Foto nga aplikacioni TEA
Në Amfiteatrin e Durrësit do të vihet në skenë më datat 22-23 gusht në orën 20.00 shfaqja “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë”. Komedia amerikane nga Christopher Durang, është pjesë e projektit Muza dhe Durrësi.
“Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë “ është komedia bashkëkohore, e cila është shfaqur disa vite më parë në Teatrin Kombëtar.
Situatat sjellin një komedi ku ndërthuren katër veprat e dramaturgut rus Cehov, e cila është vënë në skenën shqiptare me regji të Driada Dervishit për të cilën vepra është një përzgjedhje shumë e mirë për vënien në skenë.
Komedia “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë“ ndërthur lirizmin dhe ndjeshmërinë e autorit dhe ka në përbërje të saj gjashtë aktorë katër prej të cilëve profesionistë. Vite më parë kjo shfaqje ka trimfuar edhe në Festivalin Mbarëkombëtar të Komedisë në Korçë “KokoFest” ka fituar garën midis 12 komedive të tjera pjesëmarrëse mjaft të njohura nga publiku, apo trupave teatrore. Aktorja e njohur Yllka Mujo fitoi çmimin e karrierës në Festivalin “KoKoFest 2015”.
Foto nga facebook
Ndërkohë aktorja Olta Daku fitoi çmimin “Aktorja më e mirë protagoniste”, në rolin e Sonjës, aktori Neritan Liçaj fitoi çmimin “Aktori më i mirë protagonist”, në rolin e Vanjës. Një tjetër çmim i rëndësishëm është Tony Awards. Një komedi e suksesshme me një trupë të përzgjedhur aktorësh ku do të gërshetohen aktorë të mëdhenj të skenës shqiptare me artistë të rinj të talentuar.
Autori i dramës Christopher Durang që është i njohur në botë, ishte një surprizë. Fakti që ai shkruan një pjesë që në titull vendos tre emra të personazheve të marrë nga drama të Çehovit, tregon se ai ishte dhe është adhurues I dramaturgut më mirënjohur rus. Është një miksim i komedisë dhe ka nota të dramacitetit, bazuar në temat e personazheve të dramaturgut rus.
Kur shfaqja “Vanja, Sonja, Masha e të tjerë” është vënë si premerierë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, në të kanë interpretuar aktorët, Neritan Liçaj, Olta Daku, Yllka Mujo, Besmir Bitraku, Adelina Muça, Valina Muçolli. Ndërsa këtë vit më 22 dhe 23 gusht në ora 20.00 në Amfiteatrin e Durrësit do të ngjiten në skenë aktorët e mirënjohur Yllka Mujo, Neritan Liçaj, Olta Daku, Zamira Kita, si dhe aktorët e rinj, por mjaft premtues Xhuliano Brisku e Paola Kodra, në regjinë e Driada Dervishit. Për shfaqjen “Vanja dhe Sonja, Masha dhe të tjerët ” regjisorja Driada Dervishi, është shprehur për mediat:
“Përsa i përket kësaj komedie mendoj se për mua ishte zgjedhja perfekte , nëse unë do të doja të vija tani, menjëherë nuk do hezitoja të vija veprën “Pulëbardha”. Të gjithë e adhurojnë Çehovin, ndaj mendoj se është zgjedhja e duhur jo vetëm për mua, por për të gjithë. Kjo pjesë ashtu siç ka humor ka dhe shumë ndjenjë, ka zemër dhe kjo kohë ka nevojë pikërisht për këto” tha regjisorja Dervishi.
Foto nga instragram
Fabula e komedisë “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë”
Në vepër janë dy motra dhe një vëlla. Një prej motrave dhe vëllai, Sonja dhe Vanja kanë gjithë jetën që janë kujdesur në një shtëpi në provincë për prindërit, pa mundur të krijojnë një jetë të tyre. Masha motra e madhe që i ka ndihmuar financiarisht nuk është marrë asnjëherë me prindërit dhe shtëpinë, por është një superaktore mjaft e paguar dhe e njohur, e cila vjen për një festë me kostum për të takuar dhe familjen. Këtu fillon e gjithë komedia, sepse ajo vjen për të shitur shtëpinë. Pas kësaj fillon tensioni dhe konflikti mes motrave dhe vëllait. “E bukura e komedisë është se, ata që nuk e njohin Çehovin do ta shijojnë si tepër të freskët dhe me ritëm dhe ata që e njohin do ta shijojnë dyfish”, ka pohuar regjisorja Dervishi. Christopher Ferdinand Durang është një dramaturg amerikan i njohur për veprat e tij të forta, të cilat sipas kritikës së huaj klasifikohen shpesh në gjininë e komedisë absurde. Pjesët e tij filluan të tërhiqnin vëmendjen që në vitet ’80, por pas viteve ‘90 karriera e tij mori një kthesë të madhe. Komedia “Vanya and Sonia and Masha and Spike” fitoi “Tony Award for Best Play” në 2013. Në 30 veprat e tij teatrale ai trajton abuzimin e fëmijëve, dogmën e Kishës si dhe tema të tjera sociale.
Sava Lena