
CFP
Zjarre masive kanë përshirë Spanjën dhe ishujt e saj prej disa ditësh. Prej flakëve që përfshinë ishullin Tenerife autoritet spanjolle urdhëruan evakuimin e 5 fshatrave.
Fshatrat Arrate, Chivisaya, Media Montaña, Ajafoña dhe Las Lagunetas janë evakuuar dhe autoritetet lokale thanë se do të merren masa të mëtejshme, shkruan “Panorama”.
Zjarri pushtoi një zonë të pyllëzuar në kanione të pjerrëta në verilindje të Tenerifes, duke vështirësuar punën e zjarrfikësve.
“Zjarri është i fuqishëm dhe është në një zonë të komplikuar. Përpjekjet janë të përqendruara në parandalimin e përhapjes së zjarrit, kryesisht në zonat e banuara afër bregdetit”, - ka deklaruar kreu rajonal i ishujve Kanarie, Fernando Clavijo.
Autoritet kanë bërë të ditur se për shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 10 helikopterë, 150 zjarrfikës dhe 50 persona nga personeli ushtarak.
Mëngjesin e të mërkurës zjarri kishte shkrumbuar rreth 1300 hektarë sipërfaqe afër vullkanit Teide, maja më e lartë e Spanjës.
Rosa Davila, presidente e këshillit të Tenerifeve, u bëri thirrje banorëve dhe vizitorëve që të qëndrojnë larg zonave pyjore, për shkak se zjarri mund të përhapet më shumë dhe kjo mund t’i rrezikojë.
Mësohet se dy aeroportet e Tenerifeve funksiononin normalisht dhe nuk ka pasur probleme. (Elona)
