Muzeu Britanik pushon një punëtor, i dyshuar për sende të humbura, të vjedhura ose të dëmtuara
2023-08-20 12:14:42

Foto nga VCG

Muzeu Britanik ka shkarkuar nga puna një anëtar të stafit pasi objektet nga koleksioni i tij u zbuluan se ishin “të humbura, të vjedhura ose të dëmtuara”, njoftoi muzeu përmes një deklarate, shkruan “Xinhua”.

Artikujt përfshinin bizhuteri ari dhe xhevahire me gurë gjysmë të çmuar dhe xhami që datojnë nga shekulli XV p.e.s. deri në shekullin XIX.

Asnjë nga artikujt në fjalë nuk ishte ekspozuar publikisht kohët e fundit dhe shumica mbaheshin në një depo që i përkiste një prej koleksioneve të muzeut, sipas deklaratës.

“Ky është një incident shumë i pazakontë. Kemi forcuar tashmë masat e sigurisë dhe po punojmë së bashku me ekspertë të jashtëm për të pasur një listë përfundimtare të asaj që mungon, dëmtuar dhe vjedhur”, deklaroi drejtori i muzeut Hartwig Fischer, duke vënë në dukje se muzeu kërkoi falje për atë që kishte ndodhur.

Muzeu bëri të ditur se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër anëtarit të stafit që u pushua nga puna dhe çështja tani po hetohet nga Komanda e Krimit Ekonomik të Policisë Metropolitane.

Ajo ka nisur gjithashtu një rishikim të pavarur të sigurisë për të shqyrtuar incidentin dhe për të dhënë këshilla në lidhje me rregullimet e sigurisë së muzeut në të ardhmen. Rishikimi do të fillojë dhe do të mbështesë një program për të rikuperuar artikujt që mungojnë.

I themeluar në vitin 1753, Muzeu Britanik ka një koleksion prej rreth 8 milionë objektesh që mbulojnë dy milionë vjet të historisë njerëzore. (Elona)