
Foto nga VCG
Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk po tenton të shtyjë Bjellorusinë që t’i bashkohet luftës në Ukrainë. Deklarata u bë nga lideri bjellorus, Aleksandër Lukashenko, në një intervistë të publikuar më 17 gusht.
“Për të përfshirë Bjellorusinë… çfarë do të përfitonim? Asgjë”, tha Lukashenko, një prej aleatëve më të ngushtë të Putinit.
Lukashenko po ashtu tha se beson se Rusia veçse ka arritur qëllimet në atë që Moska e quan “operacion të posaçëm ushtarak” në Ukrainë, duke theksuar se të dyja palët duhet të ulen dhe të negociojnë.
Sipas tij, Kievi dhe Moska duhet të jenë të gatshëm të diskutojnë për të gjitha çështjet, përfshirë edhe të ardhmen e gadishullit të Krimesë, shkruan “Panorama”. Lukashenko tha po ashtu se ka pasur kontakte të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Bjellorusisë, por presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka ndërprerë ato.
Minsku është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare për shkak të ndihmës që i jep Moskës. (Elona)
