Përkrahja ndaj zhvillimit në Afrikë është përgjegjësi e përbashkët e bashkësisë ndërkombëtare, tha të premten në një konferencë shtypi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin. Sipas tij, Kina mirëpret palët e ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare të shtojnë vëmendjen e investimet në Afrikë dhe do të vijojë të mbështetë ndërmarrjet kineze me vullnet, aftësi e emër të mirë që të zgjerojnë investimet në Afrikë, për ta ndihmuar këtë kontinent të zotërojë aftësi për vetëzhvillim.
Foto: VCG
Sipas raportit “Dinamikat e zhvillimit të Afrikës” të publikuar nga Bashkimi Afrikan dhe OECD, investimet e Kinës në Afrikë zënë një pozicion udhëheqës në botë. Në raport vihet në dukje që nga viti 2017 deri më 2022, Kina bëri të ashtuquajtura investime direkte “të fushës së gjelbër” në Afrikë me vlerë 74 miliardë dollarë, duke zënë 18 për qind të investimeve të huaja direkte të tilla në Afrikë. Kina është investitorja më e madhe në Afrikën Lindore, duke zënë 20 % të investimeve të huaja, dhe renditet ndër tre vendet e para në rajone të tjera të Afrikës. Fushat kryesore të investimeve kineze janë prodhimi, energjia elektrike e ndërtimi i projekteve inxhinierike.
Zëdhënësi tha se Afrika është “toka e shpresës”, si dhe “pikë e nxehtë për investime”. Investimet kineze në Afrikë përputhen me kërkesat e Afrikës dhe u sjellin përfitime si popullit kinez, ashtu dhe popujve afrikanë. Vitet e fundit, në udhëheqjen dhe përkujdesin e liderëve të Kinës dhe të Afrikës, investimet kineze në Afrikë kanë përparim të madh, duke u rritur me qëndrueshmëri dhe duke pasur perspektivë të gjerë në të ardhmen.
foto: VCG
“Në gjysmën e parë të këtij viti, investimet e reja direkte të Kinës në Afrikë arritën në 1.82 miliardë dollarë, 4.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme. Sipërmarrjet kineze kanë besim gjithnjë e më të madh te tregu afrikan. Tani mbi 3 000 ndërmarrje kineze zhvillojnë biznes në afrikë, mbi 70 për qind e të cilave janë ndërmarrje private, duke qenë forca kryesore e investimeve kineze në Afrikë. Me përshpejtimin e nxitjes së zonës së tregtisë së lirë në Afrikë, për hyrjen e kompanive kineze në Afrikë do të ketë më shumë mundësi e lehtësi, çka do t’i shtojë vrull të ri bashkëpunimit Kinë-Afrikë me cilësi të lartë,” tha zëdhënësi. (Li Huailiang/Artan)