Nis lundrimin anija e parë e mallrave me energjine e eres
2023-08-22 11:44:13

Foto nga RTSH

Anija e parë e mallrave Pyxis Ocean e pajisur me vela gjigante me erë, ka nisur udhëtimin e saj të parë nga Kina në Brazil, njofton RTSH. Kompania e transportit Cargill, e cila ka marrë me qira anijen, shpreson se teknologjia do të ndihmojë industrinë e transportit drejt një të ardhmeje më të gjelbër.

Velat masive të WindWings supozohet të zvogëlojnë konsumin e karburantit dhe rrjedhimisht gjurmën e karbonit të transportit. Është vlerësuar se industria është përgjegjëse për rreth 2.1% të emetimeve globale të dioksidit të karbonit.

Velat janë 37.5 metra të larta dhe ngrihen vetëm kur anija është jashtë portit. Ato janë bërë nga i njëjti material si turbinat e erës, kështu që janë të qëndrueshme. Vlerësohet se era mund të ndihmojë në reduktimin e emetimeve me 30% gjatë jetëgjatësisë së anijes.

Pyxis Ocean do të marrë rreth gjashtë javë për të arritur në destinacionin e saj.

"Ky është një nga projektet më të ngadalta që kemi bërë, por pa dyshim ndikimi më i madh në planet”, tha drejtori i ekipit John Cooper, i cili beson se ky udhëtim do të jetë një pikë kthese për industrinë e transportit detar.

“Unë parashikoj që deri në vitin 2025 gjysma e porosive të reja të anijeve do të jenë me energji nga era. Arsyeja pse jam kaq i sigurt është ulja e kostos - 1.5 ton karburant në ditë. Nëse vendosim katër vela në një anije, kursehen gjashtë tonë karburant, pra 20 tonë qymyr në ditë. Shifrat janë të mëdha”, shpjegoi ai.

Ekspertët thonë se energjia e erës është një fushë premtuese pasi industria e transportit detar përpiqet të reduktojë 837 milionë tonë karbon që prodhon çdo vit.(Fatosi)