Shkëmbimet rinore pasqyrojnë miqësinë e ngushtë Kinë-Afrikë e Jugut
2023-08-21 11:58:03

Si mësues i gjuhës kineze dhe dikur student i Institutit "Konfuci" në Universitetin e Teknologjisë të Durbanit në Afrikën e Jugut, Sanele Ntuli është pjesëmarrës dhe përfitues sa u përket shkëmbimeve kulturore dhe bashkëpunimit Kinë-Afrikë e Jugut.

Ai e nisi mësimin e gjuhës kineze në institut që më 2018 dhe ka qenë në Kinë për një studim njëvjeçar në vitin 2019, duke përjetuar zhvillimin e Kinës. Interesi i fortë dhe mësimi i vazhdueshëm i mundësuan atij të ofrojë mësimdhënien e gjuhës kineze për vendasit në Afrikën e Jugut.

Kohët e fundit, 50 pedagogë dhe studentë të institutit i shkruan një letër presidentit kinez Xi Jinping, duke e falënderuar atë dhe qeverinë kineze për ofrimin e mundësive për të rinjtë afrikanë që të mësojnë kinezisht dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.

Ishte fillimisht ideja e Ntulit t'i shkruante presidentit Xi për t'i treguar atij rreth zhvillimit dhe arritjeve të institutit. "Do të jetë një përmbushje ëndrre në qoftë se presidenti Xi na përgjigjet dhe na viziton," i tha ai Grupit Mediatik të Kinës.

Fatmirësisht ëndrra e tij u realizua. Më 18 gusht, presidenti Xi u përgjigj letrës duke i inkurajuar ata të mësojnë mirë gjuhën kineze dhe të kontribuojnë për të vazhduar miqësinë Kinë-Afrikë e Jugut dhe për të nxitur bashkëpunimin miqësor ndërmjet të dy vendeve.

Presidenti kinez planifikon të marrë pjesë në samitin e 15-të të BRICS-it në Johanesburg, qytetin më të madh të Afrikës së Jugut, dhe të bëjë një vizitë shtetërore në këtë vend nga 21 deri më 24 gusht.

Ka tani gjashtë Institute "Konfuci" dhe tre klasa të pavarura "Konfuci" në Afrikën e Jugut. Më tepër se 10 universitete kineze kanë vendosur partneritet me universitetet në Afrikën e Jugut.

Në 2015, Afrika e Jugut ishte e para ndërmjet vendeve afrikane që e përfshiu mësimin e gjuhës kineze në sistemin arsimor kombëtar.