Femrat kanë qenë gjithmonë muzë frymëzuese për artistët piktorë, të cilët e kanë parë atë si nënë, motër, bijë, grua, të dashur, gjyshe e me rradhë…Pozicioni social i femrës në shoqërinë shqiptare ka ndryshuar kryekëput, që kur Kolë Idromeno realizoi veprën “Motra Tone”, portreti më i dashur i një femre për historinë e pikturës shqiptare. E që nga koha kur femra vihej në fokus dhe pikturohej bota e saj e brendshme dhe detajet e kostumeve të saj popullore sipas krahinave të vendit e deri më sot, gruaja në pikturë është prezantuar në mënyra të ndryshme.
Motra Tone- foto Wikipedia
“Motra Tone” nga Kolë Idromeno
“Motra Tone” (1883) u realizua nga Kol Idromeno piktor, arkitekt, urbanist, skulptor, fotograf, muzikant, skenograf. "Motra Tone" u punua në teknikën e vajit mbi kanavacë dhe paraqiste portretin e motrës së artistit të veshur me kostumin tradicional shqiptar. Vepra u ekspozua për herë të parë për publikun në vitin 1954 në Galerinë e Arteve, në Tiranë.
“Piktor i Popullit" Kol Idromeno është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX - XX.
Te pusi i fshatit nga Simon Rrita- foto Kult plus
“Te pusi i fshatit” nga Simon Rrota
Ndryshe nga Idromeno, i cili tërhiqej prej personazheve që mbartnin një tis misteri, Simon Rrota në pikturat e tij kërkon të sjellë një reflektim të realitetit. I tërhequr prej gjinisë femërore, ai sjell në pikturat e realizuara në vitet 1934, një kompozim interesant të grave në pusin e fshatit, ku ngjyrat e rrobave që ato mbajnë në trup nxjerrin në pah elementin femëror. Në këtë tabllo del forca tërheqëse që kanë kostumet e grave të Shkodrës, të Zadrimës dhe të krahinave përreth të cilat sjellin një dinamikë të tillë, ku artisti pasqyron jo vetëm gruan, por edhe gjestin, kostumin, kohën, natyrën, ngjyrat e atmosferës së një shekulli më parë, të cilat përbëjnë elemente të etnos dhe fenomene të antropologjisë shqiptare. Pasqyrimi i gruas në mjediset e familjes, të punës, të tregut, në rrugë apo te pusi është parë me kujdes dhe me këmbëngulje nga Simon Rrota.
Portret vajze nga Kel Kodheli- foto galeria Kombetare e Arteve
“Portret vajze” nga Kel Kodheli
Pas piktorit Simon Rrota, që trajtoi kryesisht figurat e grave shkodrane me veshje të ndryshme tradicionale, Kel Kodheli është ndër të paktët piktorë shqiptarë që krijimtarinë ia kushtoi kësaj teme. Në portretet e tij, Kodheli zbuloi psikologjinë e femrës shqiptare të kohës nën një këndvështrim tjetër, të papolitizuar, por të "zbukuruar" nga dashuria e tij për njeriun dhe veshjet kombëtare.
Vajza me kordele nga Andrea Kushi-foto albanian art
“Vajza me kordele” nga Andra Kushi
Është një portert i punuar me vaj në kompenatë, i viti 1949. Portreti paraqet një vajzë me kostum popullor të Tiranës. Andra Kushi pikturoi me ngjyra të ngrohta, të pastra dhe natyrale. Sytë e vajzës janë plot jetë dhe sikur të shohin me dashamirësi.
Nene Labe nga Nexhmedin Zajmi- foto Galeria Kombetrae e Arteve
“Nënë labe” nga Nexhmedin Zajmi
Portreti i nënës labe i përket vitit 1955. Tablloja është punuar me vaj në kanavacë. Në këtë portret dallohet qartë prirja e piktorit për të zbuluar botën e brendshme të gruas labe duke bërë kërkime dhe zbulime në psikologjinë e karakterit të saj.
Autoportret nga Sofie Papadhimitri- foto Galeria Kombetrae e Arteve
“Autoportret” nga Sofie Papadhimitri
Krijimtaria artistike e piktores Sofie Papadhimitri, është gati e gjitha, në gjininë e portretit të njeriut, e cila fillon me autoportretin e saj, “Autoportret”, 1939, vaj, kanavacë.
Aksionistja nga Hasan Nallbani- foto Galeria Kombetrae e Arteve
“Aksionistja” nga Hasan Nallbani
“Aksionistja” me autor Hasan Nallbanin, ku shfaqet portreti i një gruaje me flokët e prera shkurt, veshur me një bluzë të thjeshtë, pantallona dhe një shall të lidhur në qafë, teksa mban një sëpatë mbi supe, që tregon se tashmë ka mbërritur një moment nga më interesantët dhe më të diskutueshmit në historinë e artit pamor në Shqipëri, ai i artit të Realizmit Socialist.
Ne pultin e komandimit nga Llambi Blido- foto Galeria Kombetare e Arteve
“Në pultin e komandimit” nga Llambi Blido
Emancipimi i gruas një platformë e fuqishme sensibilizuese që depërtoi në çdo spekër të jetës, u bë i dukshëm sidomos në pikturë ku piktorët nisën ta fokusojnë gruan edhe në një prespektivë tjetër. Ajo tashmë do të kishte edhe një funksion të ri, krahas rolit në familje, si vajzë, bashkëshorte, grua apo nënë. Kjo temë shihet tek tablloja “Në pultin e komandimit”, e Llambi Blidos, një vepër e vitit 1971, kur fushata ishte në kulmin e saj.
Ndërtuesja nga Bardhyl Dule-foto Galeria Kombetare e Arteve
"Ndërtuesja", Bardhyl Dule
Ky kompozim i piktorit Bardhyl Dule, prezanton modelin e gruas shqiptare të asaj periudhe, duke punuar në veprat që vendi po ndërtonte. Është një shoqëri që e vendos gruan në çdo rol e pozicion, madje edhe në atë të ndërtueses, gjë që nuk i shpëton vëmendjes së artistit për ta sjellë këtë etyd përmes punës së tij.
Kooperativistja nga Ferdinand Paci- foto Albanian artist
"Kooperativistja" nga Ferdinand Paci
"Kooperativistja" e Ferdinand Pacit, duket sa e bukur aq edhe me tipare të forta mashkullore si: qëndrimi dhe krahët me mëngë përveshur dhe të tonifikuar nga puna. Jemi akoma në vitet kur gruaja paraqitej e barabartë me burrin gjë që pasqyrohet edhe në pikturë.
Kooperativistja e duhanit nga Isuf Sulsovari - foto galeria kombetare e Arteve
“Kooperativistja e duhanit” nga Isuf Sulovari
“Kooperativistja e duhanit” e Isuf Sulovarit, ndonëse i përket veprave të periudhës së realizmit socialist, ku në qendër kishim emancipimin e femrës, prap se prap bie në sy për ngjyrat dekorative dhe forma të plota larg natyralizmit akademik. Ai e stilizon fugurën e gruas, duke evidentuar bukur format e mëdha e duke preferuar sa më pak detaje. Kjo mënyrë pikturimi krijonte efekte piktorike interesante dhe mjaft individuale. Vepra ruhet në galerinë Kombëtare rë Arteve.
Zadrmorja nga Sali Shijaku- foto Galeria Kombetare e Arteve
“Zadrimorja” nga Sali Shijaku
“Zadrimorja” është ndoshta ndër portretet më të bukura të pikturës shqiptare, pikturuar nga piktori Sali Shijaku në vitin 1983. Bëhet fjalë për portretin e një nuseje të re nga krahina e Zadrimës, që pozon para piktorit me qepallat e ulura e gjithë ndrojë. Një portret ku gruas së re nuk i duken sytë e megjithatë ajo ka një gjuhë shprehëse të jastëzakonshme e plot kolorit.
Ne familje, nga Hilmi Bani- foto galeria Kombetare e Arteve
“Në familje”nga Hilmi Bani
Gruaja e veshur me të bardha dhe shapkat e kaltërta që përkëdhel fëmijën në tryezën e ngrohtë të familjes është një vepër e Hilmi Banit. E realizuar më 1981. Tablloja prezanton tre breza, gjyshen plakë, gruan e re dhe fëmijën e vogël. Një kompozim ku autori konfirmon vlerat e familjes tradicionale shqiptare, përmes një kolori të freskët ngjyrash, si për të treguar se tradita është e prirur të vazhdojë.
Njerezit e diteve tona, nga Minella Saro- foto Galeria Kombetare e Arteve
“Njerëzit e ditëve tona” nga Minella Saro
Vepra është punuar me vaj në kanavacë dhe i përket vitit 1984. Në kompozim paraqiten disa figura femërore ku në qendër është një grua e re me karrocën e fëmijës së saj duke shpjetuar hapin në një mëngjes të zakontë pune. Vepra i përket periudhës së realizmit socialist dhe roli i femrës në këtë etapë është evident, gjë që shihet edhe tek ky kompozim.
Portret malesoreje, Edison Gjergo- foto Albanian Art
“Portret malësoreje” nga Edison Gjergo
"Portret Malësoreje", 1972. Edison Gjergo ishte një nga piktorët e rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. I prirur drejt një pikture më moderne, larg nga rregullat e Realizmit Socialist, Gjergo me tablotë e tij “ndryshe” arriti të ndikojë në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve ’70-të. Edison Gjergo ishte një nga piktorët kryesorë që realizoi në vitet 1971-1973, vepra me prirje të fuqishme moderniste.
Portret Gruaje- Ismail Lulani - foto FB Ismail Lulani
“Portret gruaje”nga Ismail Lulani
Një portret mjaft interesant, pikturuar me ngjyra vaji në vitin 2002. Piktori Ismail Lulani me këtë portret ka realizuar një vepër të shkëlqyer. Është një portret shumë i bukur, me një shprehje karakteristike impresive që gjallëron figurën e një malësoreje. Vepra shquhet për kolorit të mrekullueshëm dhe stil unik.
Neritana Kraja