Markat ndërkombëtare të hotelerisë interes për bregdetin shqiptar
2023-08-16 17:19:37


Pamje hoteli në bregdet(Foto nga Albanian Construction Portal)

Vitet e fundit është rritur interesi i markave ndërkombëtare të hotelerisë për tregun shqiptar, kryesisht për metropolin, por edhe për bregdetin nuk ka munguar vëmendja. Kështu shprehet në një intervistë për revistën Monitor, Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e Colliers International Albania. Sipas analizës së bërë, Dhami thotë se  po të shikojme shifrat, vitet e fundit Shqipëria ka patur një rritje pozitive në turizëm dhe cilësohet si vendi i tretë me prurjet më të larta turistike, pas pandemisë Covid 19.

“Interesi ka qenë dhe vazhdon të mbetet i lartë, kryesisht për zgjerimin e rrjeteve hoteliere të markave ndërkombëtare. Këto marka kanë hyrë në tregun shqiptar, nëpërmjet marrëdhënieve dhe marrëveshjeve francize dhe disa prej tyre në marrëdhënie edhe të menaxhimit. Këto lloj hyrjesh janë prurje shumë të mira për tregun shqiptar, sepse rritet standardi i cilësisë dhe i ofrohet klientit një shërbim shumë më i lartë se ai që i është ofruar ndër vite si dhe e bën Shqipërinë edhe më të njohur si destinacion turistik që duhet parë dhe vizituar. Po të shikojmë vitet e fundit Shqipëria ka patur një rritje pozitive dhe cilësohet si vendi i tretë me prurjet më të larta turistike pas Covid 19.  Të gjitha këto rrjete të cilat hyjnë në Shqipëri sjellin me vete edhe rrjetet e tyre të marketingut, të cilat janë shumë të nevojshme për të krijuar një destinacion turistik. Përveç markave kemi interesin për të tërhequr investitorë të huaj. Lajmi i mirë është që vitet e fundit Shqipëria ka tërhequr interesin e tyre. Kjo do të thotë se nëse jemi gati të ofrojmë një produkt tërheqës financiar dhe me destinacionin e duhur në bregdet kryesisht ku po kërkojnë dhe xhiro hoteliere, investitorët mund të kenë interes për të sjellë kapitalin e tyre” shprehet menaxherja Stela Dhami.

Hotel Dhërmi (Foto nga Albania Hotels)

Shqipëria ka mjaft zona me interes për të investuar në rrjetin hotelier.

“Zonë me interes ngelet bregdeti shqiptar. Destinacioni më i konsoliduar është i zonës së Durrësit, Mali i robit, Golemi vitet e fundit dhe zona e Gjirit të Lalzit, por destinacioni më ekzotik ku presupozojmë të tërheqim turizmin elitar ngelet destinacioni i rivierës së jugut të Shqipërisë.”

E ndërsa flet për të ardhmen e investimeve në bregdet, Dhami thotë se duhet të investojmë në ngritjen e kapitalit dhe burimeve njerëzore në fushën e turizmit.

“Eshtë një koncept i njohur në destinacionet e mëdha të botës së turizmit, rasti i Karaibeve, Spanja, Turqia, Greqia, por ka disa tregje që janë më të zhvilluara si Turqia, ku konsumatori shqiptar është i mirë informuar për këtë koncept. Shqipëria e ka potencialin të krijojë këtë koncept dhe e ka ofruar në disa hotele në zonën e Durrësit, si në Golem dhe Malin e Robit, ku ka qenë i suksesshëm duke u ofruar turistëve nga vendet e Europës konceptin all incluzive. Që të jemi kompetitiv duhet ta trajtojmë produktin si të krahasueshëm me produktet e shteteve përreth, pra nuk ekzistojmë në një botë ku jemi vetëm ne, por rrethohemi nga vende që kanë një produkt jashtëzakonisht të sofistikuar dhe që kanë qenë të hapura me turizmin shumë herë më shumë se ne. Kështu që duhet të gjejmë forcën punëtore siç duhet sepse është një problematikë  gjithandej, jo vetëm në Shqipëri. Duhet të investojmë në ngritjen e kapitalit dhe burimeve njerëzore në fushën e turizmit, të krijojmë profesionistët e turizmit, që të mos e shikojnë turizmin si një profesion të përkohshëm dhe sezonal. Interesin dhe  mundësinë e kemi ta zhvillojme si koncept. Mendoj se zona e Durrësit është më e përshtatshme për këtë lloj koncepti, sepse është një koncept që ka edhe marzhë më të ulët të biznesit, por kërkon dhe volum më të madh dhe Durrësi e ka krijuar këtë reputacion ndër vite”, tha Dhami

Investim ne hotele (Foto vizion plus)

Për zonën e jugut këshillohet të punohet në krijimim e turizmit elitar.

“Ndërsa Jugu i Shqipërisë ka mundësi për të krjuar një turizëm më elitar, por duhet të punojë gjithmonë për zgjatjen e sezonit, sepse turizmi i jugut vuan nga një sezon jashtëzakonisht i shkurtër. Ndaj duhet punuar për ta zgjatur këtë sezon dhe të tërheqim sa më shumë investiture, të sjellim kapitalin e tyre dhe të mësojmë nga ekspertët”, vuri në dukje  menaxherja Dhami në intervistë për revistën Monitor.