Evidentohen në Evropë raste të Salmonelës prej pulave polake
2023-08-18 17:11:18

Mish pule (Foto ATSH)

Mish pule (Foto ATSH)

Autoritetet austriake kanë raportuar një lidhje të mundshme midis disa infeksioneve nga Salmonela në të gjithë Evropën dhe mishit të pulave polake.  

Agjencia Austriake për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore (AGES) bëri të ditur se kishte gjurmuar 27 raste të Salmonelës midis shkurtit dhe korrikut në Austri dhe vende të tjera evropiane. Në Austri pati dhe një rast të vdekjes nga Salmonela, shkruan “ATSH”.  

Rastet janë raportuar gjithashtu në Gjermani, Holandë, Belgjikë, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë, Danimarkë dhe Norvegji, sipas një raporti të “AGES” në fillim të gushtit.  

Agjencia e kontrollit të sëmundjeve të Institutit Robert Koch ka regjistruar 10 raste në Gjermani.   Sipas autoriteteve austriake, aktualisht ka tre shpërthime që mund të lidhen me këto raportime.  Agjencia austriake gjurmoi origjinën e infeksioneve, gjë që i bëri të besonin se të gjithë të infektuarit kishin ngrënë mish pule paraprakisht në restorante të cilat përdornin mish pule nga Polonia. (Elona)