Ekonomia kineze, bilanci i 6 mujorit të parë të vitit
2023-08-18 11:37:50

Zyra Kombëtare e Statistikave të Kinës ka publikuar vlerësimet paraprake të ekonomisë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në gjysmën e parë të vitit ka arritur në 59,303.4 miliardë juanë, me një rritje prej 5.5% nga viti në vit, ose një zgjerim në 1.0% më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2023.

Rritja e lartë ekonomike në tremujorin e dytë të vitit 2023 ka ndryshuar parashikimin e Bankës Botërore për ekonominë e Kinës duke vlerësuar që do të arrijë një rritje në 5.6%  për vitin 2023. Për ecurinë e ekonomisë kineze në gjysmën e pare të këtij viti flet në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG), analisti i ekonomisë Bardhi Sejdarasi

Ekonomia kineze, bilanci i 6 mujorit të parë të vitit

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, zhvillimi ekonomik dhe social i Kinës është kthyer plotësisht në normalitet. Politikat makroekonomike kanë dhënë efektet e tyre dhe ekonomia kombëtare ka treguar rritje të qëndrueshme.

Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG

Bardhi Sejdarasi në intervistë për CMG

CMG: Si e vlerësoni 6 mujorin e pare të zhvillimit ekonomik në Kinë, që përkon dhe me periudhën pas pandemisë?

Bardhi Sejdarasi: Analiza e treguesve kur mbyllet 6 mujori bëhet në mënyrë globale. Kjo ka një karakteristikë të veçantë sepse duhet të shohësh ecurinë mbi të cilën ka lëvizur ekonomia, pra cilat kanë qenë parashikimet dhe si janë realizuar ato. Këtë gjë e bëjnë veçanërisht institucionet e njohura ndërkombëtare, që monitorojnë zhvillimin ekonomik të vendeve të ndryshme të botës.

Sa i përket parashikimeve të bëra nga institucionet ndërkombëtare siç janë Goldman Sachs, Nomura dhe S&P, të cilat janë shumë strikte e konservatore, çuditërisht në këtë 6 mujor kanë ndryshuar në mënyrë të theksuar shifrën e parashikimit. Edhe Standard&Poors që kishte parashikuar një rritje ekonomike të ekonomisë kineze deri tek 4.7 për qind dhe pastaj të korrigjuar në 5.2 për qind është befasuar nga rritja ekonomike prej 6.2 për qind e PBB-së së Kinës.

Është një shifër befasuese duke patur parasysh periudhën e Covid 19, masat e marra nga qeveria kineze për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe këto janë rezultatet.

Agjencitë e ndryshme ndërkombëtare, që kishin parashikuar ndër vite pjesë reale të rritjes së PBB-së  kanë dale “jashtë loje” nga rezultatet fizike, të dukshme.

CMG: Një histori e ngjashme ka ndodhur vitin e kaluar me FMN që ndryshoi tre here gjatë vitit shifrat e rritjes ekonomike të Kinës.

Bardhi Sejdarasi: Eshtë e vërtetë dhe kjo është dinamika e një kompanie që lëviz. Ka një studim që lidhet me institucionet ndërkombëtare, sipas të cilit parashikohet që në fund të vitit 2030 kapërcimi i treguesve që lidhen me PBB-në e Kinës, do ta çojë atë në vendin e pare si ekonomi botërore.

Nëse e ndjekim ecurinë gjatë gjithë vitit mbetet shifra 6.2 për qind, e cila nuk ka qenë e parashikuar nga asnjera nga agjencitë ndërkombëtare  dhe pritet të jetë edhe më e lartë nëse do të shohim treguesit që po ndiqen në këtë moment. Për shembull konsumi shumë i forte 5.7 për qind në 6 mujorin e pare të 2023 e tejkaloi çdo vlerësim të Goldman Sachs, Nomura dhe S&P.

CMG: Ndërkohë Banka Botërore ka vlerësuar se rritja do të jetë 5.6 për qind.

Bardhi Sejdarasi: Nisur nga tregues të veçantë të ekonomisë  ka shumë faktorë që ndikojnë. Megjithatë analistët i ngritën parashikimet  qënë fillim të vitit.

CMG: Mendoni se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të pandemisë dhe pasojave të saj?

Ekonomia kineze dhe ndikimi global (Foto CMG)

Ekonomia kineze dhe ndikimi global (Foto CMG)

Bardhi Sejdarasi: Ka ndodhur që vetë qeveria dhe politikat e ndjekura kanë kërkuar të tejkalohej faza e rënies. Edhe pse në nëntor të vitit të kaluar dhe në 3 mujorin e pare të këtij viti pati shenja të ngadalësimit të rritjes ekonomike. Ndaj politikat u axhustuan në mënyrë të tillë që të çonin pikërisht në atë që janë kapacitetet reale të ekonomisë kineze. Te këto kapacitete  mund të përmendet veçanërisht në 6 mujorin e pare të 2023 turizmi, i cili pati një hop të jashtëzakonshëm. Po ashtu autoritetet kineze raportojnë bashkë me turizmin dhe argëtimin.

Shtirja e bazës së klientëve vendës, që ishin kryesorët  e lejoi sektorin e turizmit në Kinë që të bënte rimëkëmbjen më të dukshme, e cila u vlerësua si e jashtëzakonëshme edhe nga agjencitë ndërkombëtare. Një element i dukshëm është kampingu, që pak njihet në Shqipëri, si dhe lëvizja në destinacione të njohura turistike, ndikoi në një rritje të madhe të 6 mujorit. Shpresoj që në 6 mujorin e dytë të këtij viti të ketë një tendencë rritjeje. Kjo është e njohur në ekonominë botërore sepse fillimi i sezonit turistik dhe pastaj muajt korrik, gusht, shtator, por dhe më pas viti i ri kinez do të ndikojnë në këtë rritje.

CMG: Turizmi i brendshëm në Kinë ka karakteristikat e veta. Nëse e krahasojmë me Shqipërinë ne kemi sezonin veror, ku bëhet pjesa më e madhe e turizmit, në Kinë ky lloj turizmi është shumë i lidhur me festat tradicionale popullore si Viti i Ri, Festa e Mesvjeshtës, Festa e Varkës së Dragoit e të tjera. Gjatë këtyre festave mijëravjeçare regjistrohen dhe lëvizjet më të mëdha ndër krahinat e Kinës të turizmit të brendshëm.

Bardhi Sejdarasi: Kam marë disa shifra nga Forumi Makroekonomik i Kinës që janë mjaft interesante sepse përdoren shpesh për të bërë krahasime midis shteteve.

Për shembull industria e restoranteve në Kinë, ne nuk e kemi në Shqipëri këtë term veçmas, është shifra më e lartë e arritur, 894 miliard dollarë amerikanë deri në fund të vitit 2023. Këtu shikojmë se ky sektor ka nisur si turizëm i argëtimit dhe është shndërruar në një industri, e cila i jep ekonomisë gjithë këtë xhiro.

CMG: Pas lehtësimit të masave shtrënguese të pandemisë Covid 19 pritej ky hop i turizmit të brendshëm dhe sektorëve të tjerë lidhur me të.

Ekonomia kineze në 6 mujorin e parë të vitit 2023 (Foto CMG)

Ekonomia kineze në 6 mujorin e parë të vitit 2023 (Foto CMG)

Bardhi Sejdarasi: Hapja e ekonomisë kineze shihet dhe në rritjen e kafeneve, që pritet të rriten 5 për qind deri në fund të vitit 2023, duke përfshirë këtu 120 mijë pika të reja kafenesh, të cilat kanë një ndikim prej rreth 30 miliardë dollarë amerikanë në vitet 2023,2024,2025. Kjo  e ardhur gjeneron jo vetëm punësim në ekonominë kineze, që sjell edhe të ardhura, por gjeneron dhe kërkesën për të shpenzuar, e cila ka më shumë të hyra fiskale në ekonomi.

CMG: Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, biznesi në Kinë ka ruajtur prirjen e rigjallërimit dhe thithja e investimeve të huaja, si edhe investimet jashtë vendit, kanë treguar qëndrueshmëri. Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës deklaroi këto ditë se synonte disa fusha, duke përfshirë transportin, administrimin e ujit, energjinë e pastër, infrastrukturën e re, prodhimin e përparuar dhe bujqësinë moderne. Komenti juaj

Bardhi Sejdarasi: Këto janë pikat kryesore ku orientohet ekonomia kineze. Por le të ndalemi te sektori i automobilave në Kinë, që sjell të ardhura 48.1 për qind më të larta në krahasim me vitin e kaluar, duke u rritur më shumë  se gjysma e treguesve që ka patur ekonomia një vit më pare, ose 794 mijë njësi më tepër krahasuar me vitin e kaluar. Kjo do të thotë që shkon deri në 5.6 milion njësi më shumë në total vetëm për një vit, duke i dhënë një frymëmarrje të madhe ekonomisë kineze.

I jam referuar Shoqatës së Prodhuesve të Automjeteve, e cila parashikon që shitjet në Kinë vetëm në vitin 2023 do të rriten me 9 milion njësi ose 35 për qind nga një vit në tjetrin.

Edhe në Shqipëri pritet që shumë shpejt të kemi një kompani shumë të njohur të përbashkët, e cila do të sjellë një nga tregjet më të nevojshëm sot, tregun e makinave elektrike. Janë duke u marë masat dhe është licensuar kompania pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe do të jetë pjesë e të gjithë parkut të makinave që vijnë nga Republika Popullore e Kinës.

CMG: Ky do të ishte një lajm shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, konsumatorët, por mbi të gjitha për mbrojtjen e mjedisit.

Bardhi Sejdarasi: Kompania, që nuk dua ta përmend emrin, ka aplikuar që përveç makinave elektrike të të gjitha llojeve, që nga veturat deri te autobuzët do të sjellë dhe sistemin e karikimit.

CMG: Kina ka një eksperiencë të konsoliduar në këtë fushë. Fillimisht ky sektor ka patur vështirësitë e veta, por tani me zhvillimin që ka marrë ofron mundësi shkëmbimesh për të gjithë

Bardhi Sejdarasi: Kur them që sektori rritet me 9 milion njësi, kjo është mire edhe për ne sepse pjesa e përfitimit vjen për shkak të çmimeve. Një treg i tillë ofron jo vetëm cilësi, por edhe koston, që ne e kemi problem, sepse sa më e ulët të jetë kostoja aq më fitimprurës është për një blerës shqiptar. Kompania ka sjellë automjete me kapacitete nga 120 km deri në 800 km, pra është i gjithë diapazoni që të marrësh  një makinë dhe të lëvizësh Shqipërinë pa patur nevojë ta karikosh.

Kina ka një veçanti për vitin 2023 sepse duke qenë prodhuesi kryesor në botë i baterive të makinave elektrike dhe ky është një nga sektorët ku në vitin 2023 ka një rritje shumë të madhe. Shumica e makinave elektrike në botë përdorin litiumin e Kinës dhe qeveria kineze ka planifikuar që gjatë historisë së saj të prodhimit të makinave elektrike të jetë e pavarur. Kjo e ndihmon të jetë vendi më i madh në botë që rrite me 10-15 për qind industrinë me një normë vjetore prej 3.3 trilion dollarë amerikanë.

Kjo ndikon edhe në vëllimin e treguesve ekonomikë që ka të bëjë me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB)

Zhvillimi ekonomik 2023 (Foto CMG)

Zhvillimi ekonomik 2023 (Foto CMG)

CMG: Cila do të jetë prognoza për ekonominë kineze në 6 mujorin e dytë të këtij viti? Bazuar dhe në parashikimet e agjencive financiare ndërkombëtare cilat do të jenë pritshmërtë për gjysmën tjetër të vitit?

Bardhi Sejdarasi: Flasim për agjencitë që monitorojnë ekonominë e shumicës së vendeve të botës, që nga SHBA deri te Shqipëria, për të qenë më korrekt.

Do të thoja në këtë kontekst se Kina ka thyer rekordin në qershor, sa i përket naftës bruto ruse, duke mbetur vendi i pare importues. Ka siguruar importe sepse energjia është shumë e rëndësishme për ekonominë dhe nafta bën pjesë në energji. Kështu Kina ka krijuar bazën për t’u zhvilluar me ritme më të larta se sa 6 mujori i pare  i vitit. Vetëm në qershor importet kineze kanë qenë 2. 56 milion fuçi në ditë dhe së fundmi Arabia Saudite ka kërkuar të kufizojë me 1 milion fuçi në ditë furnizimin e tregut me qëllim që të rriten çmimet dhe këtë rritje e vërejmë dhe në Shqipëri.

Ndërkohë Kina ka siguruar një rezerve rekord  të naftës ruse në 6 mujorin e pare të vitit dhe importet kineze kanë një rritje 44 për qind krahasuar me të njejtin muaj të vitit të kaluar. Këto importe të naftës së papërpunuar në Kinë krijojnë shanse të mira që ekonomia në përgjithësi të vazhdojë të zhvillohet me të njejtat ritme edhe në vitin 2023 në vijim. Ndërkohë fokusi është përqendruar te turizmi sepse janë përcaktuar përparësitë edhe për blerjet online, energjinë e pastër, infrastrukturën e re, kujdesin shëndetësor dhe bujqësinë moderne. Pritet që dhe në 6 mujorin e dytë të arrihen shifrat që ishin parashikuar si 6.2 për qind e rritjes së PBB-së. Kjo për një ekonomi që ka dale nga një periudhë pandemike është një shifër e lartë që ka befasuar agjencitë e monitorimit ndërkombëtar.

Intervistoi Eda Merepeza