Të gjithë për pushime drejt Shqipërisë këtë vit. Kryesojnë italianët, e pas tyre anglezët dhe spanjollët. Kjo dukuri ka shënuar një bum për turizmin vendas, gjë që reflektohet edhe në ekonomi. Por pa hyrë në analiza shifrash, mund të themi se Shqipëria turistike nuk ka qenë asnjëherë kaq e përmendur për turizmin sa ç’është gjatë këtij sezoni turistik.
Foto:VCG
Që nga qershori dhe në vazhdim nuk ka ndalur fluksi i turistëve të huaj që zgjedhin bregdetin shqiptar për pushimet e tyre verore. Por nuk ndalen as mediat e huaja prestigjoze së bëri jehonë Shqipërisë turistike dhe suksesit të jashtëzakonshëm të këtij viti. Mediat italiane gati çdo ditë kanë në faqet e tyre të para artikuj të natyrës informuese por edhe problemore, përse italianët po rendin kaq shumë drejt plazheve shqiptare. “Corriere dela sera”, “La repubblica”, “Il messaggero”, “TGcom24”, “Raiuno”, “Canale 5”, etj, vazhdimisht gjatë kësaj periudhe kanë shkruar për plazhet shqiptare, kanë bërë përshkrimin e tyre sipas tipologjive, kanë folur për çmimet favorizuese, ushqimet e mira dhe detin e pastër, duke e quajtur Shqipërinë si “zbulimi i kësaj vere”, apo “Maldivet shqiptare”. Ato kanë kthyer “sytë” nga destinacionet e vendit tonë, duka ua propozuar lexuesve, si një zgjedhje e duhur për të kaluar pushimet verore.
“Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër në Mesdhe, për shkak të bukurisë së plazheve dhe cilësisë së shërbimeve. Gjithashtu Shqipëria ofron peisazhe mahnitëse, si dhe njerëzit janë shumë mikëpritës”, kështu nis artikulli me titull “Shqipëria e modës midis natës dhe plazheve të Karaibeve”, kushtuar bukurive natyrore në trevat shqiptar. Më tej, media italiane përmend Sarandën, Ksamilin, Jalën, Himarën, Porto Palermon, Karaburunin, Vlorën dhe Dhërmiun si destinacionet përrallore të cilët krahas bukurive, të ofrojnë edhe çmime të arsyeshme. Madje disa prej plazheve shqiptare, “TGcom24” i ka krahasuar me ato të Karaibeve. Ndërsa media prestigjioze italiane, “Il Corriere”, i ka kushtuar një shkrim bukurive shqiptare, sidomos, deteve e gjireve të “virgjëra”.
Foto:VCG
Media, shkruan se deti dhe plazhet e Shqipërisë, janë më të bukurat për t’u parë, duke nisur nga Veriu në Jug, me pamje nga Adriatiku dhe Joni.
Ata nxisin qytetarët e tyre që të vizitojnë vendin tonë, duke argumentuar se Shqipëria ndodhet afër gjeografikisht me Italinë, ka bukuri përrallore dhe disa nga plazhet më të bukura në Ballkan. Gjithashtu ato thonë, se në Shqipëri, gjenden gjire të paprekura, limane të fshehura dhe “parajsa” të arritshme vetëm me anije.
Kjo tendencë e re për Shqipërinë është ushqyer edhe nga rrjetet sociale, pasi influencuesit e udhëtimeve kanë zgjedhur vendin tonë për ta provuar, jo vetëm për bukurinë natyrore, por edhe kostot e lira që ofron vendi ynë për ta. Ata kanë ndarë etapë apo destinacion në rrjetet e tyre sociale duke i bërë plazhet shqiptare edhe më joshëse. Por duhet theksuar se edhe prania e personazheve si Dua Lipa e cila për të disatin vit organizon pushimet në jug të Shqipërisë, apo vajzës së Donald Tramp dhe publiciteti që i kanë bërë vendin tonë duke bërë publikimet e plazheve tona në rrjetet e tyre sociale, ka luajtur një rol padyshim nxitës.
E gjitha kjo ka sjellë një bum të vërtetë të turistëve italianë në brigjet shqiptare. Përmes aeroportit të Rinasit, apo përmes tragetit të linjës Bari – Durrës dhe Bari – Vlorë, siç zgjodhi të vinte edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni. Nëpër tragete ka radhë të gjatë automjetesh që presin të nisin udhëtimin drejt plazheve të Shqipërisë. Mes atyre që kanë zgjedhur Shqipërinë edhe regjisori dhe aktori i njohur italian Checho Zalone, apo kantautori Ermal Meta….
Foto:VCG
Bumi i turistëve italianë në Shqipëri, që i ikin vendit të tyre të shtrenjtë, është një ngjarje aq e gëzueshme për qeverinë e Tiranës, sa kryeministri shqiptar Edi Rama kujton përmes rrjeteve sociale sesi kohët kanë ndryshuar që nga viti 1990 e deri më sot. Nëse më parë ishin shqiptarët që u larguan nga vendi në Itali, sot janë italianët ata që "pushtojnë" Shqipërinë për të kaluar pushimet buzë detit përgjatë brigjeve nga veriu në jug, veçanërisht në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil.
Por edhe media të tjera i kanë bërë jehonë kësaj tendence. “Dailymail”, tabloidi britanik shumë i njohur ka shkruar së fundmi se ekspertët e udhëtimeve kanë zbuluar se britanikët po dynden në një vend të vogël ballkanik këtë verë, ndërsa vendi gëzon ‘bumin e turizmit’ falë plazheve piktoreske, hoteleve dhe restoranteve të lira.
“120 000 shtetas të Britanisë së Madhe çdo vit vizitojnë tani Shqipërinë, ndërsa sektori i saj i turizmit po lulëzon”, shkruan tabloidi i famshëm britanik. “Gjithashtu plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare dhe kostoja më e lirë e jetesës e bëjnë atë një destinacion të shkëlqyer veror me buxhet. Shqipëria ka qytete historike për t’u eksploruar dhe një skenë në lulëzim festivalesh me ngjarje që zënë vendin e tyre në të gjithë kalendarin muzikor botëror”, shkruan gazeta britanike.
Foto:VCG
Ndërkohë që një tjetër media, këtë herë nga Kroacia vendi ballkanik ndër më të suksesshmit në botë për turizmin e konsideron Shqipërinë si vendin që i ka të gjitha.
Jehona e suksesit bombastik të Shqipërisë Turistike pasqyrohet edhe nga televizioni kroat RTL, që i jep një hapësirë të papritur surprizës shqiptare që po tërheq vëmendjen e mediave botërore. Kjo nuk është Greqia apo Spanja, nuk është as Hauai apo Tajlanda. Këto janë Maldivet e Evropës”.
Kështu e nis kronikën për Shqipërinë televizioni kroat RTL, një kronikë e cila merr shkas nga fakti se vendi ynë ka qenë surpriza e madhe e turizmit në Evropë.
Në vetëm dy javët e fundit kemi shkrime nga prestigjiozja “The Telegraph” apo gjermania “Bild”, të cilat shkruajnë për një Shqipëri që duhet të njihet patjetër, duhet vizituar detyrimisht si një nga destinacionet më unike të kontinentit europian dhe është cilësuar botërisht si sekreti i fundit i pazbuluar i Europës.
Ndërkohë vetëm pak ditë më parë një revistë hungareze kishte Shqipërinë në coverin e saj dhe tregon edhe njëherë tjetër për një interes të vazhdueshëm të publikut europian për tu njohur me Shqipërinë.
Nuk ngelet pas as media franceze, gazeta “L’est républicain”, e cila i ka kushtuar një artikull të tërë vendit tonë dhe ndër të tjera shkruan “Shqipëria është e mahnitshme. Aty ku ndjenja e mirëseardhjes ndriçon buzëqeshjet e njerëzve, në guidën e plotë nga Alpet e veriut dhe Shkodra, për të shkuar nga Tirana në Gjirokastër, në Butrint e në bregdet, në një shëtitje unike, ku brenda një kohe të shkurtër gjen gjithçka për të kaluar pushime fantastike”.
Të gjithë të intervistuarit vënë në dukje faktin se në Shqipëri nuk ka tarifa rrugore dhe se çmimet janë të lira. Në një kohë kur çmimet në Evropës janë egërsuar, Shqipëria po bëhet shumë më e volitshme. Plazhet, kështjellat historike dhe çmimet. Shqipëria siç duket i ka të gjitha.
Neritana Kraja