Maqedonasit kërkojnë rritje të vazhdueshme të pensioneve
2023-08-16 16:03:15

Foto nga RTSH

Pensionistë dhe qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë dalë sërish në protesta për rritjen e pensionit dhe për kushte më të mira jetese.

Kërkesat e tyre iu drejtuan të hënën nga Shkupi Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, por nuk morën përgjigjen e pritur, bën të ditur “RTSH”.

Maqedonia e Veriut ka më shumë se 300 mijë pensionistë, të cilët nuk janë të kënaqur me rritjen e fundit të pagave të funksionarëve të shtetit me 78 për qind, ndërsa shpërblimet janë parashikuar të rriten vetëm me 6%.

Pensioni minimal në vend është 200 euro.

Protestuesit kërkojnë një rritje lineare prej 3500 denarësh (rreth 58 euro), si dhe përmirësim të jetesës për të dalë nga varfëria.

Kjo do t’i kushtonte buxhetit të shtetit gati 220 milionë euro në vit, sipas ministres së linjës, Jovanka Trençevska.

“Dikush që ka punuar 40 vjet dhe dikush që ka punuar 15 vjet nuk mund të marrin njësoj. Unë jam për drejtësi dhe drejtësi sociale. Nuk mund të barazojmë dikë që ka kaluar 40 vjet, qoftë në makineri apo në një institucion shtetëror, me dikë që ka punuar 15 vjet. Tani po protestojnë ata me pensionin më të ulët, pastaj do të vijnë ata që marrin pensione 17 mijë dhe 18 mijë denarë. Si do ta dalim nga ky rreth?” - deklaroi ministrja e Punës dhe Politikave Sociale.

Për ministren Trençevska, kërkesa për rritjen lineare të pensioneve është gjithashtu jokushtetuese sipas një vendimi të vitit 1998.

Qeveria ka drejtuar gishtin nga opozita se qëndron ajo pas protestave për pensione më të larta në vend. (Elona)