Pritet kthimi i dejkës së Pekinit, një histori mbi dhjetëvjeçare për mbajtjen e premtimit
2023-08-17 23:23:13

foto nga "Beijing Daily"

Dejka e Pekinit/ foto nga "Beijing Daily"

"Shtegtimi i zogjve ka të bëjë me premtimin, një premtim për kthimin". Kur u kthyen dejkat e Pekinit, të veshura me gjeolokatorë të nivelit të dritës, u zbulua edhe çelësi i misterit: ku shtegtojnë konkretisht dejkat e Pekinit në Jug?

Në qershor 2022, një rezultat mbi studimin e gjurmës së shtegtimit të dejkës së Pekinit u publikua në revistën ndërkombëtare shkencore "Movement Ecology", ku bëhen të njohura për herë të parë rregullat e sakta ekologjike të shtegtimit të dejkave të Pekinit.

Dejka e Pekinit, një zog i vogël me peshë më të lehtë se një vezë pule, niset çdo vit nga Pekini për të mbërritur në këndin jugperëndimor të Afrikës, duke kapërcyer male e oqeane. Gjatë tërë jetës së saj, distanca shtegtuese që përshkon është sa largësia nga Toka në Hënë. Ky rezultat i pabesueshëm u arrit pas studimeve 8-vjeçare, ndërkohë që nuk duhet lënë pa përmendur edhe puna këmbëngulëse e vullnetarëve për shenjimin e këtyre zogjve, që zgjat më shumë se një dekadë.

Dejkat e Pekinit duke fluturuar rreth pavijonit Guoru në Pallatin e Verës në Pekin/ CFP

Në Pekin regjistrohen mbi 500 lloje zogjsh. Por atëherë pse dejka e Pekinit, që nuk duket tërheqëse e nuk tingëllon aq bukur, është më shumë e parapëlqyer nga pekinasit, duke u shndërruar në një "yll"? 

Historia nisi nga diplomati britanik Robert Swinhoe. Në vitin 1873, konsulli i atëhershëm i Britanisë në Ningbo të Kinës u kthye në Londër, duke marrë me vete 3.700 mostra nga 650 lloje zogjsh. Një prej tyre ishte ai që mori në Pekin më 1870-ën, i emërtuar "Apus apus pekinensis", ose thjesht dejka e Pekinit. Si i vetmi zog i egër shtegtar i emërtuar me kryeqytetin kinez, dejka nuk i përket vetëm Pekinit, por gjendet edhe në krahinat e Kinës Veriore, Verilindore, Veriperëndimore, madje dhe Jugperëndimore. Dejka është një ndër zogjtë e zakonshëm shtegtarë në Kinë.

Në fakt veçoria e këtij zogu ka të bëjë me ndërtesat tradicionale të Pekinit. Në Portën Zhengyang, Kullën e Tempullit Tianning, Pallatin e Lamaizmit Yonghe; në këto ndërtesa të famshme tradicionale të Pekinit, shihen tufa të mëdha dejkash, të cilat fluturojnë e harbohen me vrull, duke lëshuar tinguj të zhurmshëm. Ky fenomen ka zgjatur për qindra vjet dhe është bërë një panoramë simbolike e Pekinit.

Dejkat e Pekinit duke fluturuar rreth Pallatit Qinian në Tempullin e Qiellit në Pekin/ CFP

Zgjedhja e ndërtesave tradicionale ka lidhje me strukturën e gishtave të këmbës të dejkës së Pekinit. Ky zog e ka të vështirë përshtatjen dhe ecjen në sipërfaqe të sheshta, madje as nuk mund të mbahet mbi degën e një druri apo filli elektrik. Dejka parapëlqen të varet ose ngjitet në të çara ose zgavra. Në krahasim me të çarat e shkëmbinjve, dejka e Pekinit ndjek më shumë "shpellat e drurit" nën çatitë e ndërtesave të mëdha tradicionale kineze, ku është e ngrohtë dhe e sigurt, si për inkubacionin ashtu edhe për rritjen e zogjve të vegjël.

Dejka e Pekinit kalon mbi 90 për qind të jetës gjatë fluturimit, duke kryer të gjitha nevojat fiziologjike si ngrënien, pijen, jashtëqitjen dhe fjetjen, në ajër. Vetëm gjatë sezonit të shumëzimit, ajo bën një ndalesë të shkurtër për ndërtimin e folesë dhe për inkubacionin. Në ndërtesat mbretërore të Pekinit, të mëdha dhe solemne, dejkat e Pekinit kalojnë periudhën e rrallë të pushimit në jetët e tyre. Kështu ndërtesat tradicionale të kryeqytetit kinez janë kthyer në "shtëpinë" e këtij zogu, ndërsa e kanë bashkuar përgjithmonë emrin e saj me atë të Pekinit. Por me ndryshimin marramendës të qytetit, hapësirat e ekzistencës së dejkës së Pekinit po zvogëloheshin gjithnjë e më shumë. Ndërkohë, për mbrojtjen e ndërtesave të lashta, në të çarat e çative dhe shumë portave, kullave e tempujve në Pekin, janë vendosur rrjeta mbrojtëse për zogjtë, duke i lënë dejkat e Pekinit pa një "shtëpi".

Në vitin 2000, biologu kinez Gao Wu regjistroi vetëm 85 dejka të Pekinit përgjatë kanalit mbrojtës rreth Pallatit të Dimrit. Ndërsa në vitin 1974, në të njëjtën rrugë dhe me të njëjtën metodë, ishin 510. Pakësimi drastik i numrit të dejkave të Pekinit tërhoqi vëmendjen e vullnetarëve për mbrojtjen e natyrës. Duke marrë parasysh veçorinë simbolike të dejkës së Pekinit si dhe hamendjet për linjën e shtegtimit të saj, Gao Wu vendosi të zhvillonte një studim për këtë zog dhe t’i vishte ato me një unazë dalluese në këmbë me ndihmën e vullnetarëve.

Fu Jianping lëshoi një dejkë të Pekinit në Pallatin e Verës/ foto nga "Beijing Daily"

"Çdo maj shkonim te pavijoni Guoru në Pallatin e Verës për t’i vendosur shenjën dejkave, ky ishte takimi ynë me zogun e Pekinit dhe gjithashtu një premtim." – tregon Fu Jianping, ish-kryetare e Shoqatës së Vëzhgimit të Zogjve të Kinës. Pavijoni Guoru, titullohet si "më i madhi në Kinë". Në këtë ndërtesë me 42 kolona, mund të vendosen rrjeta mjegullore për të kapur dhe vënë rrethin shenjues dejkave të Pekinit. Në maj, në këtë pavijon mblidhen shumë dejka dhe me këtë rast, vullnetarët mund të takoheshin me to.

"Me t’u vënë rrethin dallues në këmbë, menduam se do të kishim përparim të dukshëm në njohurinë tona për shtegtimin e dejkës së Pekinit si përgjatë udhëtimit, ashtu edhe për destinacionin e shtegtimit. Por fatkeqësisht, gjatë 4 viteve të para, për 70-80 dejka Pekini të shënjuara çdo vit, nuk patëm asnjë informacion. Kapëm vetëm disa prej tyre, por pa ditur ku kishin shtegtuar.” - thotë Fu Jianping. Me daljen në pension të profesorit Gao Wu, projekti për shënjimin e dejkës së Pekinit u pezullua.

Ç'është shenjimi i zogjve?

Me një shpjegim të thjeshtë, gjysma e mbi 10 mijë specieve të zogjve në botë janë shtegtarë. Për të studiuar këta udhëtarë rreth e qark globit, shkencëtarët kanë ideuar për zogjtë një rreth dallues me numër unik që i vendoset në këmbë, sikurse një kartë identiteti, dhe pastaj i lëshojë. Kur zogjtë që mbajnë këto shenjues zbulohen përsëri, informacionet rreth tyre mblidhen në një qendër të dhënash, nga ku shkencëtarët analizojnë dhe zbulojnë linjat e shtegtimit, gjendjen e ekzistencës, veçoritë e jetës, jetëgjatësinë natyrore dhe numrin e shumëzimit. Me këtë metodë të thjeshtë dhe efektive, aktualisht “vishen” afro 5 milionë zogj të egër çdo vit në mbarë botën.

Vullnetarët e Shoqatës së Vëzhgimit të Zogjve e Kinës/ foto nga "Beijing Daily"

Në vitin 2007, projekti për shenjimin e dejkës së Pekinit rinisi nga e para, fillimisht me një fond prej vetëm 10 mijë juanësh (1.300 dollarë), një projekt që vazhdon deri më sot. Po këtë vit, Shoqata e Vëzhgimit të Zogjve e Kinës rifilloi venien e rrethit dallues te dejkët e Pekinit në pavijonin Guoru të Pallatit të Verës. Për më shumë se një dekadë, gjithsej 226 vullnetarë kanë marrë pjesë në këtë kërkim shkencor, duke qenë sot shumë të aftë në vënien e shenjave te zogjtë. 

Studimet treguan se prirja e pakësimit drastik të dejkës së Pekinit dhe të dallëndyshes të paktën u ndalua. Pas goditjes së rëndë nga ndryshimi i madh i habitatit, zogjtë nisën të përshtaten me mjedisin e ri të qytetit. Nën shumë mbikalesa apo kënde të godinave të rikonstruktuara tradicionale, tashmë gjen rëndom fole të dejkës së Pekinit. Edhe vëzhgimi i vullnetarëve e vërtetoi këtë fakt. Pesë vite pas rifillimit të punës për shenjimin e dejkave të Pekinit, po shtohej vazhdimisht përqindja e kthimit të këtij shtegtari në Pekin, duke arritur në 53 për qind në vitin 2012. Kjo tregon se dejkët e Pekinit janë besnikë për vendin e tyre të shumëzimit. Vullnetarët gjurmuan dhe një dejkë të shenjuar që nga viti 2000, çka tregon se ky zog është të paktën në një moshë 13-vjeçare. Gjithsesi ky rezultat tregoi vetëm kthimin e dejkëve të Pekinit. Ende mungonte përgjigjja për destinacionin e tyre gjatë dimrit.

Në prill 2012, Zhu Lei, që ishte një prej vullnetarëve për vënien e rrethit shenjues te dejkët e Pekinit, nisi studimet pasuniversitare në specialitetin e mbrojtjes ekologjike të zogjve në Universitetin Uppsala të Suedisë. Në një seminar shkencor, ai raportoi rezultatin e Shoqatës së Vëzhgimit të Zogjve të Kinës për shenjimin e dejkëve të Pekinit, ku përqindja e kthimit ishte ruajtur në mbi 30 për qind. Pas fjalës së tij, një grua e huaj, që u duk e emocionuar, iu afrua Zhu Leit, duke i thënë se dëshironte të bashkëpunonte me shkencëtarët kinezë të zogjve, në ndihmë të kërkimit të linjës së shtegtimit të dejkës së Pekinit. Kjo grua ishte Suzana, profesore e ekologjisë evolucionare në Universitetin Lund të Suedisë. Ajo kishte veshur 8 dejkë evropianë me gjeolokatorë të nivelit të dritës dhe në vitin e dytë, 6 prej tyre i ishin kthyer me sukses. Të dhënat e gjurmimit tregonin se këta gjashtë dejkë evropianë kishin kaluar dimrin në pellgun e Kongos në qendrën perëndimore të Afrikës.

 Grup specialistësh nga vende të ndryshme të botës/ foto nga "Beijing Daily"

Me ndërmjetësimin e Zhu Leit, Shoqata e Vëzhgimit të Zogjve e Kinës nisi kështu bashkëpunimin ndërkombëtar, duke formuar një grup specialistësh nga vende të ndryshme të botës. Sipas normës së qarqeve ndërkombëtare për shenjimin e zogjve, pajisja e veshur nuk mund të jetë më e rëndë se 3 për qind të peshës së vetë shpendit. Për shembull, për një dejkë të Pekinit me peshë prej 35 gramësh, pajisja e pozicionimit nuk mund t’i kalojë 1.05 gram peshë neto. Në fund, specialistët përcaktuan një pajisje pozicionimi të prodhuar në Britani, me peshë neto prej vetëm 0.65 gram. Logjika e gjeolokatorit të nivelit të dritës është marrja e informacionit gjeografik sipas ndryshimit të rrezeve të diellit. Ajo ka epërsi në peshë dhe kosto dhe është shumë e përshtatshme për veshjen e zogjve të vegjël. Ndryshe nga pajisjet e pozicionimit me GPS të veshur nga zogjtë e mëdhenj, kjo pajisje nuk mund ta transmetojë në kohë reale pozicionin gjeografik të zogjve në fluturim, por i ofron të dhënat vetëm pas rikapjes së tyre.

Pas 12 muajve, më 24 maj 2015 në mëngjes herët, afro 50 shkencëtarë dhe vullnetarë u mblodhën përsëri në pavijonin Guoru për të gjetur përgjigjen e misterit. Brenda vetëm 2 orëve, 13 dejkët e Pekinit, të veshur me pajisjen e pozicionimit përmes dritës ngecën te rrjetat mjegullore. 

Shkarkimi i të dhënave nga pajisja e pozicionimit, të veshur nga dejka e Pekinit më 2015/ foto nga "Beijing Daily"

Shkencëtarët shkarkuan dhe analizuan në terren informacionet nga e para pajisje e pozicionimit të rimarrë nga dejka e Pekinit. Kur gjurma e fluturimit u shfaq në hartën botërore, të gjithë të pranishmit u habitën. Kjo vajtje-ardhje kishte një distancë prej plot 30 mijë kilometrash. Të dhënat treguan se pas largimit nga Pekini në fund të korrikut, dejkët kalojnë me radhë rajonin e Mongolisë së Brendshme, veriun e malit Tianshan, Azinë Qendrore, Gadishullin Arabik, Afrikën Qendrore, duke arritur në jugperëndim të Afrikës në fund të tetorit. Periudha e pushimit 3-mujor ishte në Namibi, Botsvanë dhe në provincën e Keiptaunit Perëndimor të Afrikës së Jugut. Në fillim të shkurtit të vitit tjetër, ato largohen nga Afrika për t’u kthyer në Pekin në fund të prillit. Gjatë gjithë procesit të shtegtimit, gjurmët e dejkës së Pekinit përfshijnë 37 vende dhe rajone të Azisë dhe Afrikës.

Pas publikimit të hartës së shtegtimit të dejkës së Pekinit, ky zog i vogël po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e publikut të gjerë, me veçorinë e tij këmbëngulëse. Nga një studim shkencor të zhvilluar më 2021 për dejkët e Pekinit, ky lloj ka mbi 10 mijë individë në Pekin, shifër kjo e shtuar dukshëm në krahasim me dhjetë vite më parë. Kjo arritje nuk mund të ndahet nga këmbëngulja e vullnetarëve gjatë mbi një dekade. (Wang Lei/ Laçi)

Harta e shtegtimit të dejkës së Pekinit/ foto nga "Beijing Daily"