Ilir Balla, palestra më ka ndryshuar perceptimin për jetën
2023-08-18 15:20:01

Ilir Balla( foto personale)

Ilir Balla( foto personale)

Ilir Balla është trajner personal, në një palestër në kryeqytet. Ai e ushtron këtë profesion prej më shumë se 16 vjetësh dhe ndihet i lumtur. Marrëdhënia e tij me kujdesin ndaj trupit është strikte dhe këtë gjë e këshillon për të gjithë të rinjtë e tjerë.

Iliri ka dhe një pasion tjetër që është natyra, ndaj shpesh kalon kohë në natyrë, duke e parë këtë si një rigjenerim të trupit dhe të mëndjes..Në një bisedë për Radio Ejani, Iliri tregon edhe ndikimin që ka palestra në trupin e njeriut gjatë sezonit veror.

CMG: Sa vite keni që punoni në palestër?

Ilir Balla: Unë kam më shumë se 16 vite që ushtrohem dhe që jap mësim si trajner personal (personal trainer), duke i ndihmuar të tjerët të arrijnë peshën që duan dhe trupin që duan.

CMG: A është ky një profesion i veçantë dhe që ju përmbush?

Ilir Balla: Po patjetër. Unë e ndaj çdo ditë me njerëz që e duan jetën dhe duan të ndryshojnë, gjithmonë  për mirë. Në të mirë të shëndetit të tyre. Trupi është shumë i rëndësishëm dhe është e nevojshme që secili të mësojë se si të kujdeset për të.

Ilir Balla i ftuar ne Vizion Plus ( foto facebook)

Ilir Balla i ftuar ne Vizion Plus ( foto facebook)

CMG: Sipas jush trupi duhet të jetë i bukur, apo i shëndetshëm?

Ilir Balla: Trupi i njeriut është i rëndësishëm dhe fillimisht duhet të jetë i shëndetshëm, më pas të jetë i bukur. Këto janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën në fakt. Nëse ti ke një trup të bukur e ke atë trup të shëndetshëm dhe e kundërta.

Unë kur kam filluar palestrën dhe kur kam nisur që të merrem me klasa të ndryshme  ku jam instruktor, qëllimi ka qenë dhe do vijojë të jetë gjithmonë  trupi i shëndetshëm

CMG: Përveç mbajtjes së trupit në formë, palestra, fitness ndikon në gjëndjen psikologjike? Si mund të ndikojë?

Ilir Balla: Sporti ndikon shumë për shkarkimin e energjive negative të mbledhura gjatë ditës ( puna, streset, biznesi, problemet ekonomike, problemet familjare) dhe duke shkarkuar këto energji në palestër fitojmë një qetësi të theksuar në përballimin e situatave dhe problemeve të ndryshme gjatë ditës. Ndryshimi fizik që krijohet tek ne nga aktiviteti fizik  na dhuron një kënaqësi shpirtërore dhe një humor shumë më të mirë në raport me veten dhe me të tjerët. Të bërit sport të dhuron një pamje shumë të rregullt fizike, të pastron lekurën, muskujt bëhen të rregullt dhe nuk kemi probleme me dhjamërat dhe peshën e tepërt

Ilir Balla gjate punes si personal trainer ( foto facebook)

Ilir Balla gjate punes si personal trainer ( foto facebook)

CMG: A shtohen personat që duan të bëjnë të palestër gjatë verës apo pakësohen?

Ilir Balla: Në fakt ka shumë vajza dhe djem të cilët nisin palestrën me idenë për të rregulluar trupin e tyre dhe këtë gjë e bëjnë para sezonit veror. Por, nuk është e mundur që trupi të rregullohet për tre muaj. Duhet një punë shumë e madhe dhe konstante që të arrihet deri në atë pikë që të shohësh rezultatet. Absolutisht që vlerësohet vullneti i tyre për të bërë palestër, por nuk mund të supozojmë që brenda disa muajve apo në një kohë të shkurtër të arrihet ndryshimi në trupin tonë .

CMG: Sa kohë i duhet një personi që të dallojë ndryshimin në turpin e tij ?

Ilir Balla: Po, kjo varet nga mënyra se si bën palestër, por varet edhe nga dëshira. Nëse flasim për një të përgjithshme, mund të themi qe brenda 8-muajve një person arrin edhe të humbasë në peshë edhe të njohë anët e tjera pozitive të palestrës.

CMG: Përpos palestrës një rol të rëndësishëm luajnë edhe vitaminat dhe kripërat minerale apo jo ?

Ilir Balla: Një rol të rëndësishëm kanë edhe vitaminat e kripërat minerale, të cilat e ndihmojnë trupin të ruajë një formë sa më të mirë. Një dietë e mirë duhet të sigurojë të gjitha vitaminat dhe kripërat minerale që janë shumë të nevojshme për organizmin. Edhe pse duhen në sasi të vogla, ato janë të pazëvendësueshme dhe veprojnë së bashku. Kripërat minerale ndihmojnë në strukturat kockore, në krijimin e një ekuilibri të sistemit ujor të organizmit, nervat dhe reagimet muskulore. 

Ilir Balla ( foto facebook)

Ilir Balla ( foto facebook)

CMG: Cilat janë sjelljet që duhet të kemi parasysh kur shkojmë në palestër? Cilat ushtrime duhen shmangur? 

Ilir Balla: Palestra mund të jetë vendi i duhur jo vetëm për t’u dobësuar e për të mbajtur trupin në formë, por edhe për të krijuar miqësi të reja e për t’u lidhur me persona të tjerë. Për të qenë mirë, e për të përballuar të gjitha ushtrimet duhet bërë një stërvitje e moderuar dhe trupi të mos mbingarkohet.

Nuk ka një formulë standarde, e cila ndalon disa ushtrime apo kufizon disa të tjera.

Përveç rasteve kur personi ka sëmundje të tjera të cilat ne i dimë më parë dhe i përshtasim formën e duhur .

CMG:  A duhet të kesh shumë durim në këtë profesion ?

Ilir Balla: Po! Duhet një durim i skalitur sepse ti ke gjithë kohës në sfidë me veten dhe për të arritur rezultate por që të arrihen këto të fundit duhet një periudhë e gjatë dhe kjo periudhë do durim.

CMG: Keni një këshillë për personat që duan të nisin palestrën apo sapo e kanë filluar?

Ilir Balla: E vetmja gjë që unë ju them atyre është :" Parësor  në jetë është shëndeti, më pas bukuria e një trupi". Është e rëndësishme të vlerësojmë jetën dhe të kujdesemi për të qenë më të shëndetshëm.

Intervistoi: Megi Latifi