Një fushatë kundër mitëmarrjes ka përfshirë sektorin kinez të mjekësisë gjatë muajit të kaluar, duke bërë që shumë drejtues spitalesh dhe zyrtarë të mjekësisë të vihen nën hetim.
Fushata, e nisur së bashku nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë dhe nëntë departamente të tjera në korrik, synon të rregullojë shkelje të tilla si përdorimi i pushtetit për të kërkuar qira, favorizimet e padrejta në prokurimin e barnave dhe pajisjeve, si edhe mitëdhënia ose mitëmarrja, tha Komisioni në një deklaratë të martën.
foto: VCG
Fushata njëvjeçare pritet të nxisë një atmosferë ndershmërie e integriteti në sektorin mjekësor. Ajo mbulon të gjitha aspektet e sektorit mjekësor, duke përfshirë administratën, shoqatat dhe shoqëritë mjekësore, institucionet mjekësore e shëndetësore, ndërmarrjet mjekësore dhe fondet e sigurimeve mjekësore, duke u përqendruar në individët që punojnë në poste kyçe në këtë sektor.
"Sektori mjekësor është i lidhur ngushtë me mirëqenien dhe jetën e çdo individi. Është një sektor ku absolutisht nuk mund të lejohet korrupsioni," tha një zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë, duke shtuar se nga fushata do të përfitojë tërë shoqëria, pasi korrupsioni rrit koston mjekësore për qytetarët.
Sipas kërkesave të fushatës, autoritetet vendore kanë marrë masa të fuqishme për të goditur shkeljet dhe veprimet e paligjshme në sektorin mjekësor.
Të dhënat nga Komisioni Qendror për Kontrollin e Disiplinës i Partisë Komuniste të Kinës tregojnë se janë hetuar më tepër se 160 drejtorë e shefa spitalesh në kuadër të fushatës dhe numri vazhdon të rritet.
Përveç këtyre masave, Kina po eksploron gjithashtu një mekanizëm afatgjatë që siguron funksionimin transparent të sektorit mjekësor. Po intensifikohet rregullimi i përgjithshëm i industrisë mjekësore. Për shembull, po vijojnë reformat në spitalet publike, duke theksuar standartizimin e çmimeve të shërbimit mjekësor dhe sistemit të pagesave. Po bëhen gjithashtu përpjekje për të rregulluar zhvillimin e institucioneve mjekësore private.