Greqia akuza ndaj Turqisë: Po provokon me shkeljen e kufirit
2023-08-20 13:37:40

Foto nga VCG

Forcat turke kanë nisur punimet ndërtimore në fshatin e përzier Pyla të Qipros pa lejen e OKB-së, duke shkelur statusin neutral të zonës. Në Pyla jetojnë qipriotë grekë dhe turq dhe kontrollohet nga OKB-ja. Në një deklaratë, Forca Paqeruajtëse e OKB-së në Qipro (UNFICYP) thotë se është e shqetësuar për planet për punë të paautorizuara brenda tokës së askujt pranë Pylës dhe thekson rëndësinë e respektimit të mandatit të misionit, citon “Panorama” gazetën greke “Protothema”.

Ndër të tjera theksohet se forca është duke punuar me të dyja palët dhe se është bërë përparim për të promovuar një rrugë të pranueshme reciprokisht në rajon.

Në të njëjtën kohë, UNFICYP kërkon parandalimin e tensioneve dhe ruajtjen e status quo-së në zonën neutrale. Përfaqësuesi i qeverisë qipriote, Konstantinos Letympiotis, në një deklaratë me shkrim thotë: “Regjimi pushtues turk po përpiqet të krijojë vendbanime të reja brenda zonës së Pylasit duke planifikuar një hyrje të paligjshme në zonë për ndërtimin e një rruge që do të lidhë fshatin e pushtuar Arsos me një post ushtarak të avancuar të paligjshëm të regjimit pushtues. Kjo është një përpjekje për të shkelur rëndë status quo-në. Qeveria qipriote po punon për të parandaluar këtë plan turk në bashkëpunim me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, BE-në dhe UNFICYP-në, si dhe me qeverinë greke”.

Kontaktet në nivel të komunitetit ndërkombëtar janë duke u zhvilluar me Turqinë si marrëse, duke theksuar seriozitetin e shkeljes, si dhe pasojat negative të një veprimi të tillë, si për perspektivën e rifillimit të negociatave për çështjen e Qipros, ashtu edhe për ato euro-turke.

Qeveria qipriote pret që Forca Paqeruajtëse në Qipro të parandalojë këto plane, në përputhje me kushtet e mandatit të saj”. (Elona)