Griseldi gjate momenteve te punes (Foto personale)
Griseld Hoxha ka përfunduar studimet e larta për Informatikë, por pasioni për fotografinë ka bërë që ai të jetë më i përkushtuar në këtë fushë të artit. Griseldi ka marrë pjesë në një ekspozitë fotografike kolektive në qytetin e Durrrësit me fotografi bardhë e zi, të cilat janë vlerësuar nga vizitorët. Ai gjithashtu është vlerësuar me mjaft çmime në konkurse ndërkombëtare të fotografisë për tematikat dhe realizimin e fotove. Së fundi ka nisur një projekt të ri foto me printim dhe kur të arrijë 100 foto të realizuara ka dëshirë të bëjë një katalog të fotove të momentit me printim me personazhe të ndryshme të rrugës.. Në një intervistë për Radio Ejani Griseld Hoxha tregon për pasionin për fotografinë dhe videografinë, vlerësimet e marra si dhe projektet në të ardhmen.
Griseld Hoxha ne interviste per CMG
CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me fotografinë?
Griseld Hoxha: Unë jam marrë me basketboll para shtatë vjetësh, por nga sporti kalova në art dhe kulturë, lindi pasioni për fotografinë për të kapur momentet, natyrën dhe njerëzit. Si fillim e nisa me studion në Durrës sepse të blesh aparatin apo gjërat e tjera janë të kushtueshme dhe duhet të kesh të ardhura bazë që t’i kesh këto pajisje. Dalëngadalë duke punuar me aktivitete të ndryshme, bleva aparatin tim të parë, objektivat dhe lentet e ndryshme që kanë edhe ato koston e vet. Kështu që më vonë vazhdova të jemë i lirë, i ndarë nga të tjerët dhe për të punuar vetë nëpër aktivitete, institucione dhe evente të ndryshme në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe më gjerë.
CMG: Cila ishte arsyeja që u larguat nga basketbolli?
Griseld Hoxha: Arsyeja që e lashë basketbollin ishte sepse nuk ecën sporti në Shqipëri.
Griseldi duke fotografuar (Foto personale)
CMG: Cila është dega që ju keni studiuar dhe besoj se nuk ka lidhje me fotografinë?
Griseld Hoxha: Unë kam mbaruar shkollën e mesme dhe të lartë për informatikë, por pasioni e ka thyer atë që kam bërë dhe tani kam dalë nga pasioni në profesion përtej shkollës.
CMG: Kishit dikë nga familja që ka ndjekur artin e fotografisë?
Griseld Hoxha: Nga familja dhe as nga fisi nuk kanë lidhje me fotografinë apo artin. Janë të gjithë me profesione të ndryshme, artista nuk kemi fare në familje, por jam unë dhe merrem me fotografinë.
CMG: Pse ju pëlqen më tepër fotografia bardhë e zi?
Griseld Hoxha: Unë kam dhe fotografi me ngjyra, por jam fokusuar më shumë te bardh e zi sepse ata të japin emocionet dhe llojin e ndjenjës, që ta ndjesh foton sepse nëse është me ngjyra është e plotësuar fotografia. Në momentin që ti e shikon një fotografi të ndjeshme apo dramatike që mund të bëhen bardh e zi, ajo të jep llojin e emocionit dhe atë ndjenjën që e përjeton fotografinë dhe mund ta përmirësosh.
Griseld Hoxha ne studion e tij (Foto personale)
CMG: Tashmë e keni kthyer në profesion artin e fotografisë. Ku keni punuar si fotograf?
Griseld Hoxha: Kam punuar në institucione me aktivitetet që bëhen jashtë, por kam punuar dhe me fushatat zgjedhore si dhe në evente familjare, kulturore dhe artistike. Gjithashtu kam punuar dhe me dokumentarë, ku kam fotografuar dhe filmuar sepse jam dhe videograf përveçse fotograf.
CMG: Flasim për videografinë që është një tjetër pasioni i juaji dhe po e zhvilloni bashkë me fotografinë.
Griseld Hoxha: Përsa i përket videografisë do të bësh regjistrimin e eventeve dhe t’i montosh për të nxjerrë përmbledhjen e gjithë aktivitetit, por nuk kam pasur ndonjë projekt. Kam pasur vetëm një projekt ku realizova një film për fëmijë “Borëbardha dhe gjyshi i dhuratavë”, me minutazh të shkurtër që e realizuam për gati tre muaj. Ajo mund të ketë qenë një videografi më ndryshe nga punët e tjera që kam bërë, e filmuar dhe montuar nga ana ime.
Griseld Hoxha me Presidentin e Shqiperise Bajram Begaj (Foto personale)
CMG: Para pak kohësh keni marrë pjesë në një ekspozitë kolektive fotografike në qytetin e Durrësit. Cilat ishin punimet e fotografisë që ekspozuat dhe si u pritën nga artdashësit?
Griseld Hoxha: Kjo ekspozitë është realizuar vitin e kaluar në muajin maj, dhe ishte hera e parë që merrja pjesë në një ekspozitë kolektive, sepse personale akoma nuk e kam një të tillë. Unë mora pjesë me fotografitë bardh e zi, 75 fotografi dhe pjesa më e madhe e fotografive ishin të miat. Fotografitë e ekspozuara flisnin për periudha të ndryshme nga tërmeti, pandemia dhe kauza të tjera që kanë prekur vendin. Unë kisha pjesën më të madhe të fotografive dhe qytetarët nuk ishin mësuar me këtë lloj stili bardhë e zi dhe fotografinë e rrugës, që jep një tjetër impakt kur është bardhë e zi.
CMG: Ju lëvizni me aparatin tuaj fotografik, fotografoni çdo moment dhe fiksoni gjëra të veçanta me objektivin tuaj?
Griseld Hoxha: Patjetër dhe kur jam me shoqëri në vende të ndryshme dhe ata janë duke diskutuar, ku syri im kap diçka dhe e nxjerr telefonin apo aparatin për të kapur momentin.
Griseld Hoxha me kryetaren e Bashkise Durres (Foto personale)
CMG: Keni udhëtuar në vende të tjera për të kapur momente në objektivin tuaj?
Griseld Hoxha: Kam udhëtuar në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Malin e Zi por shpresoj që në të ardhmen të kem një ekspozitë jashtë vendit, në Milano të Italisë, besoj me këto fotografitë bardh e zi, dhe nëse realizohet do të jetë diçka e bukur.
CMG: Disa nga fotografitë e realizuara nga ju kanë marrë dhe çmime. Flasim për tematikat që kanë pasur këto punime dhe si jeni ndjerë me vlerësimet e marra?
Griseld Hoxha: Jam vlerësuar gati katër vjet rresht me çmime, duke nisur me çmimin e parë në vitin 2020 ku u shpall një konkurs për fotografinë ndërkombëtare të muajit të Ramazanit, pra ishte fotografi e xhamisë së Durrësit e bërë natën me shatërvanin pranë dhe u vlerësua me çmimin e tretë. Më pas u prekëm nga pandemia dhe zhvillonin koncerte nëpër lagjet e Durrësit, ku unë realizova një fotografi të një violinist që luante me violinë dhe banorët nga lart e dëgjonin. Atë fotografi e realizova bardhë e zi sepse shkonte shumë dhe u vlerësova me çmimin më të mirë në periudhën e karantinës. Gjithashtu kam fituar një çmim tjetër në konkursin “Tirana Foto Festival”, ku ishte tema rinia dhe unë dërgova pesë foto, por njëra që u përzgjodh ishte një foto e realizuar në kohën e pandemisë në Gjirokastër, ku unë isha për të realizuar një dokumentar atje. Unë realizova një foto të një të riu që kishte dalë në dritare dhe ja spjegova të tjerëve që pse ai ishte vetëm, ngaqë të gjithë shokët i kanë ikur në emigrim dhe ai ka mbetur vetëm me cigare dhe telefon në dorë. Para një muaji kam marrë dhe një çmim tjetër tek “Travel Fest Albania”, te kategoria jeta e qytetit, ku ishte një foto me emrin evoluimi, një i ri me çadër në shetitoren e Durrësit Vollga, i cili duke ecur dhe mbrapa kishte një guackë dhe një gur, pra evoluimi nga guri që del dhe i riu që ecën.
Griseld Hoxha gjate punes (Foto personale)
CMG: Kaq vite eksperiencë në fushën e fotografisë, tashmë nga pasion të është kthyer në profesion.
Griseld Hoxha: Fotografia lindi nga pasioni dhe u bë profesion, nuk e kam lënë që të jetë vetëm profesion, por duhet të mbetet dhe pasioni sepse vazhdojmë të bëjmë ndonjë gjë për qejf.
CMG: Keni gjetur ndonjë lidhje që mund të ketë fotografia me studimet tuaja në informatikë?
Griseld Hoxha: Informatika është tjetër gjë, por lidhen bashkë sepse teknologjia ka të bëjë kur do të montosh diçka dhe janë ato gjëra që ke mësuar në informatikë që të ndihmojnë.
Griseld Hoxha me violinistin Olen Cezari (Foto personale)
CMG: Përveç pasionit për artin e fotografisë dhe videografisë keni pasione të tjera në jetë?
Griseld Hoxha: Unë më shumë përdor biçikletën dhe me atë lëviz sepse Durrësi është qytet i vogël dhe me atë mund të shkoj nga një anë në një anë tjetër. Gjithashtu jam dhe pjesë e grupeve çiklistike në Durrës, ku marrim pjesë në pedalime të gjata nga Durrësi në rrethinat e qytetit. Ky është një nga pasionet e mia.
CMG: Këtë aktivitet me biçikleta e bëni shpesh?
Griseld Hoxha: “Critica Mass Durrës” është një nismë botërore që është hapur edhe në qytetin e Durrësit. Prej gati katër vjetësh ky aktivitet bëhet të premten e fundit të çdo muaji, ku mblidhen çiklistët në formë proteste për të kërkuar korsitë dhe të drejtat e tyre. Kjo nismë duhet, por jashtë vendit funksionon më shumë, ndërsa në Durrës janë pak indiferentë qytetarët.
Griseld Hoxha gjate nje aktiviteti (Foto personale)
CMG: Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen në lidhje me fotografinë dhe videografinë?
Griseld Hoxha: Kam nisur një tjetër cikël të ri projekti që është foto me printim, ku është shpikur një printër i ri dhe mund të përdorësh vetëm letër pa bojë. Unë e kam marrë një të tillë dhe tani kur dal në qytet në Durrës apo Tiranë, kudo që mund të ndodhem mund të fotografoj njerëz të ndryshëm, por ata që të japin një lloj ndjesie të mirë dhe që kanë një lloj profesioni që do t’i ekspozosh apo t’i promovozh. Unë kam bërë një cikël me 13 episode deri tani, dhe mendoj ta vazhdoj deri te 100 copë, për ta finalizuar si projekt dhe të jetë një katalog me këta personazhe. Këto janë personazhe të thjeshtë, të rinj, zanatçinj, me zanatet që janë në zhdukje kam bërë disa të tilla sepse sot janë dhe nesër nuk janë më, dhe këto ngelen kujtime dhe janë foto të momentit. Unë këto personazhe i fotografoj pa mendje, ku kam dhe aparatin tjetër që e filmon komplet proçesin, i fotografoj, i printoj dhe veç kur i them se e juaja është kjo foto. Ata habiten dhe mendojnë se si e kam realizuar, dhe është një lloj emocioni për ata vetë, për mua që ia dorëzoj këtë foto dhe për ata që e shikojnë këtë video. Pra është diçka e bukur dhe çdokush e mirëpret si foto dhe e merr, por ka dhe nga ata persona që nuk e marrin. Më ndodhi me një çift italian që ja bëra këtë fotografi, ishte një fotografi shumë e bukur, por nuk e morën si foto edhe pse ju thashë se është falas.
Intervistoi: Gazmend Agaj
Griseld Hoxha në një aktivitet (Foto personale)
Griseld Hoxha gjatë ekspozitës fotografike në Durrës (Foto personale)