehtësuar ngarkesën e punës së radiologëve, sipas rezultateve të një prove klinike në Suedi. Por studiuesit thonë se rezultatet paraprake të studimit, të përfunduar në gusht, tregojnë se kjo teknologji nuk është ende gati të zëvendësojë mbikëqyrjen nga radiologët, shkruan “Panorama”.

Në universitetin e Lundit në Suedi, rreth një milionë gra në vit u nënshtrohen ekzaminimit mamografik, thonë drejtuesit e tij. Imazhet me rreze X të gjirit më pas analizohen zakonisht nga dy radiologë për të parë nëse ka shenja të kancerit, një metodë e quajtur “leximi i dyfishtë” që kërkon kohë. Një radiolog mund të analizojë mesatarisht rreth 50 ekzaminime në orë.

Studiuesit në Suedinë jugore po vlerësojnë efektin e ekzaminimeve të mbështetura nga inteligjenca artificiale. Kjo është prova e parë e këtij lloji që krahason dy metodat e diagnostikimit.

Në provën klinike, e cila përfshiu mbi 80 mijë gra, studiuesit përdorën inteligjencën artificiale për të identifikuar ekzaminimet me një rrezik të lartë të kancerit të gjirit, të cilat më pas iu nënshtruan leximeve tradicionale të dyfishta nga radiologët.

Rezultatet e provës zbuluan se ekzaminimi i mamografisë nga inteligjenca artificiale rezultoi në një shkallë të ngjashme të zbulimit të kancerit me metodën standarde të leximit të dyfishtë nga radiologët.

Kjo pothuajse përgjysmoi ngarkesën e punës së mjekëve, leximi i të dhënave në ekran u reduktua me rreth 44 për qind.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 2.3 milionë gra u diagnostikuan me kancer të gjirit në vitin 2020 dhe 685 mijë vdiqën nga kjo sëmundje në mbarë botën. (Elona)