Xi Jinping-u i përgjigjet letrës së pedagogëve dhe studentëve të Institutit "Konfuci" në Universitetin e Teknologjisë të Durbanit
2023-08-18 20:38:14

Ditët e fundit, presidenti kinez Xi Jinping u shkroi një letër përgjigjeje pedagogëve dhe studentëve të Institutit "Konfuci" pranë Universitetit të Teknologjisë të Durbanit në Afrikën e Jugut. Xi i inkurajoi studentët që të mësojnë mirë gjuhën kineze dhe të kontribuojnë për të trashëguar miqësinë dhe për të promovuar bashkëpunimin miqësor dypalësh.

“Dhjetë vjet më parë, dëshmova krijimin e Institutit 'Konfuci' në Universitetin e Teknologjisë të Durbanit. Shoh me kënaqësi se, pas përpjekjeve të shumta dypalëshe, shkëmbimet arsimore dhe kulturore ndërmjet dy vendeve kanë dhënë rezultate të frytshme. Pasi mësuan gjuhën kineze dhe njohën historinë e kulturën kineze, shumë të rinj në Afrikën e Jugut zgjeruan zgjedhjet për karrierën e tyre dhe realizuan ëndrrën," tha Xi në letrën e tij.

foto: VCG

foto: VCG

Kreu i shtetit kinez theksoi në vijim se Kina e Afrika e Jugut janë vende të rëndësishme në zhvillim, që kanë një miqësi të veçantë si shokë dhe si vëllezër. Mësimi i gjuhëve dhe kulturave të njëri-tjetrit është në dobi të nxitjes dhe trashëgimit të miqësisë ndërmjet të dy vendeve. "Ju mirëpres që të vizitoni Kinën ndërsa mësoni mirë gjuhën kineze, për të njohur e kuptuar më thellësisht Kinën dhe për t'u paraqitur miqve një Kinë reale, duke u bërë ambasadorë për të trashëguar miqësinë ndërmjet të dy vendeve dhe duke dhënë kontribut për të promovuar miqësinë e bashkëpunimin kino-afrikan," theksoi ai.

Në mars të vitit 2013, gjatë vizitës në Afrikën e Jugut, Xi dëshmoi nënshkrimin e marrëveshjes së krijimit të Institutit "Konfuci" në Universitetin e Teknologjisë të Durbanit. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve, Instituti "Konfuci" në Universitetin e Teknologjisë të Durbanit ka përgatitur rreth 10 mijë studentë. Ditët e fundit, rreth 50 pedagogë e studentë të tij i shkruan presidentit kinez Xi Jinping një letër, duke treguar historinë, përfitimet dhe përvojën e mësimit të gjuhës kineze. Ata e falënderuan presidentin Xi dhe qeverinë kineze për krijimin e shumë mundësive për të rinjtë afrikanë, duke mirëpritur përsëri presidentin Xi që të vizitojë Afrikën e Jugut. (Li Huailiang/Artan)