
Foto nga VCG
Niveli i kërcënimit terrorist në Suedi është rritur në “i lartë”, njoftoi Shërbimi Suedez i Sigurisë (SAPO). Kërcënimi i paraqitur nga aktorët e dhunshëm islamikë është rritur gjatë vitit të kaluar, tha në një deklaratë për shtyp drejtoresha e përgjithshme e Shërbimit Suedez të Sigurisë Charlotte von Essen. "Suedia është kthyer nga një objektiv legjitim i sulmeve terroriste në një objektiv me përparësi. Sipas vlerësimit tonë, ky kërcënim do të mbetet për një kohë të gjatë",- tha von Essen. Ajo tha se vendimi për të ngritur nivelin e kërcënimit terrorist nuk ishte i lidhur me ndonjë ngjarje specifike, por duhet të konsiderohet në një perspektivë strategjike dhe afatgjatë, citon “Xinhua”. Hera e fundit që SAPO ngriti nivelin e kërcënimit në "të lartë" ishte gjatë një periudhe të shkurtër midis 18 nëntorit 2015 dhe 2 marsit 2016. Suedia dhe Danimarka kanë qenë në qendër të vëmendjes javët e fundit pasi disa ekstremistë dogjën ose përdhosën në mënyrë të përsëritur Kuranin në kryeqytetet e të dy vendeve, gjë që shkaktoi kritika nga vendet myslimane në mbarë botën. (Elona)
