Xi e Ramaphosa nxitin zhvillimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Afrikë e Jugut në epokën e re
2023-08-23 11:43:41

Foto nga Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij afrikanojugor Cyril Ramaphosa pranuan të martën të nxitin zhvillimin më të madh të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Afrikë e Jugut në epokën e re.

Gjatë bisedimeve të tyre në Pretoria, Xi tha se çelësi i marrëdhënieve të mira dhe miqësisë së thellë ndërmjet Kinës e Afrikës së Jugut qëndron në faktin se të dy vendet ndajnë të njëjtat vështirësi në rrugën e tyre të zhvillimit dhe kanë krijuar një miqësi të thellë.

Duke vënë në dukje se Kina po nxit rilindjen kombëtare në të gjitha frontet nëpërmjet një rrugë kineze për modernizimin dhe Afrika e Jugut po eksploron një rrugë modernizimi që u përshtatet kushteve kombëtare të saj, presidenti i Kinës tha se vendi i tij është i gatshëm të punojë me Afrikën e Jugut për të trashëguar miqësinë dhe për të thelluar bashkëpunimin e bashkërendimin, për të ndërtuar një bashkësi të nivelit të lartë Kinë-Afrikë e Jugut me një të ardhme të përbashkët.

Ai vuri në dukje që Kina dhe Afrika e Jugut duhet të jenë partnere strategjike me një shkallë të lartë besimi të ndërsjellë dhe duhet të forcojnë shkëmbimet e bashkëpunimin dypalësh për sa u përket organeve ligjvënëse, partive, ushtrive e pushtetit vendor dhe të vazhdojnë të japin mbështetje të ndërsjellë në çështjet e lidhura me interesat dhe shqetësimet kryesore të njëri-tjetrit.

Foto nga Xinhua

Duke theksuar se përfitimet e ndërsjella janë themeli i bashkëpunimit Kinë-Afrikë e Jugut, Xi bëri thirrje për përparimin e ndërtimit të përbashkët të "Një brez, një rrugë" dhe zbatimin e Programit Strategjik 10-vjeçar mbi Bashkëpunimin ndërmjet Kinës dhe Afrikës së Jugut, për të krijuar pika të reja për rritjen e bashkëpunimit.

Ai tha se Kina mbështet Afrikën e Jugut në luajtjen e një roli më të madh në çështjet ndërkombëtare e rajonale dhe do të bashkëpunojë me Afrikën e Jugut dhe vende të tjera në zhvillim për të zbatuar Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global për të praktikuar multilateralizmin e vërtetë.

Kina dhe Afrika duhet të forcojnë solidaritetin e bashkëpunimin më shumë se kurrë, theksoi Xi, duke shprehur mbështetje për Afrikën në përparimin e industrializimit dhe modernizimit bujqësor.

Presidenti kinez shtoi se pret me kënaqësi të bashkëkryesojë me homologun afrikanojugor dialogun dhe të punojë me udhëheqësit e vendeve të tjera afrikane pjesëmarrëse për të hartuar një plan të ri për solidaritetin dhe bashkëpunimin Kinë-Afrikë, që synon të nxisë ndërtimin e një bashkësie të nivelit të lartë Kinë-Afrikë me një të ardhme të përbashkët.

Foto nga VCG

Duke përshëndetur mbështetjen e Kinës për Afrikën e Jugut në procesin e saj të zhvillimit kombëtar, Ramaphosa theksoi se Kina është vend "vëlla, mik dhe partner i sinqertë i Afrikës së Jugut."

Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike 25 vjet më parë, Afrika e Jugut ka respektuar me vendosmëri parimin e "Një Kine" dhe marrëdhëniet dypalëshe janë zhvilluar me shkëmbime të ngushta në të gjitha nivelet dhe bashkëpunim me përfitime të përbashkëta në fusha të ndryshme, tha ai.

Investimet kineze dhe bashkëpunimi me Kinën kanë forcuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Afrikës së Jugut dhe kanë luajtur një rol kyç në nxitjen e zhvillimit dhe begatisë të vendeve të Afrikës dhe të Jugut Global, vuri në dukje Ramaphosa .

Afrika e Jugut është e gatshme të punojë me Kinën për të thelluar shkëmbimet lidhur me përvojën e qeverisjes dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në tregti, investime, energjetikë, infrastrukturë, prodhim e teknologji, tha kreu i shtetit afrikanojugor.

Sipas tij, Afrika e Jugut dhe vende të tjera të Jugut Global shpresojnë të forcojnë solidaritetin e bashkëpunimin me Kinën për t'iu përgjigjur më mirë sfidave dhe për të promovuar krijimin e një rendi ndërkombëtar më të barabartë, më të drejtë e më të arsyeshëm.