Rivendosja e paqes kërkon dialog dhe këshillime, tha zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB Geng Shuang në një seancë informimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të enjten në lidhje me furnizimin me armë për Ukrainën.
"Armët mund të përdoren për të fituar luftën, por ato nuk mund të fitojnë paqen," vuri në dukje Geng.
foto: VCG
Duke theksuar se Këshilli i Sigurimit e ka shqyrtuar në takime të shumta çështjen e furnizimit të armëve për Ukrainën, Geng tha se pala kineze i ka shprehur qëndrimin dhe propozimet e saj shumë herë. Në veçanti, për Kinën pasojat e furnizimit të vazhdueshëm të armëve në fushën e betejës janë shqetësuese.
Tani, fluksi masiv i armëve dhe i pajisjeve në fushën e betejës vazhdon me një efekt përhapjeje, duke i zbehur më shumë shpresat për të ndaluar konfliktin.
Duke vënë në dukje se një numër në rritje vendesh e kanë ngritur zërin e tyre të arsyeshëm dhe kanë propozuar nisma paqeje, i dërguari kinez shprehu shpresën se palët përkatëse do të përgjigjen pozitivisht ndaj thirrjes së bashkësisë ndërkombëtare, do të ruajnë qetësinë dhe përmbajtjen, do të shmangin përshkallëzimin e tensioneve, do të shtojnë angazhimin, do të nxisin konsensusin e gradualisht do të krijojnë kushtet për zgjidhjen përfundimtare të krizës.
Geng përsëriti qëndrimin e vendit të vet për çështjen e Ukrainës, duke thënë që Kina ka qëndruar vazhdimisht në anën e paqes e të dialogut dhe ka nxitur aktivisht bisedimet e paqes.
Kina do të vazhdojë të punojë mbi bazën e dokumentit të pozicionit të vet për zgjidhjen politike të krizës së Ukrainës, do të forcojë dialogun e komunikimin me të gjitha palët dhe do të luajë një rol konstruktiv në nxitjen e një zgjidhjeje politike të krizës së Ukrainës, shtoi ai.