
Zelensky dhe Stoltenberg (Foto Panorama)
Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe zyrtarë të lartë ukrainas kritikuan komentet e bëra nga zyrtari i lartë i NATO-s, Stian Jenssen, i cili foli për ndarjen e një pjese të territorit ukrainas për Rusinë, në këmbim të anëtarësimit të vendit në NATO, si një mënyrë për dhënien fund të konfliktit mes dy vendeve.
“Ne gjithmonë kemi besuar se aleanca, sikurse Ukraina, nuk tregton territore”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ukrainase, Oleh Nikolenko, përmes një postimi në rrjetet sociale, citon “Panorama”.
Oleksiy Danilov, sekretar i Këshillit për Siguri Kombëtare të Ukrainës, i ka quajtur komentet e Jenssenit, shefit të stafit të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si të çuditshme.
“Është absolutisht e paqartë pse ai e ka bërë këtë gjë”,- ka thënë Danilov.
Përgjatë një paneli diskutimi të 15 gushtit në Arendal të Norvegjisë, Jenssen i ka bërë komentet duke thënë se diçka e tillë mund të shërbejë si zgjidhje e mundshme për t’i dhënë fund konfliktit. Ai, po ashtu, ka përmendur se Rusia është duke u përballur me shumë sfida në aspektin ushtarak dhe duket joreale që mund të pushtojë territore të reja, si dhe e ka përsëritur qëndrimin e NATO-s, se vendimi për të negociuar me Rusinë i takon Ukrainës.
Shërbimi për media i NATO-s bëri të ditur se deklarata për territoret ka qenë e gabuar. Jenssen i ka thënë edhe një gazete norvegjeze se ai nuk do të duhej të fliste aq thjesht.
“Deklaratat e mia kanë qenë pjesë e një diskutimi më të gjerë për skenarët e mundshëm për Ukrainën dhe unë nuk do të duhej ta deklarohesha ashtu. Ka qenë gabim”, - ka thënë ai për gazetën norvegjeze “VG”.
Megjithatë, ai nuk e ka tërhequr mbrapsht idenë e dhënies së tokës në këmbim të anëtarësimit në NATO.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i ka quajtur komentet e Jenssenit si deklaratë false që ka synim politik, duke e përsëritur kundërshtimin e Rusisë për anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO. Dmitry Medvedev, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, shkroi në “Telegram” se për të hyrë në NATO, autoritetet ukrainase duhet të heqin dorë nga vetë Kievi, kryeqyteti i Rusisë së lashtë. (Elona)
