Ibrahimaj: Kalimi në ekonomi të gjelbër kërkon investime të reja kapitale
2023-08-17 11:23:34

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pjesë e panelit përshëndetës të konferencës së nivelit të lartë për Financimin e Gjelbër në Evropën Juglindore, tha se, “ndryshimet e klimës do të shoqërohen me kosto të lartë mjedisore, ekonomike dhe sociale, ndaj si politikëbërës jemi të angazhuar të marrim masa paraprakisht, për të përballuar këto zhvillime”. Sipas saj, kalimi në një ekonomi të gjelbër kërkon gjithashtu investime të reja kapitale. “

Ibrahimaj: Kalimi në ekonomi të gjelbër kërkon investime të reja kapitale

Ndryshimet e klimës do të shoqërohen me kosto të lartë mjedisore, ekonomike dhe sociale- kështu është shprehur Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, sipas së cilës qeveria është e  angazhuar të marrë masa paraprakisht, për të përballuar këto zhvillime.

Ekonomia e gjelbër (Foto Define Business)

Ekonomia e gjelbër (Foto Define Business)

“Shqipëria, edhe pse një vend i vogël me një kontribut të ulët emetimi të gazrave, është e vendosur që të jetë pjesë dhe të marrë përsipër rolin dhe përgjegjësinë e saj në këtë proces. Në fakt kemi ndërmarrë disa veprime në këtë drejtim. Transformimi drejt një ekonomie të gjelbër kërkon angazhim individual të vendeve qoftë në nivel të marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat ne jemi angazhuar dhe kemi nënshkruar tashmë në nivel strategjish kombëtare. Të gjitha ato angazhime që ne kemi në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare duhet t’i përkthejmë në strategji, por qoftë dhe në nivel të procedurave të institucioneve të ndryshme, me qëllim që strategjitë kombëtare të jenë sa më të prekshme dhe realizueshme.”- tha Ibrahimaj.

Në vitin 2020 u firmosën në Samitin e Sofjes dy marrëveshje shumë të rëndësishme në këtë drejtim.

“Në mbështetje të gjithë këtij kuadri, ne në vitin 2020 kemi firmosur në samitin e Sofjes dy marrëveshje shumë të rëndësishme. Kemi vendosur të bëhemi pjesë si vende të Ballkanit Perëndimor në Axhendën e Gjelbër, ashtu sikurse kemi vendosur për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, i cili synon ta bëjë ekonominë tonë më të qëndrueshme dhe neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050, nëpërmjet një sërë iniciativash dhe reformash gjithëpërfshirëse politike dhe financiare. Ne jemi të bindur që Tranzicioni i Gjelbër, përveç kostove do të ketë dhe efekte pozitive në ekonominë tonë e pikërisht në kontekstin ekonomik, ne jemi duke zbatuar Planin Kombëtar të Energjisë dhe të Klimës, i cili do të ndikojë ndjeshëm në rritjen ekonomike të sektorëve të ndryshëm që lidhen me energjinë dhe me klimën.”- shtoi Ministrja.

Ekonomia e gjelbër(Foto Gazeta Fjala)

Ekonomia e gjelbër(Foto Gazeta Fjala)

Tranzicioni i Gjelbër pritet të ketë  efekte pozitive në disa drejtime.

“Në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI), politikat dhe masat në lidhje me ndërtimin dhe rinovimin e ndërtesave, si dhe ndërtimin e sistemeve fotovoltaike do të kontribuojnë në mënyrë thelbësore dhe në krijimin e vendeve të reja të punës, të cilat konsiderohen  të gjelbra. Ulja e varësisë nga importet e energjisë do të kontribuojë jo vetëm në përmirësimin e sigurisë së furnizimit me energji, por edhe në sigurinë makroekonomike dhe politike të vendit nëpërmjet reduktimit të deficitit të brendshëm buxhetor. Nga ana tjetër, ne mendojmë që qëndrueshmëria mjedisore është një ndër objektivat kryesorë që duhet të kenë qeveritë sot dhe për këtë arsye me Bankën Botërore ne kemi vendosur që një ndër katër objektivat të jetë pikërisht dhe qëndrueshmëria mjedisore. Këto katër objektiva janë të parashikuara në Programin 4 vjeçar që qeveria shqiptare ka në bashkëpunim me BB.” -shton Ibrahimaj.

Tani çdo projekt potencial investimi që do të financohet nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit do të vlerësohet duke marrë parasysh ndikimin mjedisor dhe klimatik.

“Në këtë kontekst, një nga iniciativat e MFE në drejtim të sigurimit dhe ndërgjegjësimit më të lartë të ndikimit mjedisor dhe social është rishikimi i procedurave të menaxhimit të investimeve publike. Në fund të vitit 2022, Këshilli i Ministrave miratoi procedurat e reja të menaxhimit të investimeve publike, të cilat në tërësinë e tyre kanë edhe përmirësime në fushën dhe në qasjen e avancuar  në lidhje me ndikimin mjedisor, klimatik dhe social të projekteve të investimeve. Pra tashmë çdo projekt potencial investimi që synohet të financohet nëpërmjet fondeve të buxhetit të shtetit do të vlerësohet duke marrë parasysh ndikimin mjedisor dhe klimatik gjithashtu, i cili do të jetë një element i rëndësishëm për përfshirjen e projekteve në planet afatmesme të buxhetit.”

Por cilat janë format e financimit?

Impiantet diellore(Foto Buletini ekonomik)

Impiantet diellore(Foto Buletini ekonomik)

“Financimi i gjelbër është një temë që do të diskutohet, ashtu sikurse ka vite që diskutohet dhe tashmë është bërë pjesë e Strategjisë për Borxhin të MFE. Ne, përveç instrumenteve tradicionalë të huamarrjes, parashikojmë që në afatmesëm të përdorim instrumente të tjera alternative të financimit. Bazuar në përvojën ndërkombëtare, vitet e fundit këto instrumente janë përdorur dhe në rajonin tonë, si obligacionet e gjelbra, obligacionet sociale, obligacionet e qëndrueshme dhe obligacionet e lidhura me qëndrueshmërinë janë bërë mjete të rëndësishme për të adresuar ndryshimet klimatike dhe sfidat që lidhen me to. Gjatë vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka ndërmarrë disa hapa drejt vlerësimit të mundësive për të përdorur këto lloj instrumentesh dhe në vendin tonë.”

Kalimi në një ekonomi të gjelbër kërkon gjithashtu investime të reja kapitale.

“Qeveria dhe të gjithë aktorët e zhvillimit janë të angazhuar për të siguruar zbatimin e duhur të programeve të ekonomisë së gjelbër, duke bërë të mundur që institucionet publike të forcohen për të hequr barrierat dhe për të mbrojtur mjedisin dhe për t’i harmonizuar këto me politikat sociale dhe ekonomike. Në mendimin tim, Ministritë e Financave janë të pozicionuara shumë mirë për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër, i cili ka të bëjë në thelb me drejtimin e ardhshëm të ekonomisë. Ky ndryshim duhet të ketë një qasje të përgjithshme të qeverisë dhe jo vetëm një qasje sektoriale të Ministrisë së Mjedisit apo Energjisë. Historia ka treguar që në shumë raste Ministritë e Financave kanë qenë të afta të bëjnë ndryshimin kur bëhet fjalë për ndryshime afatgjata dhe për planifikim afatgjatë. Ne kemi një rol kritik në drejtimin dhe formësimin e këtij tranzicioni, në veçanti duke drejtuar flukset e nevojshme të kapitalit dhe duke siguruar një shpërndarje të drejtë dhe të pranueshme të kostove dhe përfitimeve. Në të njëjtën kohë, Ministritë e Financave mund të përdorin leva politikave makro dhe fiskale për të çliruar kapitalin, i cili është i nevojshëm për të investuar në tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër me norma të ulëta të karbonit.”

Ministrja Delina Ibrahimaj (Foto Konica.al)

Ministrja Delina Ibrahimaj (Foto Konica.al)

Ibrahimaj tha se burimet publike nuk janë gjithmonë të mjaftueshme dhe duhet të gjenden mënyra efektive të qëndrueshme dhe të dobishme për të kanalizuar asetet financiare private në investime për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të gjelbër.

“Këtu sektori financiar dhe bankar kanë një rol të madh dhe mund të luajnë një rol shumë pozitiv dhe jam e bindur që nëpërmjet bashkëpunimit me Bankën e Shqipërisë dhe me sektorin bankar ne do të arrijmë të përmbushim të gjithë objektivat që i kemi vendosur vetes qoftë në marrëveshjet ndërkombëtare, por edhe në strategjitë afatmesme të miratuara tashmë nga qeveria” u shpreh ministrja Ibrahimaj.