Cirku Kombëtar dhe Teatri i Kukullave tur nëpër Shqipëri
2023-08-18 15:00:15

Foto nga aplikacioni TEA

Foto nga aplikacioni TEA

Cirku Kombëtar dhe Teatri i Kukullave vijojnë turin nëpër Shqipëri. Trupa e cirkut ka dhënë shfaqje aty ku ka munguar përgjatë këtyre viteve. Shfaqjet janë të fokusuara nëpër Shqipëri, por nuk do të ketë asnjë shfaqje në kryeqytet deri në muajin shtator, ku të dyja institucionet do të sjellin premiera për publikun e Tiranës. Cirku Kombëtar do të ketë performancën e tij të rradhës më 23 gusht në sheshin ‘Iliria’ në Durrës në orën 19.00, ku do të pasqyrojë numra artistikë  dhe lojra interaktive me fëmijët nga kllouni.

Ndërsa Teatri i Kukullave vijon turin që nga 10 maji deri më 23 gusht  ku do të japë shfaqje në sheshin para teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës në orën 19.00. Teatri i Kukullave do të shpalosë performancë artistike me maskota, e cila është një përvojë interaktive e përshtatur për fëmijët, ku ata mund të bashkëveprojnë dhe të marrin pjesë në aventurat magjike të personazheve të tyre të preferuar.

Teatri i kukullave me shfaqje nëpër Shqipëri  (Foto nga facebook)

Teatri i kukullave me shfaqje nëpër Shqipëri  (Foto nga facebook)

Cirku Kombëtar  dhe Teatri i Kukullave  përgjatë turit veror udhëtuan drejt veriut ku u ndalën në  Shirokë dhe Velipojëduke u dhuruar argëtim fëmijëve.  Ndërsa më 15 gusht  ata dhanë shfajen e tyre në Lungomare , Vlorë ku fëmijët dhe pushuesit e pranishëm  patën mundësinë të ndiqnin perfomancat e tyre artistike. Kjo shfaqje po udhëton nëpër bregun shqiptar si pjesë e kalendarit artistik “KultArt 2023”, organizuar nga Ministria e Kulturës. Arti i cirkut në vendin tonë ka një interes të madh jo vetëm nga fëmijët, por nga të  gjitha moshat. Cirku Kombëtar përfshin në repertorin e tij vlera nga cirku botëror, por edhe vlera tradicionale. Këto vlera pasqyrohen në ilustrimet muzikore, veshjet dhe në një masë më të madhe në idetë dhe skenografitë e shfaqjeve. Artistët kanë përzgjedhur disa numra artistikë nga repertori i tyre, duke u shpërndarë sipas kalendarit në disa qytete të vendit kryesisht në zonat bregdetare.

Cirku Kombëtar nëpër Shqipëri (Foto nga facebook)

Cirku Kombëtar nëpër Shqipëri (Foto nga facebook)

Drejtoresha artistike e cirkut Alketa Haxhiu është shprehur për mediat:

“Sigurisht që është sfidë sepse arti i cirkut e ka bazën mbi aparaturat dhe ana teknike që na mundësojnë bashkitë e qyteteve ku artistët performojnë, ata nuk mund të japin më shumë se 20 përqind të aftësive të tyre artistike dhe profesionale që ne kemi.  Në këtë periudhë ne jemi transferuar në një qendër tjetër, ku janë duke u bërë punimet dhe po bëhemi gati për sezonin e ri artistik në muajin shtator”, ka përfunduar ajo.

(Foto nga facebook)

Foto nga facebook

Shfaqjet që janë dhënë dhe do të vijojnë të jepen nëpër Shqipëri janë të gjitha pa pagesë. Qëllimi i këtij turi është që të kënaqë sa më shumë publikun shqiptar, por edhe turistët që vizitojnë Shqipërinë. Shfaqjet artistike të cirkut, por edhe të Teatrit të Kukullave janë mbajtur në sheshet kryesore të çdo qyteti sipas datave të caktuara nga Ministria e Kulturës dhe ofrohen  të gjitha falas  për  të gjithë artdashësit.

Sava Lena

Foto nga aplikacioni TEA

Foto nga aplikacioni TEA