Kinë, konsumi luan rol më të madh në nxitjen e rritjes ekonomike
2023-08-16 10:27:51

Foto nga VCG

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, shitja me pakicë e mallrave të konsumit në Kinë shënoi rritje me 8.2 % dhe niveli i kontributit nga konsumi përfundimtar për rritjen ekonomike ka arritur në 77.2 %. Qysh prej fillimit të këtij viti, shumë krahina në Kinë kanë ngulur këmbë në nxitjen e konsumit, duke e vendosur në një pozicion me përparësi. Janë marrë një sërë masash stimuluese dhe janë organizuar shumë aktivitete promovimi, duke krijuar skenarë të rinj konsumi, çka e ka nxitur tregun kinez të konsumit të mëkëmbet në mënyrë të vazhdueshme.

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping ka theksuar që “konsumi po bëhet fuqia bazë për nxitjen e rritjes ekonomike dhe duhet të shtohet aftësia e konsumit, të përmirësohen kushtet e konsumit, të inovohen skenarët e konsumit dhe të çlirohet plotësisht potenciali i konsumit”.

Në fund të korrikut u zhvillua mbledhja qendrore ekonomike e PKK-së, ku u theksua që duhet të shtohet kërkesa e brendshme, të shfrytëzohet roli i konsumit për rritjen ekonomike dhe të shtohet niveli i konsumit me shtimin e të ardhurave të njerëzve. Po ashtu, u kërkua të stimulohet konsumi i automjeteve, pajisjeve elektronike dhe orendive shtëpiake, si dhe të nxitet konsumi i shërbimeve, si sporti e turizmi.

Sektori i turizmit ka pasur mëkëmbje të fuqishme. Sipas të dhënave nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kinës, gjatë festës “Duanwu” (ose Festa e Vargës së Dragoit), numri i udhëtimeve turistike brenda vendit arriti në 106 milionë, 32.3 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2022. Të ardhurat turistike arritën në 37.31 miliardë juanë, 44.5 % më shumë se një vit më parë.

Foto nga VCG

Krahas kësaj, edhe konsumi në tregun e automjeteve ka shënuar rritje të shpejtë. Në maj, shitja me pakicë nga kompanitë kryesore të automjeteve u rrit me 24.2 %. Ndërkohë, shitja me pakicë e mallrave, si pajisjeve të telekomunikacionit, bizhuterive dhe artikujve sportivë është shtuar përkatësisht me 27.4%, 24.4% e 14.3%.

Për sa i përket sektorit të shërbimeve, si pijet e ushqimi, në gjashtëmujorin e parë, Ministria e Tregtisë ka organizuar aktivisht një sërë veprimtarish për nxitjen e konsumit ushqimor. Gjatë pushimeve të festës së 1 Majit, ndërmarrjet kryesore të këtij sektori shënuan rritje me 57.9%. Në gjashtëmujorin e parë, të ardhurat në mbarë vendin ishin 21.4 % më shumë se gjatë së njëjtës periudhë në vitin 2022. Kjo rritje është 13.2 pikë përqindjeje më e larte se vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të mallrave të konsumit.

Foto nga VCG

Në qytetin Chengdu të Kinës Jugperëndimore, “autobusët hotpot” kanë tërhequr shumë konsumatorë. Me pajisje argëtuese dhe zbukurime tradicionale, njerëzit mund të marrin shërbime të njëjta si në restorant, duke shikuar pamjet e qytetit.

Në qytetin e lashtë Taierzhuang të Kinës Lindore, njerëzit tani kanë një zgjedhje të re për të vizituar zonën turistike. Ditën, ata mund të gjejnë ushqime e pije të pasura dhe natën, turistët mund të udhëtojnë në grupe, duke dëgjuar melodi vendase në lagjet ujore. Gjatë festës së 1 Majit, ky qytet i lashtë priti gjithsej 306.7 mijë vizitorë, 80 % prej të cilëve qëndruan në hotelet vendore.

“Tani, modeli i ri dhe mënyrat e reja po bëhen pikat e reja të rritjes së konsumit,” tha studiuesi i Institutit të Biznesit Elektronik pranë Ministrisë së Tregtisë, Hong Yong. Sipas tij, konsumi në tregun kinez ka veçanti, si elasticiteti i fortë, potenciali i madh dhe gjallëria e plotë. Kjo ka siguruar një prirje të mirë për rritjen e vazhdueshme të konsumit. Në gjashtëmujorin e parë, në treg janë shtuar më shumë produkte e shërbime cilësore, të cilat konsumatorët kanë më shumë dëshirë për t’i blerë e përdorur, duke stimuluar një potencial më të madh dhe duke krijuar më shumë kërkesa në treg. (Jiang Lei)