Roja bregdetare greke shpëton rreth 90 emigrantë
2023-08-19 12:07:02

Foto nga VCG

Një varkë me vela me rreth 90 emigrantë në bord është përplasur rreth 18.5 kilometra në juglindje të ishullit grek të Amorgos.

Transmetuesi shtetëror ERT raportoi se anijet kalimtare dhe varkat patrulluese arritën të shpëtonin të gjithë emigrantët, citon “ATSH”. Ata u akomoduan në kampin e pritjes dhe regjistrimit në ishullin Leros. Emigrantët thuhet se vijnë nga vende të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe Afrikës.

Ministria Greke e Migracionit ka regjistruar një rritje të ndjeshme të numrit të emigrantëve që kalojnë nga brigjet turke të Egjeut drejt ishujve të ndryshëm grekë javët e fundit. Sipas ministrisë, 6 669 emigrantë u vendosën në qendrat e pritjes në mes të gushtit. Numri i tyre është dyfishuar në krahasim me gushtin e vitit të kaluar.  Bandat e kontrabandës sjellin emigrantë nga Turqia, Libani, Siria, Egjipti dhe Libia në vendet e BE-së.

“Për këto udhëtime, emigrantët paguajnë nga 500 deri në 7000 euro në varësi të distancës”, sipas oficerëve të policisë dhe rojës bregdetare.  (Elona)