Turizmi veror 2023: një bilanc paraprak
2023-08-18 11:16:05

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit, vetëm për muajin korrik 2023, janë 1.7 milionë vizitorë të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë. Kjo shifër është 26 përqind më shumë, krahasuar me korrikun e një viti më parë. Turistët nga Azia kanë pësuar një shtim të ndjeshëm, ku spikasin vizitorët nga Kina me 152 përqind më shumë se periudha janar-korrik 2022. Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton ecurinë e sezonit turistik veror në Shqipëri

Turizmi veror 2023: një bilanc paraprak

Që nga fillimi i ketij viti, Shqipëria ka pritur 5.1 milionë vizitorë të huaj, ose 31 përqind  më shumë se periudha janar-korrik 2022. Sipas agjensive turistike shqiptare, vizitorët e huaj turistë vijnë me kureshtje për të zbuluar diversitetin e destinacioneve turistike të Shqipërisë dhe largohen me premtimin për t’u rikthyer sërish.

Anijet në Portin e Durrësit (Foto Durrës Lajm)

Anijet në Portin e Durrësit (Foto Durrës Lajm)

Ministria e Turizmit thekson se, përveç turistëve nga Kosova, të cilët mbajnë sërisht vendin e parë per nga numri, gjatë 7 muajve të parë të këtij viti, turistë të shumtë kanë ardhur nga Spanja. Për periudhën janar-korrik 2023 kanë vizituar Shqipërinë dy herë më shumë spanjollë, se sa në janar-korrik 2022.

Krahasuar me vitin që shkoi, vizitorët nga Turqia kanë pasur rritje prej 142 përqind, ata nga Mali i Zi 62 përqind, nga Franca 58 përqind më shumë e keshtu me radhe. Turistët nga Azia kanë pësuar një shtim të ndjeshëm, ku spikasin vizitorët nga Kina me 152 përqind më shumë se periudha janar-korrik 2022.

Këto shifra dëshmojnë për një sezon shumë të suksesshëm të turizmit veror 2023 në Shqipëri, i cili mund të shtrijë ndikimin pozitiv edhe tek turizmi kulturor dhe historik, që zakonisht zhvillohet në vjeshtë dhe në pranverë. Besnik Vathi, anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës së Operatorëve Turistikë të Shqipërisë në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton ecurinë e sezonit turistik veror në Shqipëri

CMG: Z. Vathi, kemi folur disa herë për turizmin shqiptar dhe ju falenderojmë, pse gjykimet tuaja janë me vlerë për ekonominë tonë. Për periudhën korrik-deri në mes të gushtit 2023, sipas të dhënave nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit, kemi numrin më të madh të avionëve çarter turistikë. Po ashtu, kemi edhe numrin më të madh të prenotimeve të turizmit të organizuar dhe të atij individual. Sa i sukseshëm ju duket ky sezon turistik veror? 

Besnik Vathi në intervistë për CMG

Besnik Vathi në intervistë për CMG

Besnik Vathi: Perceptimi im është që do të jenë sezoni dhe si total viti, më të mirë që kemi pare ndonjëherë në Shqipëri. Në krahasim me vitin e kaluar, jemi shumë më mirë. Numri i fluturimeve turistike dhe frekuencat janë rritur, në krahasim me vitin e kaluar. Po ashtu janë shtuar edhe ura të reja, qytete të reja evropiane, nga ku fluturohet direkt për në Tiranë. Kjo bën të besojmë që është sezoni më i mirë i plazhit, pra i turizmit të plazhit, por edhe viti më i mirë, në tërësi, për turizmin shqiptar.

CMG: Çfarë ka ndryshuar për mirë, në ofertën tonë të turizmit të verës 2023, në krahasim me ofertat e viteve të kaluara?

Besnik Vathi: Nuk shoh ndonjë ndryshim. Janë më shumë faktorë të jashtëm, që bënë që Shqipëria të futet në tregun e turizmit. E them këtë, pasi pengesa për zhvillimin e trafikut ajror ka qenë njëzetvjeçare. Kemi patur pengesa të shumta në aeroportin e Tiranës.

Lirimi i tij, lehtësitë më të mëdha, bënë që aeroporti i Rinasit të dyfishojë, madje edhe të trefishojë numrin e fluturimeve, destinacionet apo qytetet nga të cilat fluturohet direkt.  Ajo pengesë e fillimit, nga viti në vit u zhduk dhe Shqipëria tani ka lirinë e plotë, për t’u prezantuar me ato resurse që ka patur dhe që ka, si dhe të futet denjësisht në tregun e turizmit. Më shumë, do të thoja, na ka gjetur të papërgatitur, se sa bëmë ne diçka që erdhi ky bum, kjo lëvizje.

Ne na gjeti të papërgatitur, pasi filluam një rritje të turizmit direkt, pas pandemisë nga Covid-19, ku turizmi në të gjithë botën edhe në Shqipëri, ishte sektori më i goditur. Ishte i goditur në numrin e punonjësve që ju larguan, i goditur ekonomikisht në të ardhura të pakësuara, si dhe në mundësi investimesh. Megjithatë, ekonomia dhe tregu janë vetërregullues. Nëse ka kërkesë, edhe oferta menjëherë do të zhvillohet dhe do të mundohet t’i përgjigjet sa më mirë kësaj kërkese që erdhi në rritje.

Pamje nga Ksamili (Foto Newsbomb)

Pamje nga Ksamili (Foto Newsbomb)

CMG: Po të shikojmë të dhënat nga INSTAT gjatë muajve të fundit, të bën përshtypje që kemi rritje me herë të vizitorëve nga Spanja, për shembull. Rritje dyshifrore kanë edhe turistët nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Çfarë i sjell kaq shumë spanjollët, britanikët, gjermanët apo edhe nordikët në Shqipëri?

Besnik Vathi: Në statistika, ne nuk kemi një analizë të plotë, të saktë dhe të qartë, që të kuptojmë realisht çfarë ndodh dhe si po ndodh. Por, nga perceptimi dhe ajo që gjykoj, është se, së pari, ne kemi një rritje shumë të madhe të turistëve, nga ato vende ku emigracioni shqiptar është shtuar fort këto kohët e fundit.

Pra, nëse kemi emigrantë të rritur nga viti në vit në Britaninë e Madhe, në Itali, në Gjermani dhe në Greqi, po të shohësh origjinën e vizitorëve të huaj, këto janë vendet me numrin më të madh të ardhjeve.

Kjo do të thotë se, vërtet janë vizitorë të huaj dhe klasifikohen si turistë ndërkombëtarë, por realisht, në totalin e numrave të mëdhenj, nuk janë ata që sjellin te ardhura te shumta, por janë emigrantët që sjellin remitanca.

Duke zbritur më poshtë, do të shohim vende te tilla si Spanja, Polonia, Franca, Zvicra, apo vendet e tjera të Evropës Lindore, që kanë rritje të mëdha.

Spanja shpjegohet me atë që nuk ka pasur më parë fluturime direkte nga Spanja për në Shqipëri. Nisja e fluturimeve direkte dhe kalimi i frekuencës nga dy herë në javë në fillim, në shtatë herë në javë, pra përditë në Barcelonë; nga dy herë në Madrid në tre dhe katër herë në javë, apo hapja e një destinacioni tjetër si e Valencias, plus dhe fluturimet çarter, si dhe investimet e brendeve spanjolle në hotele në Shqipëri, bënë që të ketë dhe të ndihet turizmi spanjoll në Shqipëri. Po kështu mund të themi edhe për vendet e tjera, të cilat, vërtet nuk kanë emigrantë shqiptarë, por kanë shtim të ndjeshëm në vizitorë në Shqipëri. Kjo, për shkak të daljes në treg të hapur të fluturimeve ajrore të Shqipërisë dhe ofertave të shumta gjithëvjetore.

Turistë në Tiranë (Foto TiranaPost)

Turistë në Tiranë (Foto TiranaPost)

Të gjitha këto kanë bërë që të ndihet turizmi edhe në Tiranën e nxehtë gjatë verës, kur turizmi, përpara dy-tre vitesh, ishte pothuajse zero. Tani turistët në kryeqytet janë kudo dhe ka vështirësi për gjetjen e hoteleve në Tiranë, edhe në periudhën e nxehtë.    

CMG: Ka më shumë turistë të huaj  në Sheshin Skënderbej në Tiranë, se sa qytetarë shqiptarë që kalojnë.

Besnik Vathi: E vërteta është se tani, edhe me fluturimet e shumta që janë nga Lindja e Mesme(ka fluturime direkte nga Dubai, nga Abu D’Habi, nga Arabia Saudite, nga Kuvajti, etj.), kjo bën që ato vende që kanë temperatura mjaft të larta, ta kenë Tiranën si destinacion më të freskët dhe të pëlqyeshëm, pasi edhe nga Tirana mund të ndërmarrin udhëtime dhe eskursione ditore drejt destinacioneve të ndryshme që ofron Shqipëria.

CMG: Sipas INSTAT, numri i shtretërve në hotelet tona është rritur ndjeshëm. A luan një rol fakti që po shohim gjithmonë e më shumë hotele të reja në bregdet dhe në qytetet tona kryesore?

Besnik Vathi: Kur vjen puna për investarin e hoteleve, tek ne ka probleme. Nëse ne po ndërtojmë një aeroport në Vlorë, po të bëhen llogaritë mirë, inventari i hoteleve në Vlorë dhe në rajonin rrotull është shumë më i ulët, nga sa do të ofrojë Aeroporti i Vlorës. Do të jetë e domosdoshme investimi me hotele në Vlorë dhe pa kaluar 40-50 km nga Vlora. Kjo, pasi Saranda, me inventarin e hoteleve që ka, e ka të mundshme të mbajë një aeroport. Jo vetëm të mundshme, por, për mendimin tim, për të fituar “pavarësinë” Saranda nga Korfuzi, duhet të ngrihet edhe Aeroporti i Sarandës. E them këtë, pasi Saranda sot mbahet në 90 përqind me trafikun nga Aeroporti i Korfuzit.

Po flitet shumë për të dyja aeroportet që do të ndërtohen. I pari, ai i Vlorës përfundon në vitin 2025. I dyti, ai i Sarandës ende nuk ka filluar. Unë do të doja që këto dy sipërmarrje të shoqëroheshin me investime dhe thithje investitorësh në hoteleri.

Turistë të huaj në Gjirokastër (Foto Kult Plus)

Turistë të huaj në Gjirokastër (Foto Kult Plus)

Duhet të kemi pengesa në vijën tonë bregdetare, për të mos lejuar ndërtimin, qoftë edhe nga investitorë strategjikë, të rezidencave të banimit. Duhet ruajtur vija bregdetare, për investime të qëndrueshme në turizëm, që të sjellin të ardhura çdo vit e më tepër, dhe jo vetëm kur shiten rezidencat.

CMG: Si janë pronotimet për turizmin e vjeshtës 2023? Do të jetë i rëndësishëm ai?

Besnik Vathi: Turizmi i vjeshtës, ai kulturor dhe historik, është ndoshta më i rëndësishmi i vitit për këtë lloj turizmi. Këtu fillojnë lëvizjet dhe turet jo vetëm nga Evropa, por edhe nga jashtë kontinentit. Fillojnë lëvizjet nga Azia. Ata e filluan pak me zor në pranverë, por besoj se do të ketë hapje normale të turizmit kulturor dhe historik në vjeshtë. Për këtë turizëm, kemi vizitorë edhe nga Amerika e Veriut. Është turizëm që zgjat më shumë, ka më shumë të ardhura për person dhe më shumë angazhime të furnizuesve të tregut dhe të prodhimit turistik.  

CMG: Po sipas INSTAT, numri i netëve të qëndrimit për turist është në rritje. E ndani dhe ju këtë konstatim?

Vizitorë të huaj në Krujë (Foto Kult Plus)

Vizitorë të huaj në Krujë (Foto Kult Plus)

Besnik Vathi: Nuk ka studim të plotë të shtretërve. Shpesh herë, po të llogarisësh netët turistike në strukturat tona akomoduese sa janë deklaruar, dalin as 20 dhe 30 përqind të netëve turistike reale të realizuara. Duke mos pasur realisht të dhëna se sa janë vizitorët tranzitë në Shqipëri, të cilët nuk flejnë asnjë natë, është e pamundur të nxjerrësh një konkluzion se sa netë qëndron një turist mesatarisht. Në llogaritje nuk mund të përfshihen tranzitët. Po nuk u bë një analizë e tillë, është e kotë që të gëzohemi nga përllogaritje jo të plota.

Intervistoi Fatos Çoçoli