
Foto nga VCG
BE-ja ka refuzuar marrëveshjen që do të lejonte kthimin në Francë të emigrantëve, të cilët futen përmes kanalit të La Manshit në Britani. Sipas medieve britanike, refuzimi erdhi nga një prej këshilltarëve më të besuar të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.
Politikani gjerman, Bjoern Siebert, u tha zyrtarëve të lartë britanikë se blloku nuk do ta marrë në konsideratë nënshkrimin e një marrëveshjeje kthimi, pas Brexit, citon “RTSH”.
Kjo do të thotë që Britania nuk do të jetë në gjendje të kthejë emigrantët me varka të vogla në Francë.
Nëse emigrantët e kanalit La Mansh nuk mund të largohen nga Britania në Francë, opsionet janë të kufizuara në dërgimin e tyre në vendet e origjinës ose në një vend të tretë të sigurt, si Ruanda.
Megjithatë, marrëveshja e qeverisë për azilin me Ruandën u shpall e paligjshme nga Gjykata e Apelit me arsyen e të drejtave të njeriut.
Marrëveshja mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës parashikonte pagesën ndaj kësaj të fundit me 577 milionë dollarë gjatë tre viteve të ardhshme në përpjekje për të ndaluar udhëtimin e emigrantëve me varka të vogla përgjatë kanalit La Mansh, duke ndihmuar në financimin e patrullimeve të zgjeruara, përdorimin e dronëve dhe një qendre ndalimi. (Elona)
