Letonia forcon mbrojtjen e kufirit me Bjellorusinë
2023-08-17 16:17:52

CFP

CFP

Letonia njoftoi se po forconte mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë fqinje.  

Roja Kufitare e vendit baltik pjesë e BE-së dhe NATO-s bëri të ditur se në kufirin me Bjellorusinë do të vendosen oficerë shtesë, për shkak të një kërcënimi hibrid në rritje të shpejtë, shkruan “ATSH”.  

“Në 24 orë, 96 persona u përpoqën të kalonin ilegalisht kufirin nga Bjellorusia për në Letoni”, - bëri të ditur Roja Kufitare në një deklaratë, duke shtuar se autoritetet bjelloruse po përfshiheshin gjithnjë e më shumë në organizimin e kalimeve të parregullta kufitare nga emigrantët.  

Sipas deklaratës, Letonia ka informacione që tregojnë një rritje të mundshme të kërcënimeve hibride, ndaj Roja Kufitare vendosi ndalimin e pushimeve të punonjësve. Po ashtu, autoriteti kërkoi mbështetje edhe nga Forcat e Armatosura dhe policia letoneze.  Ministrja letoneze e Mbrojtjes, Inara Murniece, urdhëroi ushtrinë të vendoste forca shtesë në kufi.   Letonia ndan një kufi prej rreth 172 kilometrash me Bjellorusinë. (Elona)