Ditët e fundit, shtimi i anëtarëve të mekanizmit të BRICS-it është bërë një ndër temat më të diskutuara në bashkësinë ndërkombëtare.
Foto:VCG
Siç bëri të ditur pala afrikanojugore, deri tani mbi 40 vende kanë shprehur dëshirën të bëjnë pjesë në këtë mekanizëm shumëpalësh bashkëpunimi, mbi 20 prej të cilave kanë dorëzuar aplikime zyrtare. I dërguari i posaçëm i Afrikës së Jugut për këtë çështje, Anil Sooklal, vuri në dukje në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) se shumë vende dëshirojnë të bëhen anëtare të familjes së BRICS-it, gjë që ka vërtetuar besimin e tyre për aftësinë udhëheqëse të BRICS-it në zgjidhjen e problemeve globale. "Por nga vjen ky besim?" pyet CMG-ja në një koment të vetin.
Një burim i këtij besimi janë rezultatet konkrete të zhvillimit, vijon komenti. Sipas të dhënave statistikore të FMN-së, nga viti 2001 deri më 2022, përpjesëtimi i PBB-së së vendeve anëtare të BRICS-it në PBB-në e përgjithshme botërore u ngrit nga 8.4 % në 25.8 %, në kohën që e G7-së u ul nga 64.6 % në 42.9 %. Një raport i publikuar në marsin e sivjetshëm nga kompania britanike e konsultimeve "Acorn Macro Consulting" tregon se vjet, duke u llogaritur bazuar në paritetin e fuqisë blerëse, përqindja e PBB-së së BRICS-it në fakt e kalon atë të G7-s.
Johanesburg gjatë samitit të BRICS-it(Foto:VCG)
Më 15 gusht, Banka e Re e Zhvillimit e krijuar brenda kornizës së BRICS-it, hodhi me sukses 1.5 miliardë randë (monedha e Afrikës së Jugut) në tregun e brendshme të bonove të Afrikës së Jugut. Kjo është hera e parë që kjo bankë emeton bono në monedhën afrikanojugore dhe brenda këtij viti do të shihen mundësitë e emetimit të letrave të tilla me vlerë në Indi. Deri tani, Banka e Re e Zhvillimit ka miratuar gati 100 projekte të dhënies së kredive me një vlerë prej 35 miliardë dollarësh amerikanë. Autostrada në shtetin Maranhão të Brazilit për transportimin e mallrave, baza e prodhimit të energjisë së gjelbër me anë të energjisë diellore në shtetin Karnataka të Indisë, porti modern i trajtimit të kontejnerëve në qytetin Durban të Afrikës Jugore, kanë përfituar nga ndihmat e dhëna nga kjo bankë e BRICS-it.
Që nga viti 2022, kur Kina u bë vendi kryetar i radhës i këtij mekanizmi, bashkëpunimi i BRICS-it është nxitur në mënyrë të dukshme dhe frytdhënëse. Në samitin e 14-të të zhvilluar në qershorin e vitit të kaluar, u miratuan Nisma e Investimeve Tregtare dhe e Zhvillimit të Vazhdueshëm, Nisma e Forcimit të Bashkëpunimit të Zinxhirëve të Furnizimit dhe dokumente të tjera, si edhe u publikua bashkërisht “Deklarata e Pekinit”. Vjet, pala kineze ka drejtuar mbi 170 aktivitete, ku janë arritur rreth 40 projekte të rëndësishme. Të dhënat nga FMN-ja tregojnë se në vitin 2022, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së mallrave të pesë vendeve anëtare të BRICS-it ishte afro 9.2 trilionë dollarë amerikanë, ndër të cilat 1.14 trilionë dollarë amerikanë ndërmjet vetë këtyre vendeve, përkatësisht 7.8 % dhe 13.3 % më shumë në krahasim me vitin 2021.
Foto:VCG
Zyrtarë afrikanojugorë që dëshiruan të mbeten anonimë bënë të ditur se në samitin e Johanesburgut, do të diskutohen tema si thellimi i partneritetit të kleringut ndërmjet vendeve anëtare, duke përfshirë krijimin e sistemit të përbashkët të shlyerjes së pagesave. Ish-ambasadori francez në ShBA Gérard Araud u shpreh në një artikull të botuar ditët e fundit se gjallëria ekonomike e BRICS-it do të sjellë ndikime të gjera ekonomisë globale. Mediat braziliane njoftuan se rezultatet e arritura pas krijimit të mekanizmit të BRICS-it kanë forcuar besimin e vendeve që dëshirojnë të zhvillohen shpejt duke ruajtur pavarësinë e tyre, gjë që e ka bërë këtë mekanizëm të besueshëm dhe të pranuar në përmasë globale. Disa analistë vunë në dukje se, me zgjerimin e anëtarësisë, BRICS-i do të shtojë më tej të drejtën e fjalës dhe ndikimin e vendeve në zhvillim në arenën ndërkombëtare.
“Megjithëse disa vende perëndimore spekulojnë vazhdimisht për ‘shembjen’ e BRICS-it, faktet vërtetojnë se gjithnjë e më shumë vende dëshirojnë të marrin pjesë në bashkëpunimin e këtij mekanizmi. Kjo pasqyron gjallërinë dhe ndikimet e tij, si dhe rrymën e kohës të ‘hapjes, përfshirjes, bashkëpunimit dhe përfitime të ndërsjella’”, mbyllet komenti i CMG-së.(Zhang Yan/Artan)