BRICS dhe ekonomia botërore
2023-08-22 11:08:20

Akronimi “BRICS”(Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut) nënkupton grupimin e këtyre shteteve, me synim rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zgjerimin e tregtisë mes tyre. Mes kërkimit për një botë shumëpolare, Kina, India, Brazili dhe Rusia hodhën themelet e BRICS në vitin 2009, me Afrikën e Jugut që iu bashkua katërshes në vitin 2010.

Çdo vit, këto vende takohen në një mbledhje të nivelit të lartë(samit), ku marrin pjesë drejtuesit e pesë shteteve të BRICS. Këtë vit, samiti zhvillohet në datat 22-24 gusht në Johanesburg të Afrikës së Jugut.

foto/VCG

foto/VCG

Rëndësia e grupimit BRICS në ekonominë botërore është e madhe. Të pesë ekonomitë e Kinës, Indisë, Brazilit, Rusisë dhe Afrikës së Jugut përbëjnë më shumë se një të katërtën e ekonomisë globale. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, PBB-ja globale e BRICS-it u rrit nga 18% në 2010 në 26% në vitin 2022.

Popullsia e këtyre pesë shteteve përfaqëson gati 42% të popullsisë së botës, ndërkohë që vendet BRICS kontrollojnë 18% të eksporteve globale. Produkti i brendshëm bruto kolektiv (GDP) i shteteve te BRICS tejkalon pjesën e shtatë vendeve të G-7-ës në botë.

foto/Gazeta shqiptare

Lidhur me këtë Eduard Gjokutaj, ekspert i ekonomisë shprehet:

 “Vendet BRICS kanë marrë një rëndësi të natyrës së veçantë, sidomos në dekadën e fundit, për arësyen e krijimit të një poli të ri ekonomik. Ato vende që deri tani konsideroheshin si vende në zhvillim, tashmë, me diferenca natyrshëm brenda tyre, kanë filluar të zënë atë pozicion që ju nevojitet, përsa i përket dominimit rajonal në tregjet botërore. Dallim do të bënte Kina, e cila është në një ekspansion të tillë, që natyrshëm zë një pozicion dominues.

Sa i përket veçorive të vendeve anëtare të BRICS eksperti Gjokutaj nënvizon:

Vendet e BRICS kanë veçanti nga të gjitha vendet e tjera në ekonominë globale, pasi konsiderohen si vende që janë organizuar në një status të caktuar, për të sjellë prosperitet, për të sjellë zhvillim ekonomik botëror. Ndryshe, për të sjellë një zhvillim, i cili konsiderohet si poli i tretë në zhvillimin ekonomik botëror. Natyrshëm që liderët e këtij grupimi janë Kina dhe India, të pasuar nga Brazili dhe Rusia, por me atë qasje që tashmë, në konfigurimin botëror, pas luhatjeve të ndryshme dhe zhvillimeve të tilla, që kanë prekur edhe sistemin e ekonomive të tilla si SHBA dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, duke dhënë impaktin se si do të zhvillohet bota në këtë prospekt të ri.

Kina, nga njëra anë, synon të bëhet një ekonomi, e cila do të tejkalojë fuqinë globale të SHBA-ve dhe India, e cila synon të pasojë Kinën dhe të bëhet e fuqishme njësoj si ajo, zhvillojnë ekonomitë e brendshme të tyre, dhe nga ana tjetër, kanë edhe ndikim në vendet perreth, duke influencuar edhe pjesën e asaj që quhet zhvillim global.

Në këtë mënyrë, unë do të thosha që pjesa më serioze e këtij grupimi është pjesa e zhvillimit të burimeve natyrore dhe kapaciteteve që Kina dhe India kanë në dispozicion, për të manifestuar ato çfarë janë tendencat e ardhshme të zhvillimit të inteligjencës artificiale, të cilat në vetvete, janë shumë të pranishme në këto vende dhe janë të tilla që ndikojnë në ekonominë botërore, nëpërmjet ndikimeve direkte dhe indirekte”, theksoi Gjokutaj         

Grupimi i BRICS bën thirrje për reforma në strukturat dhe normat ndërkombëtare, për të vendosur një rend shumëpolar. Ekonomitë e Kinës, Brazilit, Indisë dhe Afrikës së Jugut vazhdojnë të rriten dhe të ushtrojnë ndikim të shtuar në ekonominë globale.

BRICS-i themeloi në vitin 2015 Bankën e Re për Zhvillim (NDB) për të dhënë kredi për projektet e zhvillimit në vendet në zhvillim. NDB-ja po shërben si një alternativë e vlefshme ndaj institucioneve si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore.

BRICS-i ka organizuar samite vjetore që nga viti 2009, me qëllim kryesisht përmirësimin e kushteve ekonomike të vendeve anëtare të tij. Në një sistem multipolar, vendet e BRICS-it synojnë dhe kërkojnë të ndjekin një politikë të ekuilibruar dhe ekspansion ekonomik, duke vendosur marrëdhënie me vende të ndryshme. Përfitimet ekonomike të anëtarësimit në BRICS shërbejnë si faktorë të rëndësishëm në tërheqjen e shteteve të tjera drejt anëtarësimit në grupim.

foto/VCG

foto/VCG

Ndërsa BRICS-i fiton rëndësi në rritje në politikën dhe ekonominë globale, interesimi dhe kërkesat për anëtarësim në këtë grupim janë bërë deri tani nga shumë shtete të rëndësishme në ekonominë boterore, ku spikasin, ndër të tjera, vende si Argjentina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Indonezia, Meksika, Egjipti, Nigeria, Pakistani, Tajlanda, Tunizia, Uruguai dhe Venezuela. Disa prej tyre kanë aplikuar zyrtarisht për t’iu bashkëngjitur grupimit.

Udhëheqësit e BRICS-it do të diskutojnë për të gjitha këto kërkesa në kuadër të “Agjendës së Zgjerimit” të grupimit, gjatë samitit të 22-24 gushtit në Johanesburg të Afrikës së Jugut, aktivitet që ka nisur sot.

Samiti i Johanesburgut shënon takimin e 15-të të grupimit BRICS të ekonomive të mëdha në zhvillim. Trajtimi i çështjeve ekonomike kyçe në axhendë do të ndihmojë zgjerimin e BRICS dhe përmirësimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve ekonomike mes anëtarëve të grupimit.

Fatos Çoçoli