Rritet shkalla e papunësisë në Britaninë e Madhe
2023-08-16 17:12:36

Foto nga VCG

Shkalla e papunësisë në Britaninë e Madhe regjistroi rritje në tre muajt deri në qershor, edhe pse pagat u rritën me një ritëm të shpejtë.

Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS) njoftoi se shkalla e papunësisë u rrit në 4.2% gjatë tremujorit, 0.3 pikë përqindje më shumë krahasuar me tremujorin e mëparshëm, bën të ditur “ATSH”.

“Kjo është rritja më e lartë që në 2021-shin, që i ka tejkaluar nivelet para pandemisë”,- sipas ONS-së.

Statisticienët thanë se paga e rregullt, e cila përjashton bonuset, u rrit në 7.8% krahasuar me një vit më parë.

“Kjo është norma më e lartë e rritjes së rregullt vjetore që kemi parë që nga fillimi i regjistrimeve të krahasueshme në 2001-shin”,- bëri të ditur ONS-ja, duke shtuar se kjo është hera e parë që nga tetori 2021 që pagat reale janë rritur.

Të dhënat treguan se numri i punonjësve u rrit me 97.000 në 30.2 milionë në korrik, megjithëse, sipas ONS-së, ky ishte një vlerësim i përkohshëm dhe pritej të rishikohej pas grumbullimit të më shumë të dhënave, muajin e ardhshëm.  (Elona)