Në përgjigje të thënieve të disa politikanëve dhe mediave perëndimore se ngadalësimi i rritjes së ekonomisë kineze mund të rrezikojë zhvillimin e ekonomisë globale, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha të mërkurën se këto thënie nuk përkojnë me realitetin.
foto: VCG
Wang u shpreh se ekonomia kineze po përparon në mënyrë të qëndrueshme me cilësi të lartë. Kontributi i konsumit në rritjen ekonomike është rritur ndjeshëm. Në gjysmën e parë të këtij viti, norma e kontributit të kërkesës së brendshme në rritjen ekonomike të Kinës arriti në 110.8 %, 59.4 pikë përqindjeje më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, me një normë të kontributit të konsumit përfundimtar prej 77.2 %, me një rritje prej 46.4 pikë përqindjeje. Prirja e ngritjes së nivelit të industrive vijon. Nga janari deri në korrik janë shtuar përkatësisht 11.5 dhe 23.1 për qind investimet në studimin shkencor dhe shërbimet e teknologjisë së lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në gjysmën e parë të këtij viti, eksportet e automjeteve elektrike, baterive të litiumit dhe qelizave diellore u rritën me 61.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht nga ndikimi i tkurrjes së kërkesës së jashtme, pjesa e eksporteve të Kinës në tregun ndërkombëtar mbeti kryesisht e qëndrueshme në shtatë muajt e parë të vitit.
foto: VCG
“Në fakt, ekonomia e Kinës vijon të rimëkëmbet, dhe në përgjithësi prirja e saj është pozitive. Ekonomia kineze ende mbetet një motor i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë botërore. Në gjysmën e parë të këtij viti, PBB-ja e Kinës u rrit 5.5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, më e lartë se norma e rritjes ekonomike prej 3 për qind në vitin e kaluar dhe se norma e rritjes ekonomike prej 4.5 për qind gjatë tre vjetëve të pandemisë. Muajin e kaluar, FMN-ja publikoi raportin 'Parashikimi i ekonomisë botërore', sipas të cilit, rritja e sivjetme e ekonomisë kineze do të arrijë në 5.2 për qind, dhe norma e kontributit të ekonomisë kineze në ekonominë botërore do të zërë një të tretën,”tha zëdhënësi.
foto: VCG
Ai vuri në dukje më tej se aktualisht, rimëkëmbja e ekonomisë botërore është e ngadaltë, inflacioni global po vazhdon, tregjet financiare janë të luhatura dhe trysnia e borxhit po rritet. Ekonomitë e të gjitha vendeve po përballen me sfida të mëdha. Pas tranzicionit të qetë të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë në Kinë, rimëkëmbja ekonomike është një proces me zigzage dhe është e pashmangshme që të ketë vështirësi e probleme përgjatë këtij procesi. Megjithatë, Kina kurrë nuk i shmang problemet, por merr masa për t'i zgjidhur ato në mënyrë aktive, dhe rezultatet gjithashtu janë shfaqur ose po shfaqen, theksoi zëdhënësi.
foto: VCG
“Ekonomia kineze ka elasticitet të fortë, potencial të madh e gjallëri të plotë dhe prirja e rritjes afatgjatë të saj nuk ka ndryshuar. Ne kemi besimin, kushtet dhe aftësinë për të realizuar objektivat dhe detyrat vjetore të zhvillimit ekonomik e shoqëror me cilësi të lartë dhe për ta çuar anijen gjigante të ekonomisë kineze drejt një ardhmeje me një hapësirë më të gjerë. Kina do të vazhdojë të ofrojë energji të qëndrueshme për rimëkëmbjen dhe rritjen e ekonomisë botërore,”tha Wang. (Li Huailiang/Artan)