Ansambli “Amantia” vlerësohet me dy çmime në Festivalin e Polonisë
2023-08-19 13:52:32


Nje performance e grupit te valleve te burrave

Ansambli Folklorik “Amantia” nga qyteti i Vlorës mori pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folkut, që u zhvillua në rajonin e Bielsko-Biata të Polonisë. Në këtë festival grupi u vlerësua me dy çmime speciale, çmimin pēr performancë të shkëlqyer artistike nga 16 grupe konkuruese si dhe çmimin e interpretimit të këngēs më autentike për burra (polifoni). Grupi gjatë netëve të festivalit ka performuar në 8 skena të ndryshme, ndērsa në një nga mbrëmjet dha shfaqje për konkurim me një performancë 45 minutëshe, e ndërthurur me këngë polifonike të interpretuara mjeshtērisht nga Nazif Çela, Golik Likaj dhe Gëzim Rakipaj, shoqëruar me fyell nga Vendim Kapaj. Pjesë e performancës së grupit ishin dhe këngët qytetare vlonjate si dhe grupi i valleve që performoi në skenën e festivalit valle me motive çame, valle të jugut dhe Shqipërisë së mesme, duke e mbyllur performancēn me vallen “Festë të madhe ka sot Shqipëria”.

Ansambli Amantia 

Drejtori i Ansamblit “Amantia” Elidon Brahimi tregon për Radio Ejani punën që është bërë me grupin për pjesëmarrjen në këtë festival.

“Normalisht është një punë goxha e madhe sepse të përgatitesh dhe të dalësh në skenë do të paktën tre-katër muaj. Ishte një punë e palodhshme e të gjithë grupit, valltarëve, muzikantëve dhe këngëtarëve të polifonisë. Kështu që u nderuam dhe morëm frytet e asaj pune të lodhshme dhe të kënaqëshme, sepse tek e fundit është pasioni që na mban” u shpreh Brahimi

CMG: Kur shkon në një rrugë të largët duhet dhe një mbështetje finaciare. Si ka qenë mbështetja për grupin që të udhëtonte drejt Polonisë?

Elidon Brahimi: Në fakt arti jo vetëm tek ne, por në përgjithësi ka probleme të sponsorizimit. Ne para një viti ishim në Portugali, në një festival të madh atje dhe ikëm me shpenzimet tona, thjesht për të përcjellë kulturën dhe artin shqiptar. Këtë radhë ishte një festival më i madh me shumë grupe nga vende të tjera. Nuk patëm mbështetje nga pushteti vendor ose ministria, por të paktën dashamirësit dhe shokët na sponsorizuan, një pjesë të madhe ata dhe pjesën tjetër vetë dhe ja dolëm me vështirësi, por jemi të lumtur në fund sepse arritëm atë që deshëm të arrinim.

Ansambli Amantia ne skenen e festivalit 

CMG: Në krahasim me festivalin e një viti më parë në Portugali këtë herë në Poloni aktiviteti i grupit ka qenë më i ngjeshur dhe më shumë grupe pjesëmarrëse.

Elidon Brahimi: Festivali i Portugalisë ishte shumë i bukur por ishin më pak grupe, kurse ky ishte festival shumë herë më i madh, ku ishin 16 grupe konkuruese përpos 40 grupeve të Polonisë. Kështu që angazhimi ishte më i madh, ku kishim më shumë materiale sepse çdo koncert ne kishim 45 minuta performancë. Pra ishte një punë shumë e madhe dhe unë jam shumë i kënaqur me gjithë grupin. Aty na duartrokitën dhe ishim i vetmi grup që na kthyen disa herë në skenë.

Grupi i valleve gjate nje performance 

CMG: Ansambli Amantia u përfaqësua dhe me një grup polifonik të qytetit të Vlorës. Si u prit polifonia në këtë festival?

Elidon Brahimi: Kishim një grup polifonik që është në ansamblin Amantia, ku ishin tre emra të mëdhenj që kanë marrë dhe tituj “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. Kënga polifonike është e mbrojtur nga UNESCO dhe siç prisnim morëm çmimin e performancës më të mirë në tërësi si grup, ndërsa polifonia mori çmimin për këngën autentike të burrave, pra polifonisë. Kështu që jemi shumë të lumtur sepse ajo ishte kënaqësia më e madhe. Ne jemi një grup të paktën 20 vjet, dhe është pasioni që na mban të mbledhur bashkë në sakrificat tona të vogla e të mëdha. Ndjehemi mirë me njëri- tjetrin dhe mundohemi të japim maksimumin, sepse ne nuk përfaqësuam vetëm Vlorën me ansamblin Amantia, por përfaqësuam gjithë shtetin dhe ngritëm lart flamurin shqiptar. Do vazhdojmë siç kemi vazhduar dhe shpresojmë që mos të jetë kjo gjendje nga mbështetja e artit. Kjo shpresë na ka mbajtur gjallë 20 vjet dhe ndoshta ka ardhur momenti ta na mbështesin sepse e kemi pasion këtë pjesën e artit. Në fund një përshëndetje të madhe do të përcjell për sponsorët tanë, duke filluar nga Regian Group që ishte sponsor i pëgjithshëm, kishim furrë buke Karabashi që nuk mungon asnjëherë në eventet që ne bëjmë, Kral Hotel që na mundësoi dhe kësaj herë një ndihmë dhe disa të tjerë, por dhe një pjesë e mbuluam ne vetë.

Mjeshtri i polifonisë Nazif Çela ndan me ne emocionet e përjetuara në skenë me këngën polifonike.  

Nazif Çela: Si zakonisht grupi poifonik i Vlorës është mësuar me këto rrugë të shkëlqyera me këto festivale të jashtëzakonshme siç ishte dhe festivali i folkut në Poloni. Ne ndjemë emocionet e skenës ashtu si i kemi ndjerë gjithmonë, por kishte dhe të veçanta ky festival sepse ishte një zonë malore dhe e para që na kënaqi ishte temperatura e ulët, që na bënte të performonim aq mirë dhe bukur në skenë. Ne si grup polifonik me Vendim Kapaj në fyell u paraqitëm në mënyrën më të mrekullueshme. Patëm emocione të jashtëzakonshme qoftë nga duartrokitjet e publikut, por edhe nga vetja jonë që ne ndjenim aty në skenë. Që natën e parë që performuam në skenë ndjemë një ngrohtësi të jashtëzakonshme nga publiku polak.

Grupi i valltareve ne skene

CMG: Cilat ishin këngët polifonike që interpretuat në këtë festival?

Nazif Çela: Ne interpretuam këngët “Janinës ç’i panë sytë”, “Ago ago Ymer Ago” dhe shumë këngë të tjera epike, lirike dhe historike. Ne si grup polifonik interpretuam bashkë me Gëzimin dhe Isain, ku dolëm shumë mirë sepse të gjitha këngët ishin të mrekullueshme. Në këtë festival grupi polifonik u vlerësua me çmimin special si kënga e burave të polifonisë së Vlorës.

Për instrumentistin e fyellit Vendim Kapaj ky festival ishte nga rrugët më të bukura dhe të organizuara, duke shijuar udhëtimin dhe paraqitjen e grupit në skenë.   

Vendim Kapaj: Ne ishim në Poloni ku në radhë të parë përfaqësuam shtetin tonë, Vlorën dhe vetveten. Ishim në Wiskla të Polonisë dhe bëmë një paraqitje shumë dinjitoze. Unë kam udhëtuar bashkë me Nazif Çelën në shumë vende të botës, por këtë herë kishim një grup të mrekullueshëm dhe për herë të parë e kam shijuar udhëtimin sepse ishte çdo gjë transparente, në mënyrë korrekte për hir të folklorit dhe artit shqiptar. Falenderoj shumë kompanitë që na mbështetën sepse pa ndihmën e tyre ne nuk mund të shkonim dot atje për të përfaqësuar vendin tonë. Gjithashtu një falendrim për kryetarin e bashkisë që na krijoi mundësi sepse ka shumë rëndësi mbështetja. Me grupin kemi korrur një sukses të madh sa të gjithë janë mahnitur me kostumet tona, me vallet e mrekullueshme nga valltarët të formuar artistikisht, nga ana koreografike dhe profesionalizmi i tyre. Faleminderit shumë të gjithë valltarëve dhe në veçanti Elidon Brahimit koreografit dhe drejtorit të ansamblit Amantia, sepse unë për herë të parë e kam ndjerë veten të vlerësuar si artist. Në këtë festival ishte një juri botërore dhe njëri nga anëtarët e jurisë erdhi dhe më pyeti se çfarë shkolle kisha mbaruar sepse dëgjoi polifoni. Ne i thamë se nuk kemi mbaruar ndonjë shkollë muzike, por e kemi dhunti  dhe ai më merr fyellin e më pyet sesi i bija unë.

Për mikrofonin e Radio Ejani u shpreh dhe valltari i Ansamblit Amantia Amel Tahiri, me një eksperiencë të gjatë në fushën e valles.

Amel Tahiri: Ky festival ishte në edicionin e tij të 60-të, ku pjesëmarrës në total ishin 14 shtete të huaja dhe 20 grupe nga qytete të ndryshme dhe rrethina të pjesës jugore të Polonisë. Ne kemi performuar në pesë skena të ndryshme, ku grupi Amantia është i përbërë me performancën e valltarëve dhe atë të grupit polifonik. Në pjesën e grupit polifonik kemi mjeshtrat e mëdhenj të polifonisë labe, duke filluar me Nazif Çelën, Vendim Kapaj, Golik Likaj, Gëzim Rakipaj. Pra janë këta mjeshtra të folklorit dhe polifonisë labe. Ndërkohë dhe grupi i valltarëve pjesërisht me mosha më të reja sepse kemi një ndërthurje të moshave, duke filluar që nga mosha 15 vjeç deri në mosha më të mëdhaja. Sigurisht e veçantë e grupit tonë ndryshe nga grupet e tjera pjesëmarrëse në këtë festival ishte larmishmëria dhe ndërthurja e valltarëv me grupin polifonik.

Grupi polifonik gjate performances ne festival

CMG: Cilat valle interpretuat në skenë në ditët e festivalit dhe si u pritët nga publiku?

Amel Tahiri: Ne kemi dhënë performance 45 minutëshe në skena të ndryshme, ku kemi pasur një përfaqësim të të gjitha trevave në valle, duke filluar me vallen e jugut, më pas me valle me motive veriore dhe të Shqipërisë së mesme, dhe duke e mbyllur performancën tonë me vallen “Festë të madhe ka Shqipëria”. Performanca e valleve u mbyll me ngritjen e flamurit shqiptar, ku morëm dhe duartrokitjet e publikut aq më tepër që përdorimi i simboleve kombëtare dhe flamurit ishte një mbyllje performance që i jepte më shumë ngjyrë patriotike paraqitjes sonë në skenë.

Nje performance e valltareve

CMG: Në këtë festival grupi juaj u vlerësua nga juria për performancë të shkëlqyer. Si u ndjetë me këtë vlerësim?

Amel Tahiri: Përgjithësisht në festival u shpërndanë disa çmime, por gjashtë ishin çmimet speciale që ju dhanë grupeve pjesëmarrëse në këtë festival. Ne sigurisht që jemi më të nderuar në këtë festival sepse morëm dy çmime. Juria pjesëmarrëse ka vlerësuar të gjitha sjelljet tona artistike në skenë, duke nisur që nga prezantimi i veshjeve tradicionale, performanca skenike dhe pjesa e instrumentave shoqëruese. Pra ka qenë një ndërthurje e të gjithë këtyre komponentëve të cilat na bënë një përfaqësi dinjitoze në skenë, dhe juria sigurisht dha vlerësimin e saj më të mirë për grupin e nisur nga të gjitha këto komponentë së bashku.

Vendim Kapaj gjate performances me fyell

CMG: Keni marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare të folkut. Cilat janë mbresat tuaja për organizimin e festivalin të folkut në Poloni?

Amel Tahiri: Ky ishte një festival me pjesëmarrje nga shumë shtete dhe njëkohësisht ishte dhe një festival i lodhshëm për ne sepse kishim pothuajse dy shfaqje në ditë, pra kemi qenë pjesën më të madhe të kohës duke shkuar nga skena në skenë. Ishte një festival i përmasave të mëdhaja më një organizim të shkëlqyer, ku në çdo skenë që performuam ishin skena me një publik afër 1000 persona. Performancën tonë e kemi mbyllur në skenën kryesore të festivalit në qytetin e Ëiskla, e cila kishte një kapacitet prej 3000 personash në skenë. Dua të theksoj se të gjitha grupet ishin të pregatitura me një përfaqësi dinjitoze të shteteve pjesëmarrëse në këtë festival. Kemi pasur emocione skenike sidomos ditën e konkurimit, duke qenë se shikonim dhe performancat e grupeve të tjera dhe kishim emocione për përfaqësimin në skenë të performancës tonë.

Intervistoi: Gazmend Agaj