Bekim Ibrahimi, një libër monografik për jetën e tij
2023-08-21 10:32:42

Bekim Ibrahimi jeton prej 32 vitesh në Zvicër bashkë me familjen, ku prej 10 vitesh ka krijuar biznesin e tij me instrumenta muzikore. Pasioni dhe dashuria e tij për muzikën është kthyer në atmosferën e bukur që ai vetë ka krijuar duke e pagëzuar me emrin “Swiss Musik” në një ambient ku mahnitesh nga veglat muzikore te sistemuara bukur. Ai ka një karrierë të gjatë muzikore duke sjellë mjaft këngë për artdashësit dhe shumicën e videoklipeve të këngëve i ka realizuara në Shqipëri, duke promovuar bukuritë natyrore të Shqipërisë. Para pak kohësh në Tiranë u promovua libri i tij monografik shkruar nga Jahe Fida me kujtime nga fëmijëria e tij dhe jeta artistike. Në një intervistë për Radio Ejani Bekim Ibrahmi tregon për jetën e tij në Zvicër, rrugëtimin artistik si dhe librin me monografi për jetën e tij.

CMG: Para pak kohësh promovuat në Tiranë librin tuaj monografik, ku kishit të ftuar mjaft miq dhe bashkëpunëtorë. Si erdhi ky botim dhe pritshmëritë nga lexuesit dhe miqtë tuaj?

Bekim Ibrahimi: Ky libër është një monografi që është shkruar nga shkrimtari Jahe Fida nga Tirana, që e falenderoj shumë sepse ka bërë një punë prej tre vjet e gjysmë për të shkruar një monografi për mua. Autori i këtij libri Jahe Fida është dhe bashkëpunëtori im i ngushtë, sepse kam shumë këngë të realizuara me tekstet e tij. Pra ky poet në fund realizoi këtë monografi, një libër për jetën time nga koha e fëmijërisë, jeta ime private dhe më shumë është jeta ime artistike. Promovimi i këtij libri u zhvillua në një aktivitet në Tiranë dhe Prishtinë.


CMG: Cilat ishin përshtypjet e lexuesve dhe miqve tuaj të cilët janë pjesë e këtij libri?

Bekim Ibrahimi: Libri është pritur jashtëzakonisht mirë dhe kam shumë kërkesa, meqë librin e kam dhuruar sepse nuk e kam bërë për mënyrë komerciale por ja kam dhuruar miqve dhe dashamirësve të mi. Gjithashtu librin e kam dhuruar edhe nëpër biblioteka të ndryshme në Prishtinë, Gjilan, Korçë, Tiranë, Lezhë dhe qytete të tjera, por më e veçanta është se këtu në Zyrih të Zvicrës ku unë jetoj, libri është në bibliotekën më të madhe të Zvicrës, ku janë mbi shtatë milion libra të tjerë.

CMG: Në libër ju keni përfshirë dhe intervista që keni dhënë në media të ndryshme për jetën tuaj artistike.

Bekim Ibrahimi: Në libër janë përfshirë shumë njerëz në shumë faza të jetës time artistike dhe private, janë përfshirë familjarët, bashkëpunëtorët e viteve 90-të dhe të tanishëm, gazetarë dhe media të ndryshme dhe shumë bashkëpunëtorë si dhe njerëz nga fëmijëria janë në librin tim.

CMG: Keni mbi 40 vite në skenë me këngën, ku kohët e fundit keni qenë shumë produktiv me krijimtarinë tuaj muzikore. Si janë pritur krijimet muzikore nga publiku?

Bekim Ibrahimi: Për mua nuk është hera e parë që jam përpara publikut, por është një moment ndryshe nga vitit 2020 kur ishim në pandemi dhe deri më sot kam realizuar 28 këngë, që i kam promovuar dhe jam shumë afër publikut, ku pothuajse çdo muaj realizoj ndonjë këngë dhe e promovoj. Është një ndjenjë shumë e veçantë dhe një kënaqësi e madhe kur njeriu duartrokitet, kur merr komente shumë të bukura nga publiku.

CMG: Krijimtaria juaj e fundit muzikore ka qenë me këngë të reja?

Bekim Ibrahimi: Deri në këto momente unë kam të realizuara 52 këngë, ku 28 prej tyre janë këngë të reja.

CMG: Jeni paraqituar para publikut vetëm me këngë solistike. Keni menduar në të ardhmen për ndonjë bashkëpunim me këngëtarë të tjerë?

Bekim Ibrahimi: Unë kam kërkesa për duete më shumë nga këngëtaret, por që deri sot kam pasur shumë angazhime me këngët e mia, dhe nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të dal dhe më ndonjë duet. Këtë gjë do ja lemë kohës, por që kam kërkesa sepse jam në kontakt me këngëtarë të tjerë.

CMG: Në Zvicër ju keni dhe një biznes tuajin me instrumentat muzikore. Si e ndërtuat këtë biznes me vegla muzkore në Zvicër?

Bekim Ibrahimi: Biznesi im me instrumenta muzikore “Swiss Musik” e kam ndërtuar para 10 vitesh, sepse dëshira ime ka qenë që të krijoj një biznes për instrumenta muzikore, ngaqë jam i lidhur gjithë kohës me muzikën. Unë jetoj dhe punoj me këtë punë dhe jam i kënaqur deri në këto momente me punë që bëj këtu në Zvicër.

CMG: Vini shpesh në vendlindje apo vetëm kur keni për të realizuar këngë?

Bekim Ibrahimi: Unë ndoshta fizikisht jetoj në Zvicër, por emocionalisht me kulturën dhe shumë gjëra të tjera jam i lidhur me Kosovën dhe Shqipërinë. Unë lëviz çdo muaj në Shqipëri dhe Kosovë, ku realizoj këngë dhe takoj shumë miq sa kam mundësi dhe kohë.

CMG: Sa vite keni që jetoni në Zvicër dhe si ka qenë integrimi juaj me jetën atje?

Bekim Ibrahimi: Unë kam 32 vite që jetoj në Zvicër, dhe normalisht që fillimi nuk ka qenë i lehtë, por jam integruar dhe jetoj bashkë me familjen këtu.

    

CMG: Si arrini të menaxhoni punën tuaj të përditëshme, familjen dhe jetën artistike?

Bekim Ibrahimi: Patjetër që kur përmend familjen dua ta falenderoj familjen time të ngushtë, bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Nuk është e lehtë sepse unë jam gjatë gjithë kohës në aktivitet dhe vetëm katër orë bëj gjumë, pra në 20 orë angazhim në ditë unë arrij që të menazhoj biznesin, të realizoj këngët dhe të gjej kohë për familjen.

CMG: Fëmijët tuaj e kanë trashëguar muzikën nga ju?

Bekim Ibrahimi: Dy djemtë e mi merren me sport, kurse vajza ime 9 vjeçe është e talentuar në piano dhe pas pushimeve do të fillojë këtu në Zvicër në shkollën e pianos. Ajo ka interes të madh për muzikën dhe të shohim nëse do të trashëgojë diçka nga unë.

CMG: Videoklipet e këngëve tuaj janë të realizuara profesionalsiht dhe pothuajse shumica e tyre janë të xhiruara në Shqipëri.

Bekim Ibrahimi: Patjetër që një pjesë të madhe të këngëve i realizoj vetë, pra duke filluar nga kompozimet, që deri tani kam kompozuar nga 28 këngë 24 i kam kompozuar vetë, disa këngë i kam shkruar tekstet vetë ose në bashkëpunim me poetët. Video regjitë dhe skenaret i realizoj vetë, kurse shesh xhirimet i gjej me ndihmën e bashkëpunëtorëve ose shikoj diçka nga interneti. Unë shumicën e punës e bëj vetë, duke reduktuar koston e komplet klipit por tregoj dhe atë që ndjej dhe kam unë në mendjen time. Videoklipet i kam realizuar më së shumti në Shqipëri dhe Kosovë, në shumicën e rasteve në Shqipëri sepse ka bukuri natyrore shumë të bukura.

CMG: Si një artist shumë dimensional mendoni se jeni i plotësuar me kaq sa keni arrritur në karrierën artistike deri tani apo kërkoni akoma më shumë nga vetja?

Bekim Ibrahimi: Patjetër kërkoj akoma më tepër. Vlerësimin e jep publiku dhe të them të drejtën kam marrë shumë mesazhe, duke më shkruar që përmes këngëve të mia kam promovuar edhe bukuritë e Shqipërisë.

CMG: Kontaktet me publikun i keni përmes rrjetëve sociale?

Bekim Ibrahimi: Patjetër që përmes rrjeteve sociale i kam më së shumti kontaktet me publikun sepse sot janë trend rrjetet sociale, ku marr shumë mesazhe dhe komente si dhe falenderime për këngët.

CMG: Keni pushuar këtë sezon veror?

Bekim Ibrahimi: Unë në kohën e pushimeve kam shumë punë, por që kur kam ardhur dy-tre ditë në muaj në Kosovë dhe Shqipëri për të realizuar këngët kam konsumuar dhe pushimet dhe tani do vazhdoj punën. Ndoshta nga muaji tetor do të shkoj me familjen një javë me pushime.

CMG: Duke ditur që keni biznesin tuaj me instrumenta muziore, vetë luani në ndojë instrument?

Bekim Ibrahimi: Unë luaj në instrument çifteli, piano, organo, fizarmonikë dhe pak në kitarë.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Bekim Ibrahimi: Unë ju falenderoj juve për intervistën dhe Radio Ejani i uroj shumë suksese. Ndërsa dëgjuesve tanë dhe fansave të mi i falenderoj shumë sepse ata janë insprimi im që të vazhdoj në krijimtarinë time muzikore.

Intervistoi: Gazmend Agaj