Ekspertët: Ushqimet e shtrenjta, varësi nga importi
2023-08-21 11:59:12

Inflacioni (altax)

Inflacioni (altax)

Inflacioni në Shqipëri ka prekur gjatë korrikut nivelin më të ulët që prej nisjes së krizës së çmimeve në fillim të vitit 2022. Sipas shifrave  zyrtare nga Instituti i Statistikave duket se  norma e inflacionit gjatë muajit korrik fiksohet pranë 4.2%, që është edhe niveli më i ulët që prej shkurtit të vitit të kaluar.

Kriza e çmimeve nisi pikërisht në shkurt të 2022-shit, për të kulmuar gjatë muajve pasardhës.

Korriku është muaji i dytë me radhë me inflacionin në rënie, ndërkohë që gjatë qershorit norma fiksohej pranë 4.5%.  Sipas llogarive në terma mujorë, shifrat sinjalizojnë se krahasuar me qershorin, çmimet e konsumit janë ulur me 0.1%, pavarësisht faktit se korriku përkon edhe me kulmin e sezonit turistik.

Pavarësisht rënies së inflacionit, çmimet janë në rritje me 4.2% krahasuar me korrikun e një viti më parë dhe kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë çmimet e “Ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” me 3.2 pikë përqindje.

“ Rritja vjetore e çmimeve në muajin Korrik është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije  joalkoolike” me +3,20 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e  shtëpisë” me +0,44 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,26 pikë  përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit  “Argëtim dhe kulturë” me +0,22 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me  +0,21 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e  grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,06 pikë  përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” kanë  kontribuar me +0,04 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me -0,84 pikë përqindje”, thuhet në raportin e INSTAT

INSTAT(business magazine albania)

INSTAT(business magazine albania)

Sipas ekspertëve, fluksi i madh turistëve ka ndikuar në shtrenjtimin e aktiviteteve argëtuese, të cilat kanë shënuar një rritje vjetore prej 0,22%. Po ashtu çmimet e shërbimeve restoranteve si bar, kafene dhe hoteleri, u rritën me 0,23% brenda vitit.

Sa i përket grupit të “Ushqimeve dhe pijeve joalkoolike” shifrat flasin për një rritje prej 9% gjatë Korrikut në terma vjetorë. Pavarësisht se rritje vijon të mbetet e lartë, është më e ulta që prej Shkurtit të vitit 2022. Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore Krahasuar me muajin Korrik 2022, tregojnë se rritja më e madhe e  çmimeve vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë” me 9,5 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije  joalkoolike” me 9,0 %.

“Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,0 %, “Hotele, kafene  dhe restorante” me 5,0 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,3 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,8 %, “Mallra  dhe shërbime të ndryshme” me 3,7 %, “Shërbimi arsimor” me 2,0 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe  energji” me 1,3 %, “Komunikimi” me 1,2 % dhe “Shëndeti” me 1,1 %. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 12,4 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 21,6 %, pasuar  nga nëngrupet “qumësht, djathë dhe vezë” me 13,8 %, “mish” me 11,2 %, “fruta” me 7,0 %, “peshk” me  6,1 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 3,6 %, “bukë dhe drithra” me 2,9 %,”

Sipas shifrave të Instat, krahasuar me muajin qershor 2023, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,9 %, pasuar nga çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me  0,6 %.  Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u rritën me 0,7 %, pasuar nga “Hotele, kafene dhe  restorante” me 0,6 %, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Veshje dhe këpucë” me 0,4 % secili, “Mobilje,  pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 % sec”

 

Eksperti Eduart Gjokutaj (altax)

Eksperti Eduart Gjokutaj (altax)

Në një intervistë për Top Channel, eksperti i ekonomisë  Eduart Gjokutaj tha se  zhvlerësimi i fortë i monedhës euro do duhej të kishte një impakt më të fortë në uljen e çmimit për produktet ushqimore.

“Ndërsa kemi një inflacion rënës, euro që po dobësohet nuk e lë të shprehet normal pasi ajo pjesë e informalitetit i bën më të kujdesshme apo agresive në treg ata që konsiderohen si importues. Çmimet e ushqimeve varen më shumë nga çmimet e importit dhe nga pjesa e asaj që quhet spekulim në treg. Duhet që nëpërmjet kontrollit të herëpashershëm të informojnë për ti dhënë siguri tregtarëve që nuk do të taksohen më shumë”- tha Eduart Gjokutaj.

Lehtësimi i presioneve të huaja inflacioniste është materializuar në rënien e vazhduar të kontributit të inflacionit të importuar në atë total gjatë gjithë pjesës së parë të vitit 2023. Efektet rënëse të çmimeve të lëndëve të para energjetike dhe ushqimore në tregjet e huaja si edhe ato të mbiçmimit të monedhës vendase, janë përcjellë më shumë përmes pjesës së tregtueshme të mallrave të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Kjo situatë ka bërë që pesha e inflacionit të importuar të zbresë në 19 % të inflacionit total gjatë tremujorit të dytë të vitit, nga 26% në tremujorin e mëparshëm. Gjithësesi Banka e Shqipërisë parashikon që trajektorja e inflacionit parashikohet të vijojë kahun rënës, për shkak të presioneve më të moderuara nga çmimet e huaja.Presionet e brendshme inflacioniste, gjithashtu, pritet të zbuten nën ndikimin e ciklit normalizues të politikës monetare dhe prirjes rënëse të pritjeve inflacioniste afatmesme. Sipas projeksioneve të raportit të fundit të politikës monetare, inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në mesin e vitit 2024.