
Shendeti mendor (Foto ATSH)
Anglia po përballet me një emergjencë të shëndetit mendor, paralajmëroi organizata bamirëse “YoungMinds”, pasi shifrat zbuluan se numri i fëmijëve dhe të rinjve të referuar në njësitë e kujdesit është trefishuar në katër vjet.
Organizata i bëri thirrje qeverisë të marrë masa për situatën e përshkallëzuar, shkruan “ATSH”.
Analiza e të dhënave të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) nga shoqata bamirëse zbuloi se kishte 3732 referime urgjente në shërbimet e shëndetit mendor për personat nën 18 vjeç, në fund të majit. Shifra është më shumë se trefishi i 1322 referimeve urgjente të regjistruara për të njëjtën grupmoshë në maj 2019.
Laura Bunt, shefe ekzekutive e “YoungMinds” tha se statistikat janë alarmante.
“Tani jemi në një emergjencë të shëndetit mendor dhe qeveria duhet të kontrollojë shkallën e kësaj krize”, theksoi Bunt.
Sipas saj, pas këtyre shifrave janë të rinjtë që kanë një nevojë urgjente për mbështetje, duke u përballur me një grup unik presionesh për një brez që po rritet, duke jetuar përmes një pandemie, një krize të kostos së jetesës dhe paqëndrueshmërisë së vazhdueshme globale. (Elona)
