Prodhimi i makinave - Kina drejt vendit të parë në botë për eksportet
2023-08-16 17:09:52

Foto nga VCG

Kina ka kaluar Gjermaninë për sa i përket eksportit të makinave dhe mund ta zhvendosë Japoninë nga vendi e parë deri në fund të vitit.

Në raportin e fundit të agjencisë vlerësuese “Moody's” thuhet se shtimi i automjeteve me origjinë kineze është nxitur nga mbiprodhimi i makinave elektrike.

Eksportet e Kinës në këtë fashë prodhimi gati u dyfishuan në gjysmën e parë të vitit 2023, ndërkohë që eksportet nga Japonia dhe Tajlanda, duke përfshirë automjetet tradicionale dhe ato elektrike, ende nuk janë kthyer në nivelet para pandemisë.

Kina ka avantazhin në prodhimin e baterive me jone litiumi me pastërti më të madhe dhe me kosto më të ulët, pasi prodhuesit kanë lehtësira dhe subvencione të ndryshme nga qeveria, shkruan “RTSH”.

Deri tani, makinat elektrike përbëjnë rreth 30 për qind të numrit të makinave për pasagjerë që shiten në botë, krahasuar me 5 për qind para pandemisë. Nga 10 milionë makina elektrike të shitura në vitin 2022, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, 60 për qind u shitën nga Kina. (Elona)