“Aktualisht, numri i ndërmarrjeve kineze të lidhura me kafenë i tejkalon 180 mijët. Tregu i kafesë në Kinë do të ruajë një prirje të fortë rritjeje në të ardhmen,” raporton agjencia ruse “Sputnik” për gjallërinë e fuqishme të tregut të kafesë në Kinë.
foto: VCG
Ky është një mikrokozmos i rimëkëmbjes së vazhdueshme të tregut të konsumit të Kinës, komenton Grupi Mediatik i Kinës (CMG). Sipas të dhënave të publikuara të martën nga autoritetet kineze, ekonomia kombëtare e Kinës po rimëkëmbet gradualisht. Në shtatë muajt e parë të këtij viti, shitjet me pakicë të shërbimeve në Kinë u rritën me 20.3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nën ndikimin nga konsumi i turizmit dhe aktivitetet kulturore, sportive dhe argëtuese gjatë pushimeve verore, shërbimet përkatëse u rritën shpejt. Në të njëjtën periudhë, shitjet me pakicë të mallrave të konsumit shoqëror u rritën me 7.3 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Konsumi është motori kyç i rritjes ekonomike. Aktualisht, rimëkëmbja e ekonomisë globale është e dobët. “Çfarë mundësie mund t’i sjellë botës rimëkëmbja e vazhdueshme e tregut të konsumit të Kinës? “ pyetet në komentin e CMG-së.
foto: VCG
Në të kaluarën, modeli i konsumit në Kinë mbizotërohej nga konsumi i mallrave, domethënë blerjet, ndërsa tani është transformuar gradualisht në konsumin e mallrave dhe shërbimeve. Në shpenzimet e konsumit për frymë të banorëve kinezë, konsumi i shërbimeve zë më shumë se 40 për qind. Ky transformim dhe përmirësim i strukturës së konsumit u ka krijuar kompanive shumëkombëshe hapësirë të re zhvillimi, vijon komenti i CMG-së.
Këto ditë, Këshilli i Shtetit i Kinës paraqiti 24 masa për të përmirësuar mjedisin e investimeve të huaja, shumë prej të cilave përfshijnë zgjerimin e hapjes në fushën e shërbimeve.
Njëkohësisht, parashikueshmëria e politikave ekonomike të Kinës është gjithashtu një “gjë e rrallë” që vlerësohet nga kompanitë shumëkombëshe. Bota e sotme është e trazuar dhe politikat ekonomike të disa vendeve perëndimore shpesh bëjnë “kthesa të mprehta”. Ndërsa politikat e Kinës ruajnë qëndrueshmërinë e vazhdimësinë, duke bërë të mundur që kapitali i huaj të ketë besim te zhvillimi në Kinë.
foto: VCG
Aktualisht, mjedisi ndërkombëtar është ende i ndërlikuar, ndërsa nuk ka ndryshuar prirja pozitive e ekonomisë së Kinës, që ka ende elasticitet dhe potencial të madh. Faktet do t'u tregojnë zërave nga Perëndimi që "flasin keq" për ekonominë kineze se ajo do të arrijë zhvillimin me cilësi të lartë duke kapërcyer vështirësitë, çka është prirje e pakthyeshme. (Li Huailiang/Artan)