'RICO', ligji kundër mafias që po përdoret ndaj ish presidentit Trump
2023-08-16 21:22:58

Prokurorja e qarkut Fulton në shtetin e Xhorxhias, Fani Willis, i filloi hetimet ndaj Donald Trump-it, pas bërjes publike të një bisede telefonike në janar të vitit 2021, midis ish presidentit dhe Sekretarit të Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger.

foto: VCG

foto: VCG

Ish presidenti Trump i kërkoi gjatë bisedës Sekretarit të Shtetit, një politikan republikan dhe zyrtari më i lartë i shtetit për zgjedhjet, që “t’i gjente” votat e nevojshme për të përmbysur fitoren e ngushtë të rivalit të tij demokrat Joe Biden.

Më shumë se dy vjet më pas, aktpadia e ngritur të hënën nga juria e madhe, shkon shumë më tej se sa telefonata, me akuza për një rrjet të tërë krimesh të kryera nga zoti Trump dhe aleatë të tij.

Prokurorja Willis, po shfrytëzon ligjin e shtetit të Xhorxhias për “Organizata të Korruptuara nën Ndikimin e Krimit të Organizuar”, i njohur si ligji ‘RICO’, për të akuzuar Trump-in dhe 18 të pandehur të tjerë, nën dyshimet për pjesëmarrje në një komplot të gjerë, që synonte përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve të vitit 2020 në këtë shtet.

Ligji ‘RICO” i Xhorxhias, është miratuar në vitin 1980 dhe parashikon si vepër penale pjesëmarrjen, krijimin, ose ruajtjen e kontrollit të një “organizate” përmes “një sërë veprimtarish të krimit të organizuar”, ose thurrja e një komploti për këtë qëllim.