Banka e Shqipërisë: Rënia e inflacionit sipas parashikimeve. Ekonomia vazhdon rritjen
2023-08-23 10:20:14

Rritja ekonomike (shqiptarja.com)

Rritja ekonomike (shqiptarja.com)

Ekspertët e Bankës së  Shqipërisë janë optimistë se ekonomia shqiptare do të vijojë të jetë në trend rritës dhe se inflacioni  do të kthehet në territor normal sipas objektivave të Bankës Qëndrore gjatë vitit që vjen. Në një intervistë për mediat Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikës Monetare flet më shumë për konkluzionet e nxherra për  tremujorin e tretë të vitit 2023.

“Konkluzionet që i kemi bërë ekonomisë shqiptare dhe tregjeve financiare janë përgjithësisht pozitive. Ne konstatojmë që ekonomia shqiptare ka vazhduar të rritet në 6 mujorin e pare të vitit, pavarësisht se jemi detyruar të përballemi me një rritje të shpejtë të çmimeve në tregjet botërore. Pavarësisht faktit se kërkesa e huaj ka ardhur në ngadalësim, aktiviteti i ekonomisë në Eurozonë ka pësuar një tkurrje relativisht të ndjeshme dhe pavarësisht faktit se kostot e financimit në tregjet financiare paraqiten më të larta. Ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik duket në ritmin pozitiv të rritjes ekonomike, i cili sipas të dhënave të INSTAT ishin në nivelin 2.7% në tremujorin e parë. Duket në ritmin pozitv të rritjes së punësimit dhe të pagave, në nivelet afërsisht minimale të normës së papunësisë si dhe nëpërmjet përmirësimit të gjendjes financiare të bizneseve shqiptare” tha Themeli.

Sektori bankar ka qenë në mbështetje të ekonomisë vendase me fonde.

“Nga ana tjetër paralelisht me përmirësimin e aktivitetit ekonomik, ne konstatojmë që inflacioni ka ardhur në një trend rënës konform pritjeve tona, zhvillimeve që ky tregues ka patur në tregjet ndërkombëtare, por ajo që është më e rëndësishme duket që ky treg është i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm. Ne mendojmë që inflacioni do afrohet gradualisht në objektivin tonë 3% në mesin e vitit të ardhshëm. Tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta, kanë funksionuar në mënyrë normale megjithë normat e interesit dhe kushtet e financimit paraqiten më të shtrënguara, në raport me periudhën para krizës, para goditjes që pësuam nga konflikti ushtarak në Ukrainë, ritmi i rritjes teknikisht mbetet pozitiv. Sektori bankar ka vijuar të mbështetë ekonominë shqiptare me fondet e nevojshme për të financuar konsumin, investimet apo nevojat që biznesi shqiptar ka për kapital qarkullues”, tha ai.

Parashikimet e Bankës së Shqipërisë  janë për trend pozitiv të ekonomisë duke u ndikuar nga disa faktorë.

Erald Themeli (Banka e Shqiperise )

Erald Themeli (Banka e Shqiperise )

 

“Ne parashikojmë që ekonomia shqiptare të vazhdojë të rritet edhe gjatë vitit 2023 apo 2024 e më tutje e mbështetur qoftë nga kërkesa e brendshme, nga zgjerimi i konsumit të familjeve shqiptare, si dhe nga zgjerimi i investimeve të sektorit privat por edhe një komponent i tretë i rëndësishëm që është rritja e të ardhurave që po përjetojmë nga turizmi shqiptar, rritja e kërkesës së huaj për një kategori mallrash dhe shërbimesh shqiptare, kryesisht të lidhura me turizmin. Dëshiroj të theksoj që për vitin 2023 ne presim një rritje pozitive afër nivelit 3.5%, një normë më e ngadaltë se ajo e vitit 2022, por në mënyrë të kuptueshme në kontekstin global ky është një zhvillim që duhet konsideruar pozitiv. Ne presim që zgjerimi i kërkesës për mallrat dhe shërbimet të vazhdojë të gjenerojë rritjen e punësimit, rritje të pagave dhe të të ardhurave të familjeve shqiptare, duke mbuluar në një masë të konsiderueshme. Gjykoj edhe shtrenjtimin e kostos së jetesës që vjen nga inflacioni” theksoi ai

 

Sa i takon treguesit të inflacionit, Banka e Shqipërisë  thotë që trendi do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

 

“Deri tani në gjykimin tonë ngadalësimi i inflacionit ka pasqyruar kryesisht ngadalësimin e këtij treguesi në tregjet ndërkombëtare, por ne konstatojmë që edhe normalizimi i qëndrimit të politikës monetare ka pasur një ndikim pozitiv, duke kontrolluar pritjet e agjentëve ekonomikë dhe financiarë për ecurinë e këtij treguesi në të ardhmën, por edhe duke krijuar një balancë më të mirë të kërkesës së mallrave dhe shërbimeve në Shqipëri. Për momentin presionet inflacioniste vijojnë të jenë të larta, por edhe ky tregues është normë ngadalësimi dhe ne gjykojmë që ai do të vijë në linjë me objektivin tonë gjatë vitit të ardhshëm”

 

Erald Themeli, Drejtor i Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë shpjegon edhe vendimin e bankës qendrore për të mbajtur  të pandryshuar normën bazë të interesit.

 

“Mendoj që konteksti që Këshilli i Mbikqyrjes vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit është bërë prezent nga deklarata për shtyp që pasoi këtë vendim. Nga njëra anë ne kemi theksuar që projeksionet tona mbeten pozitive, pra që trendi rënës i inflacionit drejt objektivit do të vazhdojë gjatë tremujorëve në vijim. Nga ana tjetër kemi theksuar faktin që kushtet e përgjithshme monetare dhe financiare mbeten të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv. Dëshiroj të theksoj edhe dy momente të rëndësishme që kanë të bëjnë me ecurinë e kursit të këmbimit. Forcimi i kursit të këmbimit na ka mundësuar të absorbojmë një pjesë të presioneve inflacioniste nga tregu i huaj. Duke tkurrur ecurinë e inflacionit të importuar në Shqipëri dhe nga ana tjetër është edhe kahu i politikës fiskale konsolidimi fiskal i projektuar dhe i ndërmarrë në gjysmën e parë të vitit, i cili ka gjeneruar një ngadalësim të kërkesave duke  ndihmuar në balancimin më të mirë të kërkesës dhe të ofertës për mallra”


Banka e Shqipërisë (Foto Shqiptarja.com)

Banka e Shqipërisë (Foto Shqiptarja.com)

Ekspertë të bankës përsërisin qëndrimin për monitorim të vazhdueshëm të situatës.

 

“Në lidhje me të ardhmen Këshilli Mbikqyrës theksoi faktin që banka e shqipërisë mbetet në monitorim të situatës, ne do të vazhdojmë të analizojmë ecurinë e të gjithë faktorëve që ndikpjnë në inflacion dhe vendimarrja e të ardhmes do të udhëhiqet nga informacioni i ri dhe nga ecuria e kërkesës dhe ofertës për mallra dhe politikës fiskaledhe kursit të këmbimit në të ardhmen.”

 

Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit,  në nivelin 3%, në mbledhjen e tij të datës 2 gusht 2023. Ky vendim sipas BSH faktorizoi  reduktimin e inflacionit brenda dhe jashtë vendit, projeksionet për ecurinë e  tij në të ardhmen, përcjelljen e deritanishme të normalizimit të qëndrimit të  politikës monetare, kahun e pritur të politikës fiskale dhe forcimin e kursit të këmbimit të lekut ndaj euro. Çmimet  e  mallrave  bazë  në  tregjet  botërore  kanë  vijuar  prirjen  rënëse  në  tremujorin e dytë të vitit 2023, të nxitur nga lehtësimi i presioneve në rrugët  e transportit, pritjet për ngadalësim të aktivitetit ekonomik, si dhe përmirësimi i  ofertës  për  disa  mallra.  Në  muajin  qershor,  indeksi  i  çmimeve  të  mallrave  kryesore i matur nga BB është tkurrur me 7% nga muaji mars dhe me rreth 37% nga një vit më parë. Çmimet e mallrave energjetikë janë ato që kanë shfaqur rënie  më  të  shpejtë,  duke  korrektuar  një  pjesë  të  rritjes  së  menjëhershme  që  pësuan  pas  nisjes  së  luftës  në  Ukrainë.  Çmimet  e  naftës  Brent  janë  kuotuar  rreth nivelit mesatar 75$/fuçi në muajin qershor, ose 39% më lirë se një vit më parë. Çmimi i energjisë elektrike shënoi nivelin mesatar 96 Euro/MWh në Bursën e Hungarisë , ose 59% më ulët nga një vit më parë