Një nga aktivitetet e fundit në Tiranë ishte shfaqja teatrale ‘Mund të bëhet’, që perfshiu, Votë për Martesë dhe Fjalët e Shpirtit.
Kjo është një shfaqje e ndërtuar mes fjalës artistike dhe komedisë, e interpretuar nga artistët që prej disa muajsh ndjekin kursin e aktrimit. Kjo shfaqje ishte një ëndërr për ta dhe një mundësi për të kuptuar talentin e fshehur të tyre.
Qëllimi i kësaj shfaqje ndër të tjera ishte edhe ndërgjegjësimi dhe një ndër aspektet kryesore është të thyesh hekurat e vetëizolimit dhe të izolimit social Të dëgjosh zërin tënd dhe të gjesh forcë tek drita e njerëzores që ta jep arti dhe mbi të gjitha fuqia e skenës.
"Rikthehemi sërish në shtator" thotë, Klodi Kadillari e cila është edhe regjisore kryesore në këtë shfaqje teatrale, ndërsa ndodhet në Radhimë me xhirimet e filmit “Perendim”. Klodi Kadillari ndan detajet e shfaqjes për Radio Ejani.
CMG: Klodi si është ndjesia për të punuar me të rinj të talentuar, të cilët nuk e kanë prekur kurrë skenën?
Klodi Kadillari: Futesh në një botë të brendshme ku kupton që aty kanë jetuar shumë ëndrra dhe përjetime. Është bukur të kuptosh se sa e duan artin të rinjtë dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë për të. Unë ndihem tejet e emocionuar që mora një emocion kaq të madh, nuk e prisja.
Jam e befasuar se si disa të rinj që nuk kanë pasur lidhje me aktrimin sot i shohim që interpretojnë dhe e mbajnë rolin si artistë të vërtetë. Kjo është një shenjë e njerëzve që e duan jetën dhe që kurrë nuk dorëzohen.
CMG: Na trego disa detaje rreth shfaqjes...
Klodi Kadillari: Shfaqja ndryshe cilësohet si një festival sepse i pati brenda disa elementë. Aty u interpretua në aktrim, u recitua, pati rrëfime, muzikë... Ishte një ndërthurje e elementeve, që i dha ndriçim kësaj shfaqjeje.
CMG: A kishte emocione se mos ndoshta diçka nuk shkonte siç duhet?
Klodi Kadillari: Në fillim po. U ula në tokë teksa interpretoja një monolog të Nënë Terezës. Aty e kuptova që kisha shumë emocione dhe doja që mos ta reflektoja, por ishte e pamundur. Ndihesha e rrethuar nga fytyra te reja teatri, të cilët,na besuan dhe doja që çdo gjë të shkonte mirë dhe ashtu shkoi...
CMG: Kur ndërtohet një spektakël duhet te jesh e kujdesshme për të ruajtur një profil, ndërsa ju keni bërë bashkë disa profile njëherësh, si e menaxhuat këtë ?
Klodi Kadillari: Unë njihem për dëshirën për të thyer barrierat. Por është tejet e vështirë që të bësh bashkë edhe dramën edhe komedinë. Falë vullnetit të artistëve ata ja dolën.Kjo ishte një përballje me publikun që ne të sillnim diçka ndryshe.
CMG: Pse zgjodhët aktorë të rinj dhe jo aktorët që janë në treg ?
Klodi Kadillari: Është shumë e thjeshtë, sepse të rinjve u duhet dhënë një mundësi në një formë apo në një tjetër. Nuk mund të rrimë duke i parë që kanë thjesht ëndrra, por duhet t'i ngjisim në skenë t'iu japim një pjesë dhe ata ta performojnë.
CMG: Ju keni thënë, se kjo është një formë për të nxjerrë njerëz nga vetëizolimi apo ankthi?
Klodi Kadillari: Këtë përgjigje dua ta nis nga rrëfimi im personal. Kur iku nga kjo jetë babai im, unë u ndjeva shumë keq. Mu këputen krahët dhe u ndjeva e vetmuar përballe botës.
Nuk bëja dot asgjë për ta pasur atë sërish. Më mungonte aq shume sa u mbylla në vetvete dhe e mbaja brengën dhe mallin për vete.
Ajo që më çlironte nga ajo gjendje ishte thjesht të bëja atë që doja më shumë .
Ajo që unë dua më shumë është aktrimi.
Kështu mund të them që terapia që merr dikush nga arti, nëpërmjet artit është më e fortë se çdo gjë tjetër.
CMG: Teatri juaj është quajtur "Mund të bëhet", pse?
Klodi Kadillari : Sepse ne mund të bëhemi njerëz më të mirë, mund të bëhemi ajo që ëndërrojmë, mund të thyejmë paragjykime, mund të jemi të gjithë bashkë. Sepse vetem nëpërmjet një fjale "Mund" ne shpresojmë shumë dhe punojmë shumë. Shpresa është arma jonë me e fortë për të cilën duhet të punojmë shumë.
Ne ngjitëm në skenë të rinj që kishin ose jo lidhje me artin dhe ata treguan se "Mund të bëhet".
Intervistoi: Megi Latifi