Zhou Yuqing, vullnetarja pensioniste për mbrojtjen e mjedisit të lumenjve
2023-08-16 10:37:40

Foto nga Xinhua

Edhe pse 71-vjeçare, Zhou Yuqing gëzon shëndet të mirë. Ajo shpesh thotë se mbledhja e mbeturinave nuk është thjesht një veprim për pastrimin e tyre, por një shembull praktik për të nxitur publikun dhe për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit ekologjik, duke i bërë malet më të gjelbëra dhe ujin më të pastër.

Pas daljes në pension në vitin 2008, Zhou Yuqing zgjodhi të bëhej vullnetare për mbrojtjen e mjedisit, pasi mori pjesë në një takim ku ndaheshin histori ekologjike. Dhe pakuptuar, ajo do të punonte për më shumë se dhjetë vite, madje duke organizuar një "ekip" të sajin. "Fillimisht doja të ndihmoja amatorët e ndreqjes së foleve të zogjve në lagje, por nuk prisja që gjithnjë e më shumë njerëz të merrnin pjesë. Nga ndihma e ndërsjellë në komunitetin tonë, u arrit të ndërtohej një ekip vullnetar për mbrojtjen e mjedisit".

Ekipi që përmend Zhou Yuqing quhet "Shoqëria e distriktit Huaxi për realizimin e ëndrrës", e cila u krijua në 2014. Si drejtuese e shoqërisë, ajo udhëheq pensionistët dhe vullnetarët e moshuar rreth saj për të kryer aktivitete, si promovimi shkencor i mbrojtjes së mjedisit, patrullimi dhe mbrojtja e lumenjve, pastrimi i plazheve dhe klasifikimi i mbeturinave.       

Foto nga Xinhua

Aktivitetet e mbrojtjes së mjedisit nga "Shoqëria e distriktit Huaxi për realizimin e ëndrrës" kryhen kryesisht rreth lumit Nanming, i njohur si lumi mëmë nga popullsia e qytetit Guiyang të provincës Guizhou të Kinës Jugperëndimore. Lumi Nanming kalon nëpër perëndim, mespërmes dhe verilindje të qytetit Guiyang, me një gjatësi totale prej 185 kilometrash. "Një nga aktivitetet më të rëndësishme të mirëqenies publike pas themelimit të shoqërisë ishte patrullimi i lumenjve. Por në fillim ky aktivitet nuk ishte shumë profesional." - tregon me sinqeritet Zhou Yuqing, duke shtuar se patrullimi i lumenjve, është një "punë delikate", së cilës duhet t’i përkushtohesh.

"Kemi marrë shumë njohuri për mjedisin ujor dhe sistemin kryesor të lumit, sistemin hidrik të lumit dhe liqenit Guiyang, përdorimin e mjeteve të patrullimit të lumit, mbrojtjen e mjedisit, mekanizmin e ndjekjes së çështjeve mjedisore, etj. Nën udhëheqjen e mjeshtrave të trajnimit kemi zhvilluar praktikën e patrullimit të lumit, por gjithashtu duke zotëruar pajisjet e marrjes së ujit, testimin e cilësisë së tij dhe mjetet e patrullimit." - thotë Zhou Yuqing. Pavarësisht se sa e zënë është, ajo dhe ekipi i saj këmbëngulin të inspektojnë çdo muaj lumenjtë Huaxi, Xiaoche, Nanming dhe tjerë me moton "Vrapo atje ku ka mbeturina".

Foto nga Xinhua

Gjatë inspektimit, ata evidentuan derdhje të ujërave të zeza në zonën e fabrikës, djegie të kashtës nga fermerët si dhe monitoruan speciet e huaja ujore. Problemet mjedisore të zbuluara nga patrulla e lumit, u janë raportuar sektorëve përkatës. Deri tani "Shoqëria e distriktit Huaxi për realizimin e ëndrrës" ka patrulluar më shumë se 100 lumenj dhe liqene në të gjithë provincën Guizhou, ka organizuar më shumë se 200 aktivitete për mbrojtjen e tyre, duke mbledhur rreth 1 mijë kilogramë mbeturina. "Jo vetëm që duhet t’i mbledhim, por duhet të mësojmë edhe se si t'i trajtojmë mbeturinat". Qoftë kur janë për punë vullnetare apo edhe kur udhëtojnë vetëm, anëtarët e "Shoqërisë së distriktit Huaxi për realizimin e ëndrrës" me mirësjellje gjejnë gjithmonë mënyrën për t'i trajtuar siç duhet veprimet e pahijshme mjedisore.

"Mbrojtja eko-mjedisore kërkon stafetë”. Duke filluar nga viti 2020, Zhou Yuqing udhëheq vullnetarët për të popullarizuar shkencën mjedisore në shkolla, komunitete etj. Ajo ka organizuar 30 aktivitete si "Sesionin e historisë së civilizimit ekologjik", "Ekspozitën e fotografive për mbrojtjen e mjedisit të lumit dhe liqenit Guizhou" etj. Ka qenë në 5 kopshte fëmijësh, 20 shkolla fillore e të mesme dhe 5 komunitete për të përhapur njohuritë për qytetërimin ekologjik dhe konceptin e mbrojtjes së mjedisit. Vullnetarët kanë realizuar më shumë se 13 mijë orë shërbimi vullnetar, duke ruajtur pa bujë ujin e pastër dhe qiellin blu në Guizhou. Ekipi është rritur gjithashtu nga 20 personat fillestarë në 180 të regjistruar aktualisht.

Foto nga VCG

Zhou Yuqing ka një ndjenjë të veçantë për lumin Nanming. Ajo thotë: "Duke parë që zogjtë përreth lumit Nanming po rriten gradualisht, peizazhi natyror është restauruar dhe lumi po bëhet gjithnjë e më i bukur.  Prandaj jam shumë e gëzuar dhe do të vazhdoj shërbimin vullnetar për mbrojtjen e mjedisit". (Çang Çuo)