Kryeministri kinez paraqet masat për të përmbushur objektivat ekonomikë
2023-08-17 21:13:23

Kryeministri kinez Li Qiang shtjelloi më tej të mërkurën punën që do të bëhet në pjesën tjetër të vitit për të arritur objektivat ekonomikë vjetorë dhe për të nxitur konkretisht zhvillimin me cilësi të lartë.

foto: VCG

foto: VCG

Duke kryesuar mbledhjen e dytë plenare të Këshillit të Shtetit, kabineti kinez, Li tha se qeveria do të zbatojë plotësisht vendimet politike dhe planet e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, do të kërkojë përparimin duke ruajtur qëndrueshmërinë, do të zbatojë me saktësi e vendosmëri masat e makrokontrollit dhe do të shfrytëzojë sinergjinë ndërmjet politikave të ndryshme.

Li theksoi rëndësinë e zgjerimit të kërkesës së brendshme duke shfrytëzuar më tej potencialin e konsumit dhe politikat në përkrahje të investimeve, duke nxitur konsumin e gjërave të shtrenjta dhe duke mobilizuar investimet private.

foto: VCG

foto: VCG

Duhet të bëhen përpjekje për të formuar një sistem industrial modern, për të përshpejtuar transformimin dhe përmirësimin e industrive tradicionale me teknologji e modele biznesi të reja, për të nxitur zhvillimin e industrive të reja strategjike e për të përshpejtuar gjithanshmërisht digjitalizimin e sektorit prodhues, tha Li.

Sipas kryeministrit, do të bëhen përpjekje për të thelluar reformat dhe për të zgjeruar më tej hapjen, për të zbatuar një raund të ri reformash të ndërmarrjeve shtetërore, për të përmirësuar mjedisin e zhvillimit për ndërmarrjet private, për të stabilizuar shkallën e për të optimizuar strukturën e tregtisë së jashtme dhe për të tërhequr e përdorur më mirë kapitalin e huaj.

foto: VCG

foto: VCG

Gjatë  mbledhjes, Li theksoi po ashtu nevojën për të nxitur zhvillimin e koordinuar të zonave urbane e rurale, duke zbatuar thellësisht strategjitë e llojit të ri të urbanizimit e ringjalljes rurale dhe duke konsoliduar arritjet në lehtësimin e varfërisë.

Ai tha se do të synohet të parandalohen rreziqet e rënda, duke i larguar këto rreziqe nga fushat kryesore.

Do të bëhen gjithashtu përpjekje për të përmirësuar jetesën e njerëzve duke rritur ndihmën shoqërore për grupet në nevojë dhe duke krijuar më shumë mënyra punësimi.

Kreu i qeverisë kineze e vuri gjithashtu theksin te parandalimi e pakësimi i fatkeqësive dhe kontrolli i sigurisë në punë. Sipas tij, do të nxitet mëkëmbja pas fatkeqësive, do të kryhen hetime të thella dhe do të ndreqen rreziqet e fshehura në punë, duke garantuar sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve.