"Tigri i vjeshtës", një dukuri meteorologjike në kulturën kineze
2023-08-18 15:23:03

CFP

CFP

Sipas kalendarit bujqësor kinez, një vit ka 24 faza stinore që simbolizojnë ndryshimin e klimës, sasinë e reshjeve, kohën e brymës dhe dukuri të tjera natyrore. Këto fazë ndajnë një vit në periudha kohore me dukuri klimatike relativisht të qëndrueshme. Faza stinore e 13-të "Fillimi i vjeshtës", që nis zakonisht më 7 ose 8 gusht, është faza e ndërrimit të stinëve mes verës dhe vjeshtës. Sivjet ajo filloi më 8 gusht.

Megjithëse zyrtarisht shënon ardhjen e vjeshtës, kjo periudhë nuk simbolizon largimin e vapës së  verës. Në fakt, si faza e parë e vjeshtës, "Fillimi i vjeshtës" përkon gjithmonë me periudhën "Sanfu", kulmi vjetor i nxehtësisë dhe lagështisë.

"Tigri i vjeshtës" është një dukuri meteorologjike intriguese dhe e veçantë në folklorin kinez që i referohet një periudhe të shkurtër të riintensifikimit të motit të nxehtë pas nisjes së vjeshtës, që zakonisht ndodh nga fundi i gushtit deri në fillim të shtatorit, dhe zgjat për një deri në dy javë.

CFP

CFP

"Tigri i vjeshtës" e ka burimin nga modelet në ndryshim të sistemit të trysnisë së lartë atmosferike në zonën subtropikale të Paqësorit Perëndimor. Gjatë vjeshtës, ky sistem gradualisht lëviz drejt jugut duke ruajtur njëfarë ndikimi drejt veriut. Këto dinamika sjellin qiell të pastër, pak re, rreze dielli të intensifikuara dhe temperatura në rritje. Në Evropë kjo shpesh quhet "Vera e Grave të Vjetra", ndërsa në Amerikën e Veriut njihet si "Vera indiane".

Për shkak të shtrirjes së madhe gjeografike të Kinës, manifestimet e "Tigrit të vjeshtës" janë të ndryshme në rajone të ndryshme. Për shembull, ardhja e "Tigrit të vjeshtës" në Kinën jugore është e vonuar në krahasim me mbërritjen e tij në pellgun e lumit Jance, me një diferencë dy deri në katër faza stinore.

Për më tepër, kohëzgjatja e "Tigrit të vjeshtës" çdo vit mund të ndryshojë shumë, nga dy javë deri në dy muaj. Ndonjëherë "Tigri i vjeshtës" mund të tërhiqet për një kohë dhe pastaj të kthehet papritur. Megjithëse temperatura gjatë kësaj periudhe është në përgjithësi më e lartë, ajri është relativisht i thatë, rrezet e diellit janë të bollshme dhe moti në mëngjes herët dhe në mbrëmje nuk është shumë i nxehtë.

Në Kinë, "Tigri i vjeshtës" klasifikohet më tej në kategoritë "mashkull" dhe "femër". Ky dallim bazohet në datën e "Fillimit të vjeshtës". Sipas kalendarit tradicional kinez, nëse data e "Fillimit të vjeshtës" është një numër tek, "Tigri i vjeshtës quhet "mashkull"; ndërsa nëse është numër çift, quhet "femër".

Kjo traditë popullore sjell një element misteri dhe argëtimi, duke e bërë "Tigrin e vjeshtës" një temë unike dhe magjepsëse për popullin kinez.(Xu Guang)

CFP

CFP