Të paktën 110 persona kanë humbur jetën nga zjarret në Hawai
2023-08-18 16:44:26

CFP

CFP

CFP

CFP

Numri i të vdekurve nga zjarret në Maui në shtetin amerikan të Hawai-t arriti në 110 të mërkurën, deklaroi guvernatori Josh Green.  

“Çdo ditë ne jemi më të lënduar sepse duhet të raportojmë se më shumë nga të dashurit tanë janë konfirmuar të humbur dhe të vdekur”,- tha Green në një konferencë për shtyp, shkruan “Xinhua”.  

Sipas tij, është kontrolluar rreth 38 për qind e zonës së djegur.  

Shefi i policisë së Mauit, John Pelletier, deklaroi se ai shpreson që kërkuesit të kenë mbuluar 85 deri në 90 për qind të zonës deri në fundjavë.  

Zjarri, i cili shkatërroi qytetin historik Lahaina në Maui, është tashmë më vdekjeprurësi në më shumë se një shekull në historinë moderne të SHBA-së.  

Rreth 2000 banesa mbetën pa energji elektrike në zonat e prekura në ishull, tha guvernatori.  

Shtëpia e Bardhë  bëri të ditur përmes një deklarate se presidenti amerikan Joe Biden do të udhëtojë në Maui të hënën, për t'u takuar me ekipet e emergjencës, të mbijetuarit, si dhe zyrtarë federalë, shtetërorë dhe lokalë.  

“Mbetem i përkushtuar për të ofruar gjithçka që u nevojitet njerëzve të Hawai-t ndërsa rikuperohen nga kjo fatkeqësi”,- shkroi presidenti amerikan në “X”. (Elona)