Forca e BRICS-it nxit përparimin e botës
2023-08-17 21:32:11

Nga 22 deri më 24 gusht, në Johanesburg të Afrikës së Jugut do të mbahet samiti i 15-të i BRICS-it. Kjo është hera e parë që takimi i liderëve të vendeve të BRICS-it zhvillohet me prani fizike pas tre vjetëve të pandemisë. Pala organizatore, Afrika e Jugut, gjithashtu ftoi edhe më shumë se 10 liderë nga vendet afrikane dhe vendet në zhvillim. Mund të parashikohet që kjo është një mundësi e mirë për tregjet e reja dhe vendet në zhvillim për të promovuar rritjen e qëndrueshme, për të nxitur multilateralizmin dhe për të diskutuar për bashkëpunimin. 

foto: VCG

foto: VCG

Vicentiu Gheorghe, kryetari i nderit i Shoqatës CHINARO, tha:

Vendet perëndimore shpesh përdorin sanksionet, madje edhe mjetet ushtarake, ndërsa vendet e BRICS-it përdorin mënyra paqësore brenda këtij mekanizmi bashkëpunimi, përfshirë diplomacinë, dialogun, negociatat etj. Tregjeve të reja dhe vendeve në zhvillim u nevojitet multilateralizmi. Ai ka një forcë centripetale, që promovon multipolarizimin e botës, në mënyrë që tregjet e reja dhe vendet në zhvillim të kenë më shumë të drejtë fjale.

Mekanizmi i bashkëpunimit i BRICS-it u krijua në vitin 2006, duke përshirë Brazilin, Rusinë, Kinën dhe Indinë. Në vitin 2011, Afrika e Jugut u integrua në këtë mekanizëm. Vendet e BRICS-it ndjekin frymën e hapjes, përfshirjes, bashkëpunimit e përfitimeve të ndërsjella, duke përfaqësuar interesat e tregjeve të reja dhe vendeve në zhvillim, duke u përputhur me prirjen e zhvillimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe duke u mirëpritur nga gjithnjë e shumë vende në zhvillim. Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa tha një herë se rreth 20 vende kanë shprehur dëshirën për t’iu bashkuar vendeve të BRICS-it, dhe liderët e pesë vendeve të BRICS-it do të diskutojnë çështjen e zgjerimit në samit.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, vuri në dukje:

Mendoj se është shumë e rëndësishme të lejojmë vendet e tjera që përmbushin kushtet e BRICS-it, të përfshihen në këtë grup.

Profesori i Shkollës së Ekonomisë pranë Universitetit të Kejp-Taunit, Anthony Black, tha:

Ky është një zhvillim i ri për BRICS-in, sepse deri tani vetëm Afrika e Jugut i është bashkuar grupit fillestar të katër vendeve. Tani ka mbi 20 vende që duan të bashkohen, duke përfshirë Arabinë Saudite, Iranin, Egjiptin, Indonezinë dhe shumë vende të tjera.

foto: VCG

foto: VCG

Salim Zamroni, përgjegjës i Qendrës Kërkimore për Makroekonomi dhe Financë pranë Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Inovacionit të Indonezisë, tha: 

Kur e shohim nga perspektiva e ekonomisë, mund të jetë më e dobishme për Indonezisë që të integrohet. Pse? Sepse duke u anëtarësuar në BRICS, sigurisht që mund të kemi bashkëpunim me vendet e BRICS-it, që do të thotë se mund të rrisim tregtinë e përgjithshme, bashkëpunimin e përgjithshëm ekonomik.

Marco Fernandes, historian dhe psikolog social brazilian nga Instituti Trekontinental i Kërkimeve Shoqërore, theksoi: 

Deri më tani, më shumë se 20 vende kanë kërkuar anëtarësimin në mekanizmin e BRICS-it, gjë që dëshmon që ky mekanizëm konsiderohet gjithnjë e më shumë nga vendet në zhvillim si një mjet i rëndësishëm në kërkimin e alternativave zhvillimore.

Popullsia e vendeve të BRICS-it përbën rreth 41 për qind të asaj botërore. Në vitin 2021, vëllimi i përgjithshëm ekonomik dhe i tregtisë i pesë vendeve anëtare të BRICS-it zuri përkatësisht rreth 25.24 për qind dhe 17.9 për qind të vëllimit të përgjithshëm botëror. BRICS-i është një forcë kyçe dhe një motor i rritjes për ekonominë botërore. Si një rezultat i rëndësishëm i bashkëpunimit të BRICS-it, Banka e Re e Zhvillimit ka dhënë kontribut në investimet infrastrukturore në vendet në zhvillim, promovimin e bashkëpunimit Jug-Jug dhe zhvillimin global.

foto: VCG

foto: VCG

Leslie Maasdorp, zv.president dhe kryezyrtar financiar i Bankës së Re të Zhvillimit, tha:

Mendoj se arritja e parë kryesore është krijimi nga zero i një portofoli kredish të miratuara prej 35 miliardë dollarësh. Kjo përfaqëson rreth 99 projekte infrastrukturor, që nuk ekzistonin në vitin 2015 e të cilat janë ndërtuar tani, duke përfshirë energjinë e re, ruajtjen e re të baterive, energjinë e re të erës, energjinë e re diellore, rrugët e reja dhe projektet e reja hekurudhore.

Me intensifikimin e turbullirave gjeopolitike dhe rritjen e normës së interesit të dollarit, sistemet ekonomike dhe financiare të vendeve në zhvillim përballen me presion të madh, gjë që shkakton thirrje gjithnjë dhe më e madhe për përdorimin e monedhave kombëtare në tregtinë ndërkombëtare. Thuhet se një gjë e tillë do të diskutohet edhe në këtë samit. 

Martin Sörös, gazetar i pavarur dhe analist austriak, tha: 

Është e mundshme që në Johanesburg, çështja e çdollarizimit të ketë më shumë përparim sesa pritet. Gjithnjë e më shumë vende po heqin dorë nga dollari. Ato dëshirojnë të përdorin monedhën kineze ose monedha të tjera në tregti. Duhet një monedhë e re botërore, si edhe një rend i ri global.

Luiz Inacio Lula da Silva, presidenti i Brazilit:

Të gjithë e dinë se unë përkrah idenë që vendet të përdorin monedhat e tyre në tregti. Siç e kam thënë publikisht, pse Brazili duhet të përdorë dollarin amerikan për të tregtuar me Kinën? Pse nuk mund të përdorim monedhat tona? (Li Huailiang/Artan)